Albspirit

Media/News/Publishing

Hynë në zgjedhje si luanë, ikën si lepuj/Topalli largohet nga kreu i LN, pritet largimi i kryetarëve të çetave të partive të tjera

Jozefina Topalli largohet nga drejtimi i partisë Lëvizja për Ndryshim që krijoi pak kohë para zgjedhjeve të 25 prillit. Lajmin e jep vet Topalli në një postim në “Facebook” ku falënderon stafin, kandidatët dhe ata që besuan. “Lëvizja për Ndryshim nuk ia doli për t’u bërë faktor në këto zgjedhje. Por unë dëshiroj të falënderoj stafin, secilin prej kandidatëve që sfiduan klasën politike aktuale; të falënderoj të gjithë ata që besuan. Duke u larguar nga drejtimi i kësaj Lëvizje uroj që njerëz patriotë dhe të pakorruptuar të vazhdojnë lëvizjen për reformimin e së djathtës shqiptare”, shkruan Topalli. Partia Lëvizja për Ndryshim nuk arriti të kalonte pragun në zgjedhjet parlamentare, duke marrë 7049 vota, ose 0.45% në rang vendi. Pritet largimi kryetarëve të tjerë që kanë ca parti-çeta. Zgjedhjet provuan edhe një herë se si janë pretendimet para fushatës dhe çfarë ndodh realisht pas betejës zgjedhore.

Krerët e partive të vogla që vendosën të dalin më vete si kandidatë në këto zgjedhje kanë rezultuar një zhgënjim sa i përket votave që kanë arritur të sigurojnë. Jozefina Topalli e cila kandidonte e para në listat e partisë së saj në Shkodër ka arritur të marrë vetëm 598 vota.

Ndërkohë kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka siguruar 671 vota në qarkun e Tiranës ku renditej i pari në listat e partisë së tij.

Një numër të vogël votash ka marrë edhe kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare Myslim Murri i cili siguroi 549 vota në Fier, ku synonte një mandat në zonën e Lushnjes. Zhgënjim ka rezultuar edhe Rudina Hajdari e cila u fut në listat e Nismës Thurje në Elbasan, ku maksimumi i saj nuk i kaloi 517 vota.

Kandidati më i votuar në listat e kësaj partie është Panajot Sako që ka marrë 1268 vota në Tiranë, ndjekur nga Endrit Shabani me 617 vota.

Please follow and like us: