Kryeministri armen: SHBA ka demonstruar edhe një herë angazhimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka reaguar pas deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili deklaroi të shtunën se masakra ndaj armenëve nga Perandoria Osmane ishte një gjenocid. Sipas BBC, Pashinyan theksoi se fjalët e Biden kishin “nderuar kujtimin” e atyre që kishin vdekur. “SHBA-ja e ka demonstruar edhe një herë angazhimin e saj të palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vlerat universale”, shkroi kryeministri armen në Twitter. Presidenti Biden të shtunën u bë Presidenti i parë i SHBA-së që njohu zyrtarisht masakrën ndaj armenëve nën Perandorinë Osmane si një gjenocid. Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministria e punëve të jashtme në Turqi e cila theksoi se kjo deklaratë e Presidentit të SHBA-së nuk do të pranohet kurrë në ndërgjegjen e popullit turk. “Kjo deklaratë e SHBA-së e cila shtrembëron faktet historike, nuk do të pranohet kurrë në ndërgjegjen e popullit turk, dhe do të hapë një plagë të thellë që minon besimin dhe miqësinë tonë të ndërsjellë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Turqisë. Armenia thotë se 1.5 milionë njerëz u vranë në vitin 1915-1916, duke iu referuar masakrës si gjenocid.