Albspirit

Media/News/Publishing

Pordhë diplomatike në Republikën e Bananeve

 

 

Eden Babani

 

Republika e Bananeve kishte vite që përjetonte me ankth periudhën pafund të tranzicionit nga shtet totalitar, në demokratik. Vendet, të cilat patën kontribuar për shembjen e totalitarizmit, patën marrë përsipër edhe menaxhimin e rendit të ri demokratik, por dritë në fund të tunelit s’dukej që s’dukej.

Secili syresh pati dërguar në Republikë një shpurë, ashtu të quajtur korpus diplomatik, me lloj-lloj përfaqësuesish. Duzinat e ambasadorëve, të sekretarëve, të këshilltarëve, të konsujve etj. ndërroheshin herë pas here, në vartësi të zhvillimeve politike ose ekonomike.

Megjithatë, e njëjta situatë. Sillu-sillu rrumbullak…

Përveç reformave politike, administrative, atyre në drejtësi e të tjera, e të tjera, korpusi diplomatik ishte investuar edhe në prodhimin vendas, luhatjet, tendencat në rritje a në zbritje të njërit a të tjetrit prodhim. Në anën tjetër, biznese të fuqishme vendase ose kompani multinacionale vëzhgonin përmes syzeve të korpusit lëvizjen e tregjeve, të bursave, si edhe mundësinë për investime të mundshme.

Zaten, ato e vërtitnin si fugë jo vetëm Republikën e Bananeve dhe krerët e saj, por edhe vetë korpusin diplomatik të akredituar atje.

– Prodhimi i bananeve po se po, – ngulnin këmbë diplomatët e huaj gati-gati në kor, sa herë u jepej rasti. – Por klima e këtushme është tepër e favorshme edhe për kultivimin e fiqve, edhe të kastravecëve, edhe të…, edhe të…

Banane apo kastravecë, kastravecë apo fiq, çdo ambasador jepte pazarin e vet. Gazeta e televizione, rrjete sociale në internet, portale onlin-e, facebook-ë ose twirter-ë nga më të ndryshmit ndiqnin veshngritur debatin, kur papritmas filloi të përmendej paksa me droje, me zë e nën zë, kultivimi i një kulture ku e ku më fitimprurëse se të parat, kultura e kanabisit, çka donte më thënë drogë.

Ç’ është e vërteta, korpusi diplomatik nuk binte kurrsesi dakord me kultivuesit që punonin herë fshehtazi, herë nën mbikëqyrjen e ndonjë shtetari të lartë ose të ndonjë shefi policie të lidhur drejtpërdrejt me krerët e Republikës. Madje ata, domethënë të akredituarit, bënin thirrje pareshtur që fenomeni i rrezikshëm të frenohej një sahat e më parë. Ama dashka-padashka çoku e mbyllnin njërin sy. Sepse, helbete…

 

* * *

Një ditë prej ditësh, ndodhi një e papritur. Askush nuk e kishte parashikuar, sepse e papritura ia beh pa të lajmëruar. Mirëpo, e pangjara dhe e padëgjuara atëbotë, qëlloi si cunam. E shpërnguli vëmendjen e opinionit të Republikës nga bananet, fiqtë, kastravecët dhe kanabisi, te një pordhë.

E pabesueshme…

Pordha më me peshë sesa tonelatat e bananeve, të fiqve, të kastravecëve e të kanabisit? A mund ta katapultonte një pordhë Republikën e Bananeve si me magji nga tranzicioni i tejzgjatur, drejt e në demokraci të kulluar?!…

Por ja që hë!… Bash andej nga s’e mendon, mund të vijë gjithçka.

Atë ditë, një diplomat i një vendi të cilësuar në opinionin vendas si partner strategjik, jepte një konferencë për shtyp. Në të vërtetë, nuk dihet në ishte ambasador apo ambasadoreshë.

Ca thonë ashtu, ca kështu. Por, nejse.

Të gjitha mediat e Republikës së Bananeve u mblodhën atje, rreth e qark diplomatit ose diplomates. Mikrofonat sa s’po i hante si mollë a si dardhë zonja ambasadoreshë ose zoti ambasador, kur papritur u ndje një pordhë.

Me qëllim apo pa qëllim, kjo pritet të saktësohet në vitet që vijnë. Ama mikrofonat bënë të lëviznin drejt vendit ku ia behu pordha. Veç prania e diplomacisë në mes i frenoi mbajtësit e mikrofonave, sado që pordha ishte diplomatike.

Dhe ja, nga halli a nga qejfi, mediat e të gjitha llojeve filluan të merren me pordhën.

Një palë thoshin se pordha ishte paksa e zgjatur dhe në tendencë ngritjeje në tonalitet. Ca të tjerë, thoshin të kundërtën. Pordha ishte në tendencë zbritjeje. Ca e vendosnin muzikalitetin e pordhës në sol-minor. Ca e zhvendosnin nga sol-minor, në do-mazhor.

Njëri syresh, që u ndodh më pranë zotit ambasador a të zonjës ambasadoreshë, domethënë mu pas shpine, u shfaq në një ekran të rëndësishëm televizori.

– Si e vlerësoni pordhën? – e pyeti kolegia gazetare.

– Ca politike, ca diplomatike, por edhe…

– Ndonjë hollësi për teleshikuesin tonë të nderuar…

– Kundërmuese, – ia preu tjetri. – Ndonëse edhe politike, edhe diplomatike, ishte aq kundërmuese sa s’ tregohet. Them se në darkë, pordhaci a pordhacja, nuk më kujtohet mirë në ishte mashkull apo femër, duhet të kishte ngrënë fasule…

Pordha diplomatike, qëlloi fatlume. Që të nesërmen e asaj dite, Republika e Bananeve tërhoqi vëmendjen e tregjeve të etura për fasule. I hapi rrugë edhe fushatës për zgjedhjet e atij viti…

 

Please follow and like us: