Albspirit

Media/News/Publishing

Hajredin Rauf Fratari dhe historia e një dinastie shqiptare nga Mallakastra

Z. Hajredin Rauf Fratari rrjedh nga familjet më intelektuale, më patriotike, më fisnike dhe më të persekutuara politike të Shqipërisë. Ai është bir i popullit të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe i një qytetari shqiptar me nënshtetësi amerikane, nga viti 1953 deri në 1973, në SHBA.

Gjyshi i tij, Hajredin Rakip Fratari, lindi në Fratar të Mallakastrës, në vitin 1880. Ashtu si i ati i tij, Rakipi, që ishte i diplomuar për drejtësi, në Universitetin e Stambollit, Turqi, edhe Hajredini vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Hylqies, në Stamboll. Ai shquhet për veprimtari patriotike dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Ismail Qemalit. Më 1912, ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut në Kosovë, si përfaqësues i popullit të Beratit dhe të Mallakastrës. Gjithashtu, ai u zgjodh delegat i popullit të Mallakastrës në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një ndër 33 firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, duke qenë edhe funksionar i lartë i qeverive provizore të drejtuara nga Ismail Qemali dhe më vonë, nga Princ Vidi. Hajredini ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe në Mallakastër dhe Skrapar gjatë viteve 1906-1908. Në maj të vitit 1914, ai vritet pabesisht nga rebelët pro turq të kryengritjes së Haxhi Qamilit. Në vitin 1928 Mbretëria Shqiptare e shpalli Hajredin Fratarin “Dëshmor të Kombit”. Në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Hajredin Fratari, për veprimtarinë e tij të shquar patriotike shpallet Dëshmor i Atdheut dhe dekorohet me Medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Me dekret nr. 3570 dt. 26.11.2002, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Me vendim nr. 9 dt. 20.05.2003, Këshilli i Ministrave e ka shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Gjyshja e tij, Sabire Fratari, ka qenë mbesa e poetit kombëtar, Naim Frashëri. Ajo ka mbaruar studimet në Shkollën ”Robert College”, në Stamboll, Turqi.

Gjyshi i tij nga nëna, Avni Gjilani, është nga Kosova. Ai ka mbaruar studimet e larta për drejtësi, në Universitetin e Stambollit si dhe ka qenë Deputet i Kosovës në Shqipëri gjatë viteve 1921-1924.

Gjyshja e tij nga nëna, Sadie Gjilani (Koka), është nga Delvina. Ajo ka mbaruar studimet në Shkollën “Robert College”, në Stamboll, Turqi.

Nëna e tij, Ganimete Fratari (Gjilani), është nga Kosova. Ajo ka mbaruar studimet në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, Tiranë – Shqipëri.

Babai i tij, Rauf Hajredin Fratari, gjatë viteve 1923-1927 ka mbaruar Shkollën e Mesme Ushtarake në Modena të Italisë. Gjatë viteve 1929-1933, ai vazhdon studimet në Romë në Akademinë Mbretërore në degën e Kavalerisë me rezultate të larta. Nga viti 1935-1939, ai ka qenë ushtarak i lartë me gradën “Major”, pranë Gardës Mbretërore të Zogut. Për qëndrim antifashist ndaj pushtuesve italianë, ai u burgos për disa kohë në burgun e Tiranës. Gjithashtu, ai kundërshtoi publikisht të merrte pjesë në luftën italo-greke dhe si pasojë e burgosën në burgun e Gjirokastrës. Ai ka qenë delegat në Konferencën e Pezës, në shtator të vitit 1942 si dhe delegat në Konferencën e Mukjes, në shtator të vitit 1943. Ai krijoi batalionin “Hajredin Fratari”, i cili më pas u njoh me emrin Çeta Plakë e Mallakastrës, duke qenë edhe komandant i saj. Ai është shquar në luftime dhe ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Më 27 nëntor 1944, për arsye të pikëpamjeve të tij perëndimore dhe për të shpëtuar nga hakmarrja e komunistëve, Raufi u largua nga Shqipëria së bashku me shumë eksponentë të Ballit dhe të Legalitetit dhe u vendos në Itali duke lënë në Shqipëri gruan së bashku me të dy fëmijët e vegjël 2 dhe 4 vjeç. Aty, ai qëndron për 5 vjet në kampet e emigracionit, të hapura nga forcat aleate anglo-amerikane. Në vitin 1951, ai fitoi azilin politik dhe emigroi në SHBA, në Nju Xhersi. Në vitin 1953, ai mori nënshtetësinë amerikane. Në janar të vitit 1973, ai vritet befasisht nga njerëz të paguar nga sigurimi i shtetit komunist shqiptar. Me dekret nr. 893 dt. 21.07.1994, Rauf Hajredin Fratari dekorohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Medaljen “Pishtar i Demokracisë”, me motivacionin “Intelektual dhe luftëtar i shquar për çështjen kombëtare”.

Duhet të theksojmë se z. Hajredin Rauf Fratari dhe e motra e tij, znj. Sabire Fratari, kanë marrë në shenjë respekti familjar respektivisht emrat e gjyshit dhe të gjyshes së tyre. Në nëntor të vitit 1944, kur u largua i ati i tyre, Rauf Fratari, nga Shqipëria, secili prej tyre ishte 2 vjeç dhe 4 vjeç dhe gjithë jetën nuk mundën ta shohin dhe ta takojnë babanë e tyre. Për arsye të vështirësive ekonomike dhe presioneve politike, ata së bashku me nënën e tyre, Ganimete, u strehuan gjatë viteve te regjimit komunist pranë shtëpisë së gjyshit të tyre Avni Gjilani, në Tiranë. Familja e z. Hajredin Rauf Fratarit përbëhet nga gruaja e tijznj. Violeta Fratari (Shallo), vajza Lediana dhe djali Raufi.

E shoqja e tij, znj. Violeta Fratari, ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit Shtetëror të Tiranës, dega fizikë.

E bija, znj. Lediana Hajredin Fratari, ka mbaruar shkollën fillore në Itali dhe studimet e larta në Fakultetin Politik të Universitetit “Queen Mary”, Londër, Angli.

I biri, z. Rauf Hajredin Fratari, ka mbaruar shkollën fillore në Itali dhe vazhdon studimet e larta në degën Ekonomi Biznes, të Universitetit “Royal Halloway” Londër, Angli.

E motra e tij, znj. Sabire Halili (Fratari), ka mbaruar Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. I shoqi i Sabires, z. Qemal Halili ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe është një nga mjekët më të mirë gastroenterologë të Shqipërisë. Ndërsa dy vajzat e saj, Irisi dhe Anila, kanë mbaruar respektivisht Universitetin Shtetëror të Tiranës degët Gjuhë – Letërsi dhe Ekonomik.

Në familjen e z. Hajredin Fratarit bashkëjetojnë në harmoni të plotë tri besime fetare. Ai është një bektashi i devotshëm (ka dhënë ndihmë për ndërtimin e disa tyrbeve dhe të Kryegjyshatës). Gruaja, Violeta është ortodokse, vajza Lediana është katolike, ndërsa djali, Raufi respekton të gjitha besimet fetare.

Familja Fratari është ndër familjet më fisnike dhe më atdhetare e krahinës së Mallakastrës dhe e gjithë Shqipërisë. Ajo është shquar për humanizmin e lartë në ndihmë të shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare dhe ka qenë një vatër dhe një pikë mbështetje e fuqishme për edukimin e mjaft brezave të popullit tonë me frymën e dashurisë për kombin, për urrejtjen kundër pushtuesve të huaj në vendin tonë, për përhapjen e kulturës kombëtare dhe perëndimore si dhe për fitoren e demokracisë në vendin tonë.

Gjatë viteve të demokracisë Hajredin R. Fratari ka qenë dhe është një biznesmen i suksesshëm. Ai vazhdimisht ka ndihmuar bashkëvuajtësit e tij dhe njerëzit në nevojë. Në kohën e luftës së Kosovës, ai strehoi 312 kosovarë në apartamentet e tij duke i furnizuar vetë ai me ushqime dhe veshmbathje për një javë rresht, pastaj kontribuoi Rotary Club. Në pamje të parë duket si një militant i zjarrtë demokrat, por në thelb ai është një person human, tolerant dhe bujar. Pas fitores së demokracisë ai u udhëhoq nga parimi “Atdheu mbi të gjithë dhe poshtë luftës së klasave”. Kur e pyetën njëherë bashkëvuajtësit e tij se përse ke marrë në punë edhe fëmijët e ish nomenklaturës komuniste ai u përgjigj: “Për tmerret e komunizmit duhet të dënohen ata që i kanë kryer dhe jo fëmijët e tyre. Luftës së klasave duhet t’i jepet fund dhe të shikojmë përpara për të ndërtuar një të ardhme evropiane  për brezat e ardhshëm”.

Ai është njeri punëtor, i drejtë, serioz, familjar dhe, mbi të gjitha, i patolerueshëm ndaj korrupsionit, të cilit i është kundërvënë gjatë gjithë jetës. Si një atdhetar i flaktë, ai investoi shumë financiarisht për studimin e dy fëmijëve të tij në shkollat më të mira të Italisë dhe të Anglisë, me qëllim që ato të kthehen dhe të punojnë me ndershmëri dhe me përkushtim për Shqipërinë, e cila një ditë do të bëhet si të gjitha vendet e Evropës.

Please follow and like us: