Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta Shaqiraj, intervistë ekskluzive me shkrimtarin Rifat Ismaili

Teuta Shaqiraj
Muaj më parë pata të ftuar në emisionin “Dritare poetike” në radion projekt 21, shkrimtarin, poetin dhe eseistin e çmuar zotin Rifat Ismaili. Bëmë atëherë një udhëtim të bukur poetik duke shoqëruar programin me pjesë nga esetë shumë të bukura të tij, ese me një larmishmeri temash e percjellje filozofike e jetësore shumë të spikatur. Qe një eksperiencë shumë e veçantë dhe e bukur për mua me interpretimin e lirikave të tij. Shumica prej jush e njeh zotin Rifat Ismaili dhe me kërkesën time e miresjelljen e tij po ju përcjellim këtë intervistë të shkurtër.
Kur nisët të shkruani, na flisni për frymëzimet tuaja të para. A ia vlejti mundimi?
Rifat Ismaili: Kam filluar të shkruaj që në fëmijëri. Përveç dëshirave prej çunaku, të lexuarit dhe të shkruarit u bënë shpejt pjesë e pandashme e jetës sime. Lindur dhe rritur në Shijak, nuk me munguan dhe njohjet me mjaft krijues, që u bënë shtytje per të vazhduar krijimtarine. Por të krijosh është nje proces individual dhe pa u ndalur asnjë çast dhe duke kërkuar shumë nga vetja, jam hedhur në krahët e krijimit dhe kam marrë shumë prej tij. E kam ndërtuar banesën e krijimtarisë sime, pak e nga pak, apo tullë pas tulle siç bën një murator dhe tani pas shumë vitesh ndjehem i kënaqur për sa kam bërë. A ia vlejti mundimi? Ndoshta ishte poezia ajo që u mundua të më bënte mua një njeri ndryshe.
Unë u rrita në këtë qytet, shkroi Pablo Neruda. Poezia ime lindi midis kodrës dhe lumit, ajo mori zërin e saj nga shiu dhe si pemë u rrit në pyje. Duke pasur një përqasje me qytetin ku je lindur, Shijak, të cilin e njoh fare mirë, c’vulë, a ç’gjurmë ka lënë ky qytet i vogël buzë Erzenit me ngjyrat e zërat e tij në krijimtarinë tende?
Rifat Ismaili: Më kujtuat njërin prej poetëve që çmoj më shumë, Pablo Neruden, që me poezinë e tij mahniti gjithë botën, por edhe një postier të thjeshtë, kur ai shkoi në mërgim në viset e Italisë për t’u mbrojtur prej regjimit diktatorial. Ky postier i shpinte letrat në shtëpi poetit të madh dhe mes tyre lindi një miqësi e thellë që do mbetej e pashlyeshme. E rrëfen mrekullisht shkrimtari Antoni Skarmeta në romanin e tij “Postieri i Nerudës”, por dhe unë si përkthyes i romanit në shqip dhe botuar nga “Ideart” në 2002, u përpoqa të jap maksimumin dhe kur e kam rilexuar pas disa vitesh jam ndjerë mirë.
Ashtu sikurse thotë Neruda për veten e tij, edhe jeta ime u plazmua mes një kodre dhe një lumi, në qytetin e vogël por të dashur të Shijakut dhe atje mes rendjeve të para çamarroke kam thithur ajrin dehës të poezise, kësaj ndjenje që poetët i bashkon me perënditë, sepse kanë brenda qenësisë së tyre thesarin e çmuar të krijimit. Zoti krijoi gjithçka mbi tokë dhe në qiell, ashtu dhe poeti krijon, ndjen, plazmon, parashikon fatet njerëzore.
Njeriu nuk mund të ketë dy vendlindje, kam thënë diku. Dhe ashtu është. Asnjë qytet në botë, pavarësisht se kam jetur shumë vjet në Firence, Savona, por dhe dy vite në Berat, kur isha ushtar, nuk mund t’i zëvendësojë aromat e qytetit tim dhe të shtëpisë, të asaj foleje që ia kam ndjerë me aq forcë mallin kur mungoja për një kohë të gjatë. Më kujtohen gërshetat e gjatë të gjyshes sime, me tumanet e saj prej çameje të vjetër, gjyshi i ulur gjithnjë në qoshen e tij pranë oxhakut tek ia merrte shtruar këngëve çame, qershia e kuqe në oborr, era e gjalpit dhe e djathit që gjyshja ime përgatiste vetë me ato enët e vjetra dhe i vendoste nëpër qypa, me nga një gur të rëndë përsipër, byreqet me spinaq dhe lakror, duhma ndjellëse e duhanit që thahej varur brenda çatisê. Më kujtohen mijera episode të vogla të fëmijërisë që lidhen me shtëpinë time dhe Shijakun, por do të më duhej të shkruaja një roman për t’i përshkruar të gjitha. Kjo lëndë e gjallë e mpiksur në kujtesë, normalisht është si një llavë që kthehet në poezi dhe art sa herë ulesh dhe shkruan.  Nuk janë të pakta poezitë qe kam shkruar për vendlindjen, por edhe nëpër prozat e mia të vogla, shpesh ka qenë primar dhe pjesë e pandashme . Mund të përmend tregimin “Unë dhe babai”, “Aferdita, vajza e qytetit tim”, ” Kthimi në shtëpi” e sa të tjera. Por edhe poezi si “Lumi i qytetit tim”, “Atje ku unë jam rritur”, “Malli per vendlindjen”, ” Në qytetin tim si jetohet”, e sa e sa krijime të tjera. Por edhe romani “Një vend burrash” ka nga fillimi gjer në fund në qendër të tij Shijakun, por jo vetëm atë aktual e real, por edhe si qytet imagjinar e metaforik, brenda një proze që mendoj se i perafrohet realizmit magjik. Ç’të them më shumë?
Shijaku im i vogël, ku rrjedh një lumë dhe ngrihet një kodër, është sundues dhe dashur padashur mbretëron në krijimtarinë time.
A ka lidhje arti i kuzhinës me artin e të shkruarit? Meqë ju, thoni se atje ku banoni në Itali, fillimisht në Firence e më pas në Savona, për teëjetuar dhe mbajtur familjen keni ushtruar profesionin e kuzhinierit. A ka qenë e vështirë për ju, dhe si ia keni dalë të bëni njëkohësisht edhe letërsinë tuaj?
Rifat Ismaili: Lidhjet e mia me kuzhinën filluan rastësisht. Kur shkova në emigrim dhe nevoja për të punuar, më shtyu drejt restoranteve. Të them të drejtën, nuk kam ditur të gatuaj, por kur je brenda një restoranti, në ambientet e kuzhinës si ndihmës, dalëngadalë, fillon ia merr dorën dhe gjithnjë e më shumë të japësh rezultate.
Kuzhina nuk ka qenë pjesë e ëndrrave dhe pasioneve të mia, por duke punuar më hyri në qejf, madje fillova të lexoj dhe libra me receta gatimi, apo libra që kanë të bëjnë me kuzhinën.
Francezi Brilat Severin, që para dy shekujve , me librin e tij “Fiziologjia e shijes”, e ngriti kuzhinën në lartësinë e artit, dhe na jep jo vetëm receta , por dhe histori e anekdota, që lidhen me gatimin. Është i konsideruar prej njerëzve të letrave, si filozofi i parë i tavolinës së të mirave, sepse ai shkroi me pasion dhe kulturë mjaft gjëra të rëndësishme.
Një tjetër libër me vlerë për mua është dhe ai i shkrimtares së mirënjohur Izabel Alende, që flet për kuzhinën në analogji me dashurinë, e shume episode të tjera intime.
Ndoshta kuzhina nuk hyn tek artet e mirëfillta, si letërsia e të tjerat, prapë ajo përfshihet tek artet minore, sepse përkushtimi, fantazia dhe delikatesa e një pjate të mirë realizuar, ka shumë estetikë, bukuri, dhe art në vetvete.
Në fakt, arti i kuzhinës me artin e të shkruarit nuk kanë ndonjë lidhje direkte, por ama, kanë përngjashmëri në një pikë; ashtu sikurse poezia e ndjerë, edhe një pjatancë e rrafinuar përndjek të bukurën , përsosmërinë, fantazinë.
Dhe të dyja këto arte i shërbejnë njeriut, dhe ia bejnë jetën më të bukur e më të lehtë.
Dalim në konkluzion se duke qenë se kuzhina nuk është art i mirëfilltë, çfarë analogjie mund të ketë , pra ajo, me Poezinë, që është shume dimensionale dhe rrok qiejt e Fantazisë?
Ato i bashkon dashuria për të bukurën, kreativiteti, dêshira për të kënaqur njeriun!
Si ju lindi dëshira për të shkruar esenë “Arti, ushqimi, dashuria”, dhe ese të tjera qe kane lidhje me kuzhinën?
Të ka ardhur ndonjë frymëzim gjatë gatimit si kuzhinier, ndërsa përgatitje ndonjë recete të veçantë duke bërë krahasime me ndodhitë e jetës së përditshme?
