1932-1933, miliona të vdekur, genocidi bolshevik ndaj Ukrainës
Zija vrastare e bukës që goditi Ukrainën në periudhën 1932 – 1933 merr emrin Holodomor. Jo vetëm që Stalini ishte në dijeni, por edhe e ashpërsoi qëllimisht. Një histori e mbajtur e fshehur gjatë nga autoritetet sovjetike. Për këtë kemi biseduar me historianen Anne Applebaum
Nga fundi i vitit 1932 në mesin e 1933 Bashkimi Sovjetik, i udhëhequr nga Josif Stalini, përjetoi një zi të tmerrshme buke, që i detyrohej parasëgjithash politikës katastrofike që i detyronte fshatarët të punonin në ferma kolektive. Në Ukrainën sovjetike situate u ashpërsua qëllimisht nga aktivistë që merrnin ushqimin nga shtëpitë me qëllim që të dobësonin lëvizjen separatiste ukrainase dhe një gjë e tillë shkaktoi miliona të vdekur. E njohur në Ukrainë si Holodomor, zija e bukës qe një prej mizorive më të mëdha të shekullit të XX-të, por falë punës së kujdesshme të errësimit nga ana e qeverisë sovjetike, në dekadat e mëvonshme u fol shumë pak për të. Për këtë arësye kemi intervistuar historianen Anne Applebaum, e cila ba botuar edhe një libër lidhur me këtë temë, të titulluar “Red Famine: Stalin’s War on Ukraine”.
Cili ishte pozicioni i Ukrainës në Bashkimin Sovjetik përpara zisë së bukës?
Për nga përmasat, Ukraina ishte republika e dytë brenda Bashkimit Sovjetik dhe e kishte pasur revolucionin e saj kombëtar në vitin 1917: në luftën civile që ka pasuar, forcat republikane antibolshevike kishin luftuar me një frymë të tillë sa ta zmbrapsnin Ushtrinë e Kuqe dy herë, përpara se të nënshtroheshin përfundimisht. Më pas, në vitet ’20, si lëshim ndaj kulturës ukrainase, Lenini dhe më pas Stalini u lanë shkrimtarëve, artistëve, politikanëve dhe historianëve ukrainas një liri më të madhe karshi homologëve respektivë rusë. Por në vitin 1932, teksa zija e bukës përhapej në Bashkimin Sovjetik, Stalini e kapi rastin në ajër dhe miratoi një seri dekretesh që synonin të thelloheshin vështirësitë në Ukrainë, duke ndërmarrë njëkohësisht një sulm kundër elitës së vendit. Qëllimi i përdorimit të zisë së bukës ishte edhe që të nënshtrohej nëpërmjet terrorit klasa fshatare, për ta çrrënjosur një herë e mirë çdo shans për sovranitet kombëtar.
Po thoni se zija e bukës në Ukrainë qe në çdo aspekt dhe në gjithçka rezultat zgjedhjesh të qëllimshme?
Saktë. Nuk pati shkaqe natyrale: në atë pjesë të botës klima është gjithmonë e paqëndrueshme, por në periudhën 1932 – 1933 nuk pati asnjë variacion të denjë për t’u nënvizuar, pikërisht asgjë që të mund të justifikonte një zi buke që vrau rreth 4 milionë njerëz. Ajo që e provokoi qe një seri vendimesh të qëllimshme, që përfshinin detyrimin për të dorëzuar sasi të paarësyeshme gruri dhe ndëshkime pë rata që nuk qenë në gjendje të bindeshin. Për t’i vënë në jetë këto masa, grupe aktivistësh të mbledhur si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina, shkonin fshat më fshat duke u futur me dhunë nëpër shtëpitë e fshatarëve për të kontrolluar dhe marrë me vete të gjithë ushqimin që arrinin të gjenin. Dhe nuk merrnin vetëm grurin, por edhe farën e vënë menjanë për ta mbjellë vitin e ardhshëm, bukën që piqej në furrë dhe supën që ziente mbi zjarr, karrotat, bizelet, kungujt. Qëllimi i tyre ishte që të veprohej në mënyrë të atillë që njerëzve të mos u mbetej absolutisht asgjë. Pastaj, shteti mbylli edhe kufijtë e vendit, në mënyrë që popullsia të mos mund të shkonte e të kërkonte ushqim tjetërkund. Të izoluar nëpër fshatrat e tyre, fshatarët ukrainas humbën jetën me miliona.
Natyrisht. Teksti i një letre dërguar Stalinit në vitin 1933 nga shkrimtari i famshëm sovjetik Mikhail Sholokhov, që jetonte pak përtej kufirit ukrainas, në rajonin e Kubanit, një pjesë tjetër e Bashkimit Sovjetik, që kishte vuajtur jashtëzakonisht shumë dhe që kishte një përqindje të lartë ukrainasish në popullsinë e tij, e përshkroi me saktësi situatën e tmerrshme. Stalini ju përgjigj se njerëzit që po vdisnin e meritonin një gjë të tillë, pasi pengonin realizimin e projektit të madh sovjetik dhe, për pasojë, duhej eliminuar. Nga fjalët e zgjedhura kuptohet në mënyrë të paekuivok se Stalini dinte për zinë e bukës dhe se i dukej e justifikuar.
Keni thënë se të vdekurit qenë 4 milionë: nga buron kjo shifër?
Deri kohët e fundit, numri i viktimave ishte mjaft i diskutuar, pjesërish edhe për shkak të okultimit të zbatuar nga autoritetet: Bashkimi Sovjetik jo vetëm e mohoi ekzistencën e zisë së bukës teksa ishte në zhvillim (për shembull duke i penguar gazetarët që të shkonin në zonat e goditura), por e fshehu edhe më pas. Në vitin 1937 Stalini ndaloi botimin e rezultateve të një censusi kombëtar, pasi numrat rezultonin shumë më të ulët nga parashikimi, dhe dokumentat zyrtarë vazhduan që të ndryshoheshin për vite të tëra, me qëllimin e saktë që të okultonin impaktin e zisë së bukës mbi popullsinë. Për të vlerësuar shifra të diskutueshme, demografët ukrainas janë detyruar që të rrëmojnë nëpër arkiva për lindjet dhe vdekjet, të vetmet të mbetura të paprekura nga censura, dhe t’i krahasojnë këto të dhëna me mesataret që do të priteshin për vendin. Kështu ka dalë një numër “vdekjesh për shkaqe jonatyrore” që vërtitet rreth 3.9 milionë personave.
Si arritën t’ia dalin të mbijetuarit?
Disa në më të keqen e mënyrave: duke hyrë në grupet e aktivistëve, duke ndihmuar që t’u konfiskohej ushqimi vetë fqinjëve të tyre të shtëpisë dhe duke marrë në shkëmbim racione nga qeveria. Të tjerë mbijetuan duke ngrënë gjërat më të paimagjinueshme: bar, kërcej, insekte, bretkoca, qenër, mace, deri edhe këpucë lëkure. Çdo gjë që ndoshta edhe për më së largu dukej organike zihej dhe hahej. Në pjesët më të pyllëzuara të vendit njerëzit mund të arrinin të fusnin në dorë kafshë të vogla të egra, kërpudha dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Të tjerë akoma ia dolën duke u arratisur nga Ukraina përpara se të mbylleshin kufijtë dhe disa të tjerë ia dolën të arratiseshin edhe më pas. Pati edhe njerëz që nga fshati u spostuan në qytetet kryesore.
Gjithsesi, sistemi më i zakonshëm për të mbijetuar ishte pasja e kontakteve me ndonjë institucion sovjetik, në përgjithësi spitale apo shkolla: të parët, të paktën teorikisht, duhet të vazhdonin të merreshin me të sëmurët; të dytët mbetën gjithmonë të hapura. Kush kishte akses në këto vende apo mund të mbështetej tek ndonjë familjar apo i afërt që punonte aty mund të arrinte të siguronte racione qeveritare. Paradoksalisht, ata që mund t’i ndihmonin njerëzit të mbijetonin qenë pikërisht burokratët shtetërorë. Qeveria krijoi edhe dyqane të shpërndara në të gjithë Ukrainën, ku njerëzit mund të shkëmbenin valutë të huaj, ar apo argjend me mallra ushqimore. Kështu, fshatarët u çveshën nga thesaret familjare, duke dorëzuar kryqe, orë dorë floriri, medalje ushtarake dhe çfarëdolloj objekti tjetër me vlerë që ruanin në shtëpitë e tyre. Edhe ky qe një sistem për ta plaçkitur popullin ukrainas nga kultura dhe nga historia e tij: t’i detyronte njerëzit që të privoheshin nga gjithçka kishin përfituar në trashëgimi vetëm që të mund të shpëtonin kokën.
A pati raste kanibalizmi?
Si përfundoi zija e bukës?
Holodomori përfundoi atëhere kur qeveria sovjetike vendosi që t’i japë fund. Në verën e vitit 1933 autoritetet e ndërprenë mbledhjen e detyruar të grurit dhe bastisjet, kështu që zija e bukës dora dorës u zgjidh. Nuk pati kurrë ndonjë përpjekje zyrtare për të mbështetur viktimat, asnjë program furnizimi publik, as kërkesa për ndihma nga vende të tjera, siç kishte ndodhur në fakt gjatë një zije tjetër të rëndë buke në periudhën 1920 – 1921.
A do të ishte korrekt të quhej zija e bukës ukrainase e asaj periudhe si genocid?
Termi genocid u krijua nga nje hebre polak, avokati Raphael Lemkin, që – e dhënë interesante – vinte nga Ukraina perëndimore. Në kuptimin fillestar të dëshiruar nga krijuesi i saj, fjala nënkuptonte shkatërrimin masiv (të tentuar apo të arritur) të një kombi të tërë jo vetëm me shtypjen fizike të popullsisë, por edhe me eliminimin e elementëve të tilla si kultura, gjuha dhe vendet e kultit të tij. Në këtë kuptim, zija e bukës në Ukraina kualifikohet padyshim si genocid.
Por nëqoftëse konsiderohet domethënia më e ngushtë e fjalës, ashtu siç përdoret në të drejtën ndërkombëtare, atëhere Holodomori nuk futet në këtë kategori. Në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara lidhur me Genocidin, termi duket se i zbatohet ekskluzivisht ngjarjeve si holokausti: shfarosja e gjerë dhe sistematike e një grupi të tërë etnik. Unë do të isha mjaft e lumtur që të mund të përdorja një fjalë më pak të “ngarkuar” nëse do të kishin mundur të shpiknim një të re, një që përshkruan dhunën massive apo shkatërrimin e përgatitur nga shteti. Shekulli i XX-të është i mbushur plot me evenimente që nuk futen në përkufizimin teknik të genocidit të Kombeve të Bashkuara, por sigurisht në atë të shfarosjes në masë. Dhe zija e bukës në Ukrainë është patjetër njëra prej tyre.
Sot shumë rusë vazhdojnë ta shohin figurën e Stalinit në një dritë pozitive: si pajtohet kjo me përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë në këto fakte mizore?
Admirimi për Stalinin është pasojë e një politike historike të qeverisë aktuale ruse. Kremlini ka marrë vendimin e qëllimshëm që të fokalizojë festimet e “madhështisë ruse” mbi përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, kur trupat e Stalinit kishin pushtuar gjysmën e Europës. Kështu që ai kujtohet zyrtarisht si një pushtues dhe një “çlirimtar” i madh, jo si njeriu që nxiti zinë e bukës apo që mbylli nëpër gulagë miliona bashkëqytetarë të tij. Por qeveria ruse do të kishte mundur të zgjidhte momente të tjera të historisë dhe heronj të tjerë të cilëve t’u ekzaltonte ndërmarrjet. Në thelb, regjimi i Putinit ka vendosur që të mos shkëputet nga tradita sovjetike: roli dhe kujtimi i Stalinit vlerësohen dhe ndodhia e zisë së bukës në Ukrainë mbetet pothuajse e harruar. Në Rusi, Holodomori është pak i njohur: shumë e konsiderojnë deri një falsitet historik.
Në ditët tona raportet midis Rusisë dhe Ukrainës nuk janë më të mirat. Kjo ka të bëjë edhe me ngjarjen për të cilën po flasim?
Po. Historia e zisë së bukës shpjegon shumë gjëra lidhur me Ukrainën moderne: motivin e mosbesimit të përgjithësuar ndaj institucioneve, korrupsionin e përhapur dhe dobësinë e klasës politike. Siç e thashë më parë, zija e bukës e periudhës 1932 – 1933 shoqëroi një sulm ndaj klasave drejtuese politike dhe intelektuale, që qysh atëhere nuk janë zëvendësuar kurrë. Fakti që kujtimi i zisë së bukës është përgatitur dhe përkujtuar në Ukrainë, por mohohet krejtësisht në Rusi është një simptomë tjetër e konfliktit në zhvillim. Rusët kanë vështirësi që të kuptojnë se historia e Ukrainës është e ndryshme dhe e shkëputur nga ajo e tyre. Deri kur nuk do ta kenë metabolizuar këtë vetëdije – pse jo edhe atë të së drejtës ukrainase për sovranitet kombëtar – raportet midis dy vendeve do të vazhdojnë të jenë mjaft të vështira.
(Anne Applebaum është gazetare, historiane dhe autore e specializuar në historinë e Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore. Midis librave të saj përmendim “Gulag. Historia e kampeve të përqëndrimit sovjetike” dhe “Perdja e Hekurt. Disfata e Europës Lindore 1944 – 1956”) /BURIMI: BBC HISTORY-bota.al/