Albspirit

Media/News/Publishing

Ornaldo Rakipi mund kryesinë e PS dhe merr vota më shumë se 4 parti të vogla

Numërimi i votave në Tiranë ka nxjerrë surpriza për listën e kandidatëve të Partisë Socialiste. Ornaldo Rakipi, një emër pak i njohur për PS ka marrë më shumë vota se anëtarët e kryesisë së PS në Tiranë dhe se kryetarët e kësaj partie në Tiranë.
Teksa kanë mbetur dhe pak vota për t’u numëruar, Ornaldo Rakipi u rendit i 30 në listë, në një pozicion humbës. Ai ka marrë 13228 vota nominale, gjë që e çon automatikisht deputet në Kuvendin e ri.
Rakipi ka marrë më shumë vota sesa krerët e PS në Tiranë, Ervin Bushati dhe Elisa Spiropali. Bushati ka marrë 1916 vota, ndërsa Spiropali 7367.
Rakipi ka mundur dhe Sekretarin Organizativ të PS, Arben Pëllumbi, i cili drejton gjithë strukturën e kësaj partie. Pëllumbi ka marrë vetëm 3235 vota.

Deklarata e plotë e Ornaldo Rakipit

Miqtë e mi, një falenderim nga zemra për të gjithë ju, që besuat tek unë, që besuat tek ne!

Si fillim, dua të falenderoj Kryeministrin e vendit dhe Kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama, për besimin që investoi tek unë, duke më bërë pjesë të skuadrës fituese, edhe pse me moshën më të re ndër kandidatët.

Dua gjithashtu të falenderoj, mbështetësit e mi të cilët me besimin e përkrahjen që më dhanë nuk më lanë asnjë mundësi tjetër përveçëse të merrnim fitoren.

 Ky rezultat, padyshim nuk do ishte i mundur pa mbështetjen e stafit tim të palodhur, të cilët shpejt u kthyen në familjen time të dytë, të miqve të mi, me të cilët kemi ndarë shumë rrugëtime por asnjë si ky, të familjes sime të madhe që besoi pareshtur tek unë e më dha forcë e kurajo të pamatë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Sot, është një ditë kur nuk festojmë numrat por festojmë besimin, festojmë vëllazërinë tonë, festojmë ëndërrat, festojmë kontributin tonë për të ardhmen e një Shqipërie që do të ecë krah për krah me zhvillimin, festojmë vizionin, festojmë dëshirën për punë dhe faktin që Shqipëria ka kaq shumë njerëz që e duan vendin e tyre mbi çdo interes personal.

Premtoj asgjë tjetër përveçëse maksimumit të përpjekjeve të mia për të bërë më të mirën për ju e Shqipërinë ku kemi zgjedhur të jetojmë!

Kjo nuk është fitorja ime, kjo është fitorja jonë!

Sot, fjala “Faleminderit” çuditërisht po më duket sikur nuk mjafton për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjith jush!

Please follow and like us: