BE thërret palët në Shqipëri të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve
Bruksel, 27 prill 2021 – Bashkimi Evropian i bëri sot thirrje forcave politike në Shqipëri që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën.
“Të gjitha forcat politike tani duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve. Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”, thuhet në një deklaratë të përbasbhkët të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri,Josep Borrell, dhe Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Dy përfaqësuesit e BE-së, dike iu referuar gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, vënë në dukje se “zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse”.
“Palët e interesit kishin besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë dhe një Komision Qendror i Zgjedhjeve i reformuar (KQZ) mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke patur besimin e palëve të interesit në të gjitha nivelet”,thuhet në deklaratq.
“Vëzhguesit raportojnë shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”, thuhet më tutje në deklaratë, ku inkurajohen të gjitha palët e përfshira në numërim që “të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura”.
Në deklaratën e përbashkët të dy përfaqësuesve të BE-së theksohet gjithashtu se vendi nuk duhet të frenojë procesin e reformave që nevojiten për të përparuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar. Periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet të stepë përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat e nevojshme. Ne do të dëshironim që vendi të hynte në fazën tjetër të procesit të pranimit, me Konferencën e parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave të zhvilloheshin sa më shpejt të ishte e mundur”, theksojnë përfaqësuesit e BE-së, ndërsa vënë në dukje se presin që “parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, thuhet në fund të deklaratës.
Një ditë më pare, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, tha se pret që liderët politikë dhe kandidatët të pranojnë vendimin e votuesve.
“Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit (e Shqipërisë) që të pranojnë vendimin e votuesve”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.