Albspirit

Media/News/Publishing

Margarita Kola: Konvergjimi i interesave qytetare nëpërmjet procesit të të vetëkuptuarit

 

Pavarësisht se kampet politike janë të ngarkuara emocionalisht qytetarët e të gjitha bindjeve duhet të qetësohen dhe të vëzhgojnë me kujdes analizën paszgjedhore për zgjedhjet dhe pse dyshoj se vështirë të ketë një të tillë të paktën përpara qytetarëve që i votojnë.

Mbështetësit e PD-së duhet të kërkojnë llogari dhe duhet t’i jepet llogari nëpërmjet strukturave përkatëse se ku gabuan, çfarë duhet të rregullojnë dhe çfarë do të bëhet me fatin e kësaj partie nëpërmjet fatit të lidershipit të partisë. Çfarë vote ishte ajo që morën? Votë pro tyre apo kundër qeverisjes? Kush është elektorati i tyre tradicional dhe si do të mbahet ky elektorat? A duhet të ndryshojë lidershipi i kësaj partie?

Mbështetësit e PS edhe pse partia e tyre doli fitimtare duhet të dëgjojnë gjithashtu një analizë të subjektit që mbështeten. Vërtetë vota e marrë ishte mbështetje për ata apo një votë që u drejtua tek ata për shkak të mungesës së alternativës së besueshme nga PD? A ishte kjo votë suksesi apo e imponuar për shkak të avantazheve që ka një parti në pushtet? Pse kaq arrogancë dhe tallje e panevojshme gjatë fushatës dhe më gjerë? Edhe fitimtarët analizojnë dhe duhet të analizojnë.

Megjithë rëndësinë e të dyja veprimeve më lartë të cilat varen nga vullneti i partive politikë ne, qytetarëve votues nuk na ndalon askush të analizojmë selljen tonë përkundrejt votës dhe këndvështrimin tonë të të zgjedhurit të të mbështeturve tanë.

Kjo mund të bëhet duke ju dhënë përgjigje disa pyetjeve me karakter shoqëror si për shembull: Përse ne si votues kemi shumë pak interes për alternativat e reja politike megjithëse e artikulojmë shpesh nevojën për të dal jashtë ofertave politike që kanë dhënë dy partitë më të mëdha politike në vend? Përse nuk votojmë individin me integritet, por çfare na serviret nën nostalgjinë e siglës? Përse jemi tifozë politikë dhe jo votues ideologjikë? Përse ende pas kaq vitesh pranojmë të na e blejnë votën? Përse sondazhet tek ne dështojnë? Përse shfaqim rezistencë në qarkullimin e elitave politike? Përse dy partitë e mëdha na imponohen jo me alternative, por me pragmatizma dhe ne i pranojmë në pozicionime stoike?

Nuk ju përkas atyre që mendojnë se populli shqiptar nuk meriton ose nuk është gati për demokraci. NË VEND TË KËSAJ UNË BESOJ SE SHQIPTARËT KANË SJELLJE ELEKTORALE DEMOKRATIKE NË ZGJEDHJE QË IU OFROHEN JO ME STANDARDE DEMOKRATIKE. Pra jemi një popull i duruar deri në absurd dhe i papërmbushur nga gënjeshtrat politike deri në dhimbje.

Derisa t’i identifikojmë këto shkaqe që janë komplekse, ne si qytetarë duhet të këmbëngulim për një parashtrim shoqëror mbarëkombëtar i cili të shërbej si burim idesh, analizë dhe vërejtjesh për të vetëkuptuar se çfarë është demokracia, loja e saj me pushtetet dhe rëndësia e të votuarit në një sistem përfaqësues. Të vetëkuptuarit është proces vetëndërgjegjësues nëpërmjet arsyetimit dhe si i tillë është rezistues nga ndërhyrja e faktorëve të jashtëm çndërgjegjësues pra manipulimi i arsyes vështirë të ndodh në këtë rast. Kësisoj qënia e ndërgjegjësuar nuk sillet dhe drejtohet si vegël.

Pra, ne kemi nevojë të vetëkuptojmë veten dhe të konvergjojmë interesat tona shoqërore nëpërmjet këtij procesi të vetëkuptuari dhe vetëm paskësaj do të mund t’i imponohemi pushtetit që të punojë për shumatoren e interesave tona qytetare pa u sjell si vegël e partive, por si zotërues të fuqisë për t’i dhënë pushtet nëpërmjet përfaqësimit.

Please follow and like us: