Rexhep Shahu: Kampioni im, deputeti Flamur Hoxha!
Deputeti me rreth 10 mijë vota, Flamur Hoxha, kampioni im, ndër deputetët me më shumë vota demokratësh në Shqipëri, na bën krenar të gjithëve dhe na përfaqëson gjithë kuksianëve kudo ku janë, me dinjitet.
Me 9159 vota që shumëkush nuk i sheh as në ëndërr, ai buzëqesh lehtë, nuk shet mend, nuk mburret, nuk të nxjerr sytë, nuk di të thotë unë, unë, unë… është i heshtur, i thjeshtë, i butë, i paqtë, me zë të ultë, melodioz, të ngrohtë, që skuqet kur flet me tjetrin, që druhet mos lëndon kënd kur flet, që të sheh në sy, që i buzëqesh tjetrit e ofron miqësi e mirësi me sy, me pasuri që nuk ia ka lakmi askujt, pasuri e vënë pa shtet, pa tendera, pa para publike, por me majë gjilpëre në prodhim veshjesh për treg botëror, antikomunist – antikomunist real me gjysh të pushkatuar jo para 100 vitesh apo kur ka hyrë komunizmi, por në 1975 kur ka qenë 6 vjeç dhe shëtisnin bashkë me gjyshin, i rritur në internim deri kur ka ardhë demokracia, pinjoll i një familje dinasti për Kukësin e jo antikomunist – komunist, të tipit komuniste, kocixoxistë të dënuar nga partia e që pastaj vetquhen antikomunistë, siç është shumica e të vetquajturve antikomunistë që Enverin e donin dhe nuk e fajësonin dhe në gjyqe deklaronin se ia linin amanet fëmijët partisë e Enverit… që nga burgjet i shkruanin letra ndjese e ndihmë Enverit dhe i uronin jetë të gjatë dhe nga birucat dolën më enveristë se sa ishin kur hynë në burgje.
Flamur Hoxha, kampioni im deputet që provoi linçimet, përbuzjet, por dhe mirësinë njerëzore, që provoi emigracionin dhe e konsideroi shkollë jete jo thjeshtë për të fituar lekë po për të mësuar se si fitohet me punë, me më shumë vota, me rreth 10 mijë vota demokratësh të Kukësit, të Kukësit të Havzi Nelës e të Muharrem Bajraktarit, antikomunistit të fundit real shqiptar që ka marrë frymë në Shqipëri deri në gusht 1946 kur ishin eleminuar apo zhdukur antikomunistët e tjerë gjithkund në Shqipëri, është shkollë suksesi që duhet përkrahur, njohur se për modele të tilla ka nevojë shoqëria e demokracia jonë.
Kampioni im deputet nuk na u shpif në fushatë nëpër ekrane televizive në lajme e emisione duke u bërë neveri me thirrjet votomëni mua, votoni numrin tim. Jo!
Edhe pse kontributor i ndjeshëm në Partinë Demokratike që në themelimin e saj, nuk ia nguli kurrë thonjtë ta shqyente atë, nuk i nguli kurrë thikë në shpinë PD pse nuk e gradoi sepse Flamuri është demokrat rrace nuk është tregtar postesh e karrigesh, është fisnik dhe si i tillë shkëlqeu në zgjedhjet e kaluara në Kamzë ku mori vota më shumë se çdo kandidat tjetër, shkëlqeu në organizim strukturash partiake në Tiranë, Lezhë, Mirditë, Kurbin etj.
Flamur Hoxha nuk është me ato demokratë që emëron, nxit apo përkrah qeveria, që i krijon e shpik qeveria për agresion ndaj ashtit të PD. Flamur Hoxha është ashti i PD, nuk është me nëpunësit e matrapazët që shqyejnë të përndjekurit politikë.
Flamur Hoxha i takoi njerëzit, sy me sy, foli me njerëzit, i dëgjoi, i nderoi, nuk i mësoi, nuk i këshillonte, në çdo takim bënte thirrje votoni Partinë Demokratike, votoni numrin 9. Nuk thërriste rrugëve e ekraneve më votoni mua, votoni numrin 1. Ai në Tropojë thoshte votoni PD dhe Isuf Çelën, në Has votoni PD dhe kandidaten e Hasit, Shyrete Koka të PD.
Ai bashkëbisedoi njerëzisht me zemër e me shpirt me kuksianët, hasjanët, tropojanët, bisedoi sy për sy, me të madh e të vogël sepse ai e ka thjeshtësinë e madhështinë të dijë të jetë njerëzor me të gjithë. Sjellja e fjala e tij nuk linte askund vend për hipokrizi, dyshim, shtirje dhe kështu ua fitoi besimin e votën njerëzve.
Me 10 mijë vota kuksianësh ai është kampion, me votat e atyre njerëzve kampionë, që demokracinë e kanë besë, e kanë natyrë, vlerë, dinjitet, me votat e atyre njerëzve që historia e Shqipërisë i ka vënë në prova të rënda më shumë se të tjerët e ata kanë hyrë gjithmonë krenarë e me dinjitet në histori, të atyre njerëzve që para pak vitesh bënë protestën model te kufiri i ri i shqiptarëve në Kalimash, që kryeministri i tronditur nuk merrte dot frymë në mikrofon as një ditë pas, të atyre njerëzve që në histori njihen për mikpritjen e ndritshme të viteve të krizës e luftës për Kosovën, të atyre njerëzve që ngritën digën e qëndresës në Lumën Termopile shqiptare në nëntor 1912 dhe ia mundësuan Ismail Qemalit ta ngrinte flamurin me ndihmën e pushkës austriake, të atyre njerëzve që provuan në nëntor 1913 si askund në hapësirat shqiptare masakrat serbe, holokaustin e parë në historinë e Europës, ku brenda pak orëve u masakruan mbi 2400 kuksianë dhe sot tek deshmitari pranë Memorialit të Kujtesës ngritur me gurë pllanga gjaku në Kukës si një gur varri për 2400 viktimat që na i ka vra Serbia, e kanë heqë dëshminë në anglisht e në shqip të Dimitrije Tuceviqit se sot turpërohet Serbia e ndoshta dikush ia ka bërë qejfin Serbisë dhe e kanë heqë për turpin tonë dëshminë ‘Masakrimi në Lumë’… dhe autoritetet zyrtare heshtin…
Të kishte dikush votat e Flamur Hoxhës do të ishte duke na dalë nga ekranet e televizioneve dhe të na ulej në divanet e shtëpive tona, ishte duke na dalë nga ekranet e celularëve e të na përplasej në fytyrë. Por jo, kjo nuk ndodh me Flamur Hoxhën i cili duhet nderuar e falenderuar edhe në ekrane televizionesh për thjeshtësinë, fisnikërinë, qetësinë, maturinë dhe elegancën.
Faleminderit, kampioni im!
Faleminderit kuksianë që votuat këtë vlerë përfaqësimi!