Freedom House: Shqipëria dhe Kosova shënojnë rënie në nivelin e demokracisë
Organizata Freedom House arrin në përfundimin se udheqësit e zgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore po minojnë vetë institucionet që i sollën ata në detyrë, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare. Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion 2021”që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit pararendës dhe që u bë publik të mërkurën, lloji më i zakonshëm i regjimit në Ballkan vazhdon të jetë ai hibrid/demokraci në tranzicion. Shqipëria dhe Kosova shënuan rënie në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi rritje.
Shqipëria, rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur
Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.82 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.75 pikë.
“Ajo që vërehet është që nota e përgjithshme e Shqipërisë, është në nivelin e notës që Shqipëria ka marrë në vitin 2013. Pra demokracia në Shqipëri është në të njëjtat nivele që Shqipëria ka pasur në vitin 2013, sipas së njëjtit raport të Freedom House”, thotë Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, autori i kapitullit për Shqipërinë në raportin “Vendet në Tranzicion”.
Vlerësimi për shoqërinë civile ra nga 5 në 4.75 pikë.
“Ulja e notës i dedikohet një sërë akteve të cilat kanë kufizuar hapësirën në të cilën operon shoqëria civile, hapësirën e aksionit të shoqërisë civile me një sërë kufizimesh përsa i takon së drejtës së tubimit, madje edhe së drejtës për shprehje”, thotë zoti Gjurmo.
Më konkretisht rënia i atribuohet dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit në maj, gjatë acarimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për shkak të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga forcat e policisë për shkak të thyerjes së kufizimeve të Covid-it.
Vlerësimi për gjendjen e pavarësisë së medias ra nga 3.75 në 3.50.
“Ka pasur edhe një përkeqësim në dimensionin e lirisë së medias, e cila për të disatin vit ka shënuar disa zhvillime shumë negative, por mesa duket vitin që shkoi, këto zhvillime u ndikuan edhe nga pandemia, edhe nga kufizime të tjera, por edhe nga hyrja në fuqi pjesërisht e paketës antishpifje, njëri prej dy ligjeve i cili hyri në fuqi, pavarësisht se nuk është materializuar konkretisht”, thotë zoti Vurmo, duke shtuar se ka pasur raste që gazetarët janë proceduar edhe penalisht, mbi baza të përhapjes së panikut.
“Ambienti i medias shqiptare, i cili ka qenë prej kohësh i dobësuar nga kontrolli oligarkik ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është prekur gjithashtu nga përdorimi i shtuar i proceseve gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut”, thuhet në raport.
Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75, i njëjti nivel si një vit më parë.
Raporti vë në dukje situatën e acaruar politike,korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë si probleme të vazhdueshme.
Por aty vlerësohen edhe hapat drejt reformës në drejtësi, megjithëse thuhet se ishin të ngadalta.
“Ne kemi evidentuar edhe zhvillime mjaft pozitive si ngritja e strukturave të reja të drejtësisë, apo edhe zhvillime të tjera në kuadër të disa dimensioneve, siç është edhe dimensioni i qeverisjes kombëtare”, thotë zoti Vurmo.
Raporti në kontekstin e kristalizimit të rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri
Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe për një mandat tjetër.
“Shumica aktuale ka bërë histori në këtë kuptim, ka marrë një mandat të tretë, madje ka marrë të dytin mandat radhazi, që nuk ka ndodhur më parë në historinë pluraliste të Shqipërisë, si parti e vetme”, thotë zoti Vurmo.
Vlerësimi për ecurinë e tyre do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House. Zoti Vurmo sheh si sfidë prirjet e përvijuaja qartë të forcimit të autoritarizmit që kërcënojnë haptazi dhe shumë seriozisht demokracinë shqiptare, institucionet dhe proceset demokratike dhe vetë shoqërinë shqiptare.
“Unë do të bëja thirrje për të gjithë aktorët politikë, por jo vetëm politikë, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare që ta lexojnë me vëmendje këtë raport, pasi është vërtet një kambanë alarmi për rreziqet që paraqesin disa zhvillime në disa fusha të raportit, për demokracinë në Shqipëri, po aq sa edhe për ofertën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe procese të tjera reformuese”, thotë ai.
Është një moment, thotë zoti Vurmo, që Shqipëria mund ta shfrytëzojë në maksimum.
“Që të futet në një cikël normal të sistemit politik, ku bashkëqeveriset në një fare mënyrë, në kuptimin që edhe opozita është pjesë shumë e rëndësishme e qeverisjes, pavarësisht se është maxhoranca ajo që drejton ekzekutivin. Por nga ana tjetër qeverisja në parlament parasheh edhe një rol thelbësor të opozitës parlamentare, po ashtu siç parasheh edhe një rol të theksuar të institucioneve të pavarura, të institucioneve që bëjnë kontrollin (oversight) të pushteteve të tjera”, thotë ai.
Rënie në Kosovë, rritje në Maqedoninë e Veriut
Kosova është po ashtu në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Këtë vit ajo shënoi rënie nga 3.18 në 3:14, në ndryshim nga një vit më herët kur ajo kishte pasur ngritje. Ulja është bërë në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.75 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 2.50.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, 2.50 dhe 2.25 respektivisht, të pandryshuara nga një vit më herët.
Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet me përparimin më të madh demokratik në vitin 2020.
“Qeveria e majtë e Kryeministrit Zoran Zaev ka riparuar disa nga dëmet institucionale të shkaktuara nga paraardhësi i tij i djathtë populist dhe ka ende një shans për të vënë në jetë aspektet pozitive të demokracisë”, thuhet në raport.
Duke folur më në përgjithësi për rajonin, në raport thuhet se një histori suksesi është veçanërisht e nevojshme në Ballkan, ku përparimet demokratike janë zmbrapsur në shumicën e vendeve.
“Megjithëse ndodhën transferime të rëndësishme të pushtetit në Malin e Zi në 2020 dhe Kosovë në 2021, është ende e paqartë nëse ato do të çojnë në një përmirësim të institucioneve demokratike. Dhe pa një transformim të tillë institucional, çdo ndryshim politik është jashtëzakonisht vështirë të mbetet i qëndrueshëm”, thuhet në raport.
Kthesa antidemokratike
Në zonën me 29 vende të Euroazisë dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore që mbulon raporti Vendet në Tranzicion, numri i demokracive është më i ulëti që kur doli raporti për herë të parë në vitin 1995.
Në raport vihet theksi tek shenjat e thellimit të autokratizimit në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat ndihmuan në udhëheqjen e tranzicionit më të gjerë drejt demokracisë në vitet 1990.
“Këto nuk janë anomali, por pjesë e një ndryshimi sistematik drejt autoritarizmit në Evropë dhe Euroazi që mund të ketë pasoja globale. Udhëheqësit antidemokratë po mësojnë nga njëri-tjetri se si të konsolidojnë pushtetin dhe të shtypin kundërshtimin politik duke shmangur ndëshkimet nga institucionet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Forca e përgjithshme e demokracisë në rajon ka rënë për 17 vjet rresht, sipas “Vendeve në Tranzicion”.
“Drejtuesit që janë kthyer drejt formave antidemokratike të qeverisjes ndjekin strategji të ngjashme: Kryeministri Viktor Orbán në Hungari nisi një model për shtypjen e mediave të pavarura që është përhapur që në Poloni dhe Serbi, partitë në pushtet të Hungarisë dhe Polonisë po përshkallëzojnë sulmet ndaj komunitetit LGBT + dhe grupeve të pakicave etnike dhe fetare, dhe të gjithë po përpiqen të dobësojnë sundimin e ligjit përmes sulmeve ndaj pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në raport.
Polonia dhe Hungaria dallohen për përkeqësimin e tyre të pashembullt demokratik gjatë dekadës së fundit, por shumica e vendeve në raportjanë aktualisht më keq sesa ishin 10 vjet më parë.
“Përhapja e autokracisë në Evropë dhe Euroazi ka pasoja të thella mëdha, jo vetëm për rajonin, por edhe për botën,” thotë Michael J. Abramowitz, president i Freedom House.
“Liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike po distancohen nga demokracia dhe po krijojnë realitetet e tyre të deformuara për të konsoliduar dhe mbajtur pushtetin. Përmes sukseseve të tyre të deritanishme, këto regjime antidemokratike janë duke dhënë paraqitur një shembull dhe duke nxitur rritjen e autoritarizmit në vendet fqinje. Nëse nuk kontrollohen, ata kanë potencialin të minojnë demokracinë dhe për të legjitimuar abuzimin me pushtetin në Evropë dhe më gjerë”, thotë ai.
Në Rusi dhe Bjellorusi, të cilat raporti i kategorizon si regjime të konsoliduara autoritare, shtypja u intensifikua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Goditja e dhunshme e protestuesve të prodemokracisë në Bjellorusi, përpjekja e Kremlinit për vrasjen e aktivistit Aleksey Navalny dhe shfaqja e fundit e forcës ushtarake ruse përgjatë kufijve të Ukrainës tregojnë se deri ku janë të gatshme të shkojnë këto regjime, për të qëndruar në pushtet.
Zselyke Csaky, drejtoreshë e kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë në Freedom House thotë se autoritarizmi nuk është një problem thjesht kombëtar, por mund të përhapet për të infektuar rajone të tëra dhe madje kontinente.
“Demokracitë evropiane dhe grupet e shoqërisë civile duhet të koordinohen në mbështetje të lëvizjeve prodemokraci në vendet ku autoritarizmi po fiton terren. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda, por për t’u dhënë këtyre përpjekjeve një shans dhe për të ndaluar valën antidemokratike, demokracitë evropiane dhe partnerët e tyre duhet të japin shembullin dhe ta lënë pas gënjeshtrën se autokracia është një alternativë e pranueshme për demokracinë”, thotë ajo.
Menaxhimi i pritshmërive për zgjedhje transformuese
Në raportin e saj, organizata Freedom House thotë se gjatë “recesionit” aktual të demokracisë në të gjithë botën, shumica e sistemeve demokratike nuk janë shndërruar sa hap e mbyll sytë në regjime autoritare.
Autorët e raportit, duke iu referuar studiuesit të demokracisë, Thomas Carothers flasin për një “zonë gri” e statusit të vendeve hibride.
“Disa vende – të tilla si Kosova, Moldavia ose Ukraina – kanë mbetur në zonën gri për vite me radhë, por të tjerët – veçanërisht Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia – janë riklasifikuar vetëm kohët e fundit si regjime hibride dhe të tjera po shkojnë drejt këtij statusi”.
Në raport thuhet se një tipar karakterizues i regjimeve hibride është se udhëheqësit e tyre vazhdojnë të lejojnë zgjedhje në një farë mase konkurruese.
“Garat nuk janë domosdoshmërisht të lira ose të drejta, por as nuk janë tërësisht mashtrime, siç ndodh në regjimet autoritare. Si pasojë, regjimet hibride mund të kthehen drejt demokracisë përmes kutisë së votimit nëse një numër i mjaftueshëm votuesish janë të gatshëm të mbështesin udhëheqjen e re.
Megjithatë, thuhet në raport, siç ka paralajmëruar politologu Larry Diamond, “ndërsa një fitore e opozitës nuk është e pamundur” në zonën gri, “kjo kërkon një nivel të mobilizimit të opozitës, unitet, aftësi dhe heroizëm përtej asaj që normalisht do të ishte e mjaftueshme për fitoren në një demokraci.
“Vendet në Tranzicion” thotë se në nivele të ndryshme “këto tipare mund të shihen në zgjedhjet e fundit në Kosovë (2019 dhe 2021), Malin eZi (2020) dhe Moldovë (2020), si edhe në komunat e Banja Lukës dhe Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë (2020).
Sipas raportit, në të gjithë këto regjime hibride, opozita politike i tejkaloi pritshmëritë duke larguar pushtetarët.