Rifat Ismaili: Dëshira për të shkruar një ese që ka lidhje me dashurinë, artin dhe kuzhinën, por edhe ese të tjera me këtë temë, siç e thashë më parë, ka të bëje me punën time, që përveç shkrimtarit, jam i punësuar si kuzhinier , një profesion me të cilin mbaj veten dhe familjen. Në emigrim, punësimi në një ristorant, ishte një mundësi e mirë ekonomike. Dihen vështirësitë dhe kalvaret pas viteve ’90, kështu që, punësimi im si kuzhinier në Firence, na mundësoi një jetë të ndershme, mirëqenie dhe dinjitet. Nuk është se ka shumë libra për kuzhinën në lidhje me artin, ose që të dëshmojë përafëritë e saj me artet e tjera. Ka shumë libra me receta kuzhine, por jo libra që merren në mënyrë artistike me mjeshtërinë e gatimit. Por sic e permenda dhe më parë, Severini, përveç recetave që i ka përshkruar me pasion dhe gjuhë letrare , ka futur atje edhe ndijime personale, thënie e anekdota, përkufizime të ndryshme me vlerë. Izabel Alende pershkruan në mënyrë të magjishme ne librin e saj ” Aferdita”me receta afrodiziake , kujtimet e veta, të nënës dhe të dashurit te saj, darkat që e ema përgatiste me klas nën dritën e qiririt, dhe mjaft episode te tjera te bukura. Edhe italiani, Pelegrino Artuzi, shkrimtar e gastronom i njohur, shkruan nje liber recetash,”Shkenca në kuzhinë dhe arti i të ngrenit mirë”, por me gjuhe letrare dhe te pasur ne aforizma dhe rrefenja. Por edhe të tjere kanë shkruar. Në esenë time, përshkruaj që kënaqësi të tilla si ushqimi, dashuria, arti, nuk njohin moshë, janë në çdo vend dhe komb me ndryshimet dhe ritet e nevojshme, janë gjithnjë forma të përdëllimit njerëzor , sepse askush nuk u mërzitet këtyre gjërave, nuk ka se si.Të çohesh nga një shtrat dashurie apo nga një tavolinë ku ke lënë atje lëvozhgën e një gaforreje të freskët , me ca ofshama në të dyja rastet , nga kënaqësia e provuar, më duket se eshtë e njëjta gjë. Të thithësh një ushqim të shijshëm ka në vetvete një lloj erotike të brendshme që s’mund të shpërfillet, as të hidhet poshtë.  Nuk ka kategori njerëzish qe të mos ketë kontribuar , secili sipas mënyrës së vet , në shpikjen dhe perfeksionimin e  të gatuarit; kush me një pjatë të re, kush me një ëmbëlsirë apo pije, duke nisur që nga shtëpijaket e përjetshme deri tek kalorësit e dikurshëm, priftërinjtë e murgeshat, disa prej të cilave shpikën pijet më në zë apo ëmbëlsirat më afrodiziake.
Poezia me temën e dashurisë zë një vend të rëndësishëm në lirikat tuaja, ato dallohen për një gjetje metaforike  dhe varg elegant ku ndjeshmëria e sharmi përshkon çdo varg. Duke marrë shkas nga një thënie e shkrimtarit dhe kritikut mjaft të njohur italian Cesare Pavese se “të thurësh poezi është sikur të bësh dashuri”, sa është vetvetja Rifat në to?
Rifat Ismaili: A ka ndonje shpirt të mos jetë i ndjeshëm përpara dashurisë? Koncepti i dashurisë është i gjerë dhe i pafund, kemi dashurine ideale, kemi dhe dashurine e etur ndaj trupit, ndaj të bukurës. Kemi dashurine platonike, ku njeriu përjeton ethet e dashurisë, por vetëm në mendimet dhe ëndrrat e tij, pa u materializuar ne nje dashuri të prekshme dhe konkrete. Kemi atraksionin ndaj dikujt qe e shohim, por realizimi i deshirës êshtë i ndrydhur. Në esenë time ” Dashuria në art” shkruar heret dhe botuar në gazetën “Drita”, para shume vitesh, kam trajtuar forma të ndryshme të shfaqjes dhe perndijimit te dashurisë duke i ilustruar me vargjet e disa prej poetëve më të mëdhenj botërorë si Verleni, Bodleri, Miltoni,  gjer tek Lasgushi ynë Pra, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, që poezia ime të mos flladitej nga kjo ndjenje sublime, nga kjo thirrje hyjnore që ngjall guret dhe  ben të flasin dhe muret. Ju perseri permendni nje tjeter poet të dashur për mua Cezare Pavezen, qe pervec poezive shkroi dhe në proze, duke i dhene shume letersise italiane. Per fat të keq jeta e tij ish e shkurter, por ajo qe krijoi nuk vdes kurre. Ndjehem krenar qe kam qene nder te paret, qe ne vitet ’90 diçka kam.perkthyer prej tij dhe e kam botuar ne shqip. Dhe midis te tjerash, edhe poezine ” Do vije vdekja e do ketë sytë e tu’, nje perle e vertete e autorit. Por ripohoj thenien e tij, qe të shkruash eshtë si të besh dashuri, sepse ethet e krijimit jane të ngjashme me ethet e dashurise, kapercejne cdo mur pengese dhe ngurtesi dhe shkrihen në qiejt e lirisë për të të falur çaste të pafundme lumturie.Të shkruaj për dashurine, është për mua si dehje, si të hap dritaren në mëngjes, dhe të thith aromën e luleve të kumbullës, si të kthej me fund nje verë apo nje elizir perendish.Nuk mjaftojne fjalêt, të përshkruash ndjenjen e dashurisë.
Lasgush Poradeci shkroi se “të bësh poezi duhet një energji mjaft e madhe se poezia është personale”. Ku è gjen këtë energji poeti, shkrimtari, eseisti, Rifati baba e bashkëshort, e duke pasur edhe një punësim këtu në Itali?
Rifat Ismaili: Ku e gjen energjinë një poet për të shkruar? Unë mendoj se energjia është brenda vetë poetit, ashtu si ndodhet elektriciteti brenda materies. Mjafton nje shkëndijë dhe shperthen, në këtë rast kemi të bëjmë me shpërthim ndjenjash dhe fjalësh. Kjo lëndë e pashtershme plazmon njeriun- poet dhe e shoqëron gjer në vdekje. Kam shkruar shumë ese mbi këtë temë, për lidhjen e krijuesit me letrën, ku në çdo kohë, përmes germash dhe herioglifesh lëshon pjese të shpirtit të tij, siç lëshojnë bletët nëpër hoje mjaltin. Ju përmendni një thënie lasgushiane, dhe vërtetë, duhet një energji e madhe për të shkruar dhe për të rezistuar në tymnajat e kohës. Por dêshira dhe vullneti, misioni i poezisë që poeti bart në vetvete, janë armë të fuqishme në duart e tij. Poezia është personale dhe ndjimet dhe perceptimet mbi jetën janë të pangjashme me asnjë tjetër. Sa me të forta të jenë ndijimet, sa më të sinqerta ato të jenë dhe sa i sinqertë eshtë poeti me veten dhe botën përreth, aq dhe më të bukura dhe të realizuara do jenë krijimet e tij. Natyrisht, kjo nuk është e gjitha. Përveç ndjeshmërisë duhet dhe studim dhe bashkëveprim me krijues të tjerë. Duhet të dish si t’u shmangesh situatave të rëndomta ku dhe pjesën më të madhe të kohës të përfshin jeta, për të realizuar veten dhe ëndrrat e tua. Duke qenë i punësuar, koha për të qenë krijues nuk është kurrë e mjaftueshme, prandaj duhet te dish “ta vjedhësh  kohën në çdo çast që mundesh në favor të artit tënd. Familja êshtë nje kënaqësi e pafundme për njeriun, duhet përkushtim dhe devocion. Por si puna, ashtu dhe familja janë thelbësore për njeriun. Njeriu krijues duhet të dijë t’i bashkërendis sa më mirë dhe në harmoni këto tre shtysa madhore; punën, familjen, poezinë.
Do të dëshiroje të shkruajë ndonjë vepër të plotë mbi artin e gatimit parë me sytë e artistit, poetit e eseistit?
Rifat Ismaili: Për momentin nuk është se kam ndonjë gje konkrete, por sigurisht është një ëndërr në sirtar. Duke shkruar disa ese ne lidhje me kuzhinen, kam hedhur hapin e pare drejt kurorezimit, mbase, te  nje libri te me vonshëm mbi artin e kuzhines, pare me syrin e shkrimtarit, ku të pasqyroj shijet e tavolinës se të mirave, nga nje kendveshtrim personal.
Ç’mendim keni për këtë intervistë dhe si u ndjetë?
Rifat Ismaili: Ju befasoni jo vetem nepemjet interpretimeve tuaja, ku u keni dhënë shpirt e zë edhe disa prej poezive të mia, por edhe të nxisni “të rrëfesh” vetveten, dhe ta bësh këtë me dëshirë. Ishte nje bashkebisedim rezultativ dhe shplodhës. Të flasesh per gjëra që do, sic është poezia por dhe ushqimi, ndjehesh kaq mire , dhe pse minutat kalojne, të duket se sa ke filluar. Nuk do dojA kurrë të mbaronte një bisedë e tillë. Ndaj ju falenderoj me zemer për intervistën dhe ju uroj suksese të pafundme në ecurine tuaj si interpretuese dhe ne levrimin e poezisë.
Please follow and like us: