Albspirit

Media/News/Publishing

FLAMUR HOXHA: NE JEMI BREZI QË S’DUHET TË JETOJMË DY HERË DIKTATURËN

Miq demokratë, ju që më besuat votën dhe të gjithë ju që më njihni. Masakra zgjedhore e shtetit të rilindjes që zotëron gjithë pushtetet, grabiti shumicën e mandateve të zgjedhjeve të fundit dhe do ta konsolidojë diktaturën. Duken terma të rëndë, por merrni frymë shumë herë dhe meditoni në heshtje. Krahas masakrës zgjedhore qeveria po sponsorizon edhe shpartallimin e institucionit të Partisë Demokratike që sot është shtëpia e vetme ku gjejnë strehë e ngushëllim, besim e shpresë demokratët. Partia Demokratike nuk është Lulzim Basha, ajo është puna dhe kontributi i demokratëve që e duan pa kushte atë parti, që luftojnë të paepur kundër instalimit të çdo formë diktature, që kanë energji të pashterrshme dhe besim te pushteti i moralit, pushtet i cili fiton mbi çdo diktaturë e tirani.

Partia Demokratike është shpresa dhe ndryshimi e të gjithëve, është institucion që nuk rrënohet aq lehtë e aq shpejt siç nuk ngrihet as ndërtohet aq shpejt. Unë e dua ndryshimin, luftova gjatë për ndryshimin bashkë me shumë prej jush, siç bëtë shumë prej jush dhe besuam se fitorja është jona. Po, fitorja është e jona. Ne nuk hymë në luftë me armë dhe u mundëm, ne nuk hymë në luftë kush po vjedh më shumë vota e u mundëm, ne nuk hymë në garë mashtrimi se kush po e mashtron më shumë këtë popull dhe u mundëm, ne nuk hymë në garë me ble vota dhe u mundëm.

Jo miq, ne hymë në një fushatë të ndershme dhe na e vodhën fitoren. Përdoren shtetin për të blerë e grabitë votat e shumë njerzve, përdorën mekanizmat e sistemit për të grabitë mandate. Ne luajtëm demokracinë, ata luajtën krimin, ata ndërruan rregullat e lojës në mes të lojës, ne u besuam garantëve ndërkombëtare. Nuk bëmë krim pse u besuam miqve tanë ndërkombëtarë. Shqiptarët në tete vite mbetën pa shpresa, pa drejtesi, pa shëndetësi, pa punë, pa ekonomi, të vjedhur në cdo cep të Shqipërisë me të vetmen “sukses” apo liri të sigurtë për të emigruar ilegalisht larg e më larg cdo ditë nga atdheu siç bënë më shumë se gjysmë milion shqiptarë. Nuk mbulohet dielli me shoshë thotë populli.

Tetë vitet e qeverisë Rama ishin regres për vendin, nuk ishin sukses për tu shpërblyer me vota shtesë. Çdo ditë që kalon rritet deshpërimi i shqiptarëve që votuan ndryshimin dhe shohin se nga kutitë e votimit nxjerrin mandatin e tretë për qeverinë grabitëse të votave, për qeverinë që na largoi nga Evropa, për qeverinë që ka larguar e shpopulluar më shumë njerëz nga atdheu sa mund të largonte një luftë me armë. Dhe çudia akoma ndodh në shfaqjet teatrale të Ali Babës me 40 hajdutë kur çdo shqiptar tashmë e di mire se si u morën ato vota plus nga qeveria. U morën me të njëjtën mënyrë si dikur me luftën e klasave, sot me dhunimin, presionin dhe përdorjen e administratës si dekor elektoral e vota me kushte ose te largojnë nga puna nëse nuk i jep votën dhe kartën e identitetit, me asfalte elektorale, me vendosje shtyllash elektrike pa tela, bonuse tërmeti pa demtime e me inagurim aeroporti ku as sorrat sot nuk fluturojnë, me fuksa elektorale si ato 80 lekshat e dikurshëm, ku prokuroria, policia e drejtesia dinë cdo gjë por sy e veshë nuk kanë, ku me paratë e hajnave politikë u ble vota nga skamja e mjerimi, ku bandat dhe krimi janë të lirshëm e bashkë me ta kudo, ku bizneset e PPP e koncesioneve masakruan punonjësit nese nuk votonin vijimin e mandatit te vjedhjes se pasurive tona.

Të flasësh sot për zgjedhjet nga baret dhe studiot televizive është shfaqje komike për karrierë parazitësh. E kam jetuar këtë fushatë elektorale në çdo orë takimesh dhe e peshoj mirë përgjegjësinë që kam për çfarë realisht konstatova, çfarë shkruaj dhe them kur më pyesin. E di mirë përgjigjen në studiot me politikanë pa moral e analistë servilë “çoje në prokurori”. Duhet të jesh jo normal të mos pranosh realitetin e këtyre zgjedhjeve farsë ose je defacto pjesë e këtij sistemi që ka vite që vjedh votën, uzurpon lirinë, largon shqiptarët. Duhet të luftojmë bashkarisht, të bëhemi të gjithë bashkë, ta instalojmë pushtetin e moralit që fiton mbi gjitha pushtetet e diktaturat.

Ne jemi brezi që duhet të mos përjetojmë dy herë diktaturën, të mos e pranojmë, të luftojmë për lirinë e dinjitetin njerzor e kombëtar me të gjitha mënyrat e mjetet demokratike, duke thirrë të bashkojmë radhët me gjithë intelektualët, militantët, botën akademike, njerzit e ndershëm, pasi besoj se nuk ka njeri të ndershëm në këtë vend që dëshiron që një parti politike të keqqeverisë tre mandate, apo gati një brez njerzor. Unë besoj se shoqëria jonë nuk do të nënshtrohet kurrë. Unë do të luftoj me ju

Please follow and like us: