Zaho Golemi: Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake shqiptare në penën e një koloneli
(Refleksione mbi librin “Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë” të kolonel Zeno Jahaj, të publikuar pak kohë më parë nga botimet “Dritëro”)…
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Shqipëria – aktor dhe faktor gjeopolitik
Një libër doktrinor mbi gjeopolitikën dhe fuqinë ushtarake sapo është publikuar nga botimet “Dritëro”. Publikimet mbi gjeopolitikën, por dhe fuqinë ushtarake janë të rralla në vendin tonë. Dikur rrethet intelektuale, veçanërisht ato ushtarake “ngopeshin” me Karlo Zhan dhe publikime fragmentare mbi gjeopolitikën e fuqinë etj., si Rudolf Kjellen, (shkencëtar politik suedez), Friedrich Ratzel, (babai i Gjeopolitikës gjermane), Halford Mackinder studiuesit e sferës së Gjeopolitikës, pa e përdorur termin “Gjeopolitikë”. Koha rrjedh dhe hedh në tregun e librit prurje me “bollëk”, por vështirë se mund të ketë tituj që i referohen embrionit ku formatohen shtete, ide, platforma, doktrina, analizojnë në detaje historinë, çështje që flasin për versione, varjante, skenarë e deri tek konseguencat. Autori Jahaj, i kultivuar deri në palcë si shërbëtor i kombit dhe atdheut, me të drejtë e njehson veten me ushtrinë dhe ka dashur që me pasion t’u shkojë logjikës gjeopolitike dhe fuqisë ushtarake deri në fund. Ai kërkon të shterrojë të pashterrshmen duke u bërë njësh me realitetin, me historinë e kombit tonë, veçanërisht me proceset e pas luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, procese të cilat i merr, ngre, peshon, analizon, depërton në të gjithë planet dhe i vendos në balancën e historisë, duke shikuar kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve. Autori Jahaj është futur tek “buka dhe gjella” e historianit, në arkiv sipas mënyrës së tij depërtuese, mes librash, të dhënash, burimeve të hapura të NATO-s, i ka “bluar” në mendjen e tij dhe e ka nxjerrë mendimin “të shoshur” për lexuesin, që mesa duket është i përzgjedhur për nga thellësia e mendimit, por edhe për lexuesin e gjerë që mund të ndriçohet për pjesë e pjesëza të historisë së pashkruar gjerësisht më parë, për Shqipërinë për përiudhat e prezencës në “Traktatin e Varshavës”, për dashuritë dhe ndarjet e saj më jugosllavët, sovjetikët, kinezët, për dimrat e vetmisë së madhe, duke shkelur “në rrugë të pashkelura”, të vetëm përballë të mëdhenjve dhe fqinjëve, të pavendosur kur amerikanët shtrinë dorën më 1973-shin, pesë vjet pasi Mehmet Shehu kishte denoncuar Traktatin e Varshavës. Autori mes termave “gjeopolitikë”, “gjeografi politike”, “fuqi ushtarake” duket se gjendet në shtëpinë e vet, në lëmin e fushës dhe hapësirave të tij të studimit. Analiza është një copëz Shqipërie, por të duket se përhapet si në “hapësirën jetike” të Haushoferit duke i dhënë dimensionin që i takon një kombi me rrënjë, një shteti që ka çarë një shekull e pak mes kompleksiteteve të mëdha. Kolonel Zeno Jahaj me librin:”Gjeopolitika dhe fuqia ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë” u bën nder lexuesit dhe i fut në mendime përmes një analize mbështetur në fakte në 523 faqe, në gjatë krerë nga “Tej mëdyshjeve” deri tek falënderimi me “mirënjohje” të 109 personaliteteve (që për koicidencë korespondojnë me njëqindenëntë vjet shtet shqiptar), që ka njohur dhe që kanë ndikuar, ndihmuar, bashkëpunuar kolonelin në karrierën e gjatë në instuticionet ushtarake, por edhe të fushës së sigurisë, të diplomacisë nga viti 1973 deri më 2013, një shtetar serioz që ka punuar me seriozitet në dy kohë, në vitet kur thinjej rinia dhe në kohën kur thinjej djalëria për demokratizimin e gjithë jetës së vendit dhe për të ecur energjikisht për të kapur trenin europian. Kolonel Jahaj nuk e ka “ngrënë bukën kot” dhe nuk e ka lënë kohën të rrjedhë pa lënë gjurmë, ndërkohë që përvesh llërët për të mbushur gjithë aparatin e librit, redaktimin e korrektimin tenik e shkencor e deri në detaje për një libër që parashikohet t’i rezistojë fort kohës. Përvojën dhe mundin jetësor e ka derdhur në një libër që rrok dy sistemet në planin historik dhe aspektin e vendit dhe rolit si faktor dhe aktor gjeopolitik sado i vogël qoftë, por rreth pozicionit të favorshëm gjeopolitik u rrekën dhe morën në analizë në të majtë dhe në të djathtë të planetit, midis lindjes dhe perëndimit. Kështu në kreun e parë vijnë Rreziqet e kërcënimet strategjike, për një periudhë që bota e LIIB ja kishte lëshuar vendin “Luftës së Ftohtë”, ku asnjë pale nuk ja mbante “të tërhiqte këmbëzën”. Lexuesi futet natyrshëm në
konceptet dhe mjedisin real gjeopolitik, lexon rreziqet e kërcënimet e perceptuara nga drejtuesit më të lartë politik të Shqipërisë komuniste, që vetëm emrin kish të tillë, të mundshme dhe të perceptuara, të shkruar sipas një stili të qetë dhe herë herë edhe me dufe labe sikur futesh në “stogonët” e historisë, që në fakt vendi përjetoi natyrshëm deri sa formoi identitetin mes të mëdhenjve, e megjithatë “çunakët”, që zbritën fitimtarë nga lufta me nazifashistët i përballi me një mal problemesh që fituan dhe dështuan përmes një loje të madhe, që kishte filluar në Jaltë në gadishullin e Krimesë, Teheran, Podsdam dhe në të gjitha tavolinat e bisedimeve të mëdha, ku Shqipëria jonë e vogël dukej e zhdukej msi një varkë në valët e oqeanit gjeopolitik botëror. Edhe kruy i dytë është fusha e autorit, si përfaqësues i brezit më të ri të diplomatëve ushtarakë të shekullit të ri, ndërkohë që analiza shkon për diplomacinë, botëkuptimin, filozofinë politike, formimin, diktatin dhe më tej akoma edhe për orientimin, bindjet në fokusin e aspiratave të drejtuesit-lider Enver Hoxhës si absolut i Shqipërisë, që për 41 vite është dora e fortë në mënyrën e vet të drejtimit të vendit që vjen në këtë libër në mbi pesëdhjetë faqe trajtim. “Lidhja e qerres” sipas mënyrës allashqiptarçe pati kapërcime, por dhe një periudhë plot të papritura mes “dashurive” dhe “urrejtjeve” në lavjerrësin politiko-diplomatik të kohës.
Fuqia ushtarake, e frikshme për t’u rrekur, fusha e guximtarëve
Me “fuqinë ushtarake” janë të rrallë ata që depërtojnë përtej “perdes” që ka vulën “TSRV”/Tepër sekret e rëndësisë së vecantë. Është fusha e specialistëve e “llogaritarëve” të potencialeve njerëzore, monetare, mjeteve luftarake, armëve në tokë, det dhe ajër dhe kolonel Jahaj këtë e ka për zemër, të futet, të rreket, të analizojë, të triblojë përmes dokumenteve, të injorojë tabelacionet, që janë kaq evidente në këtë fushë. Studiuesit fillestarë futen direkt në “thela”, hartojnë tabela, bëjnë krahasimet, ndërkohë që janë sekrete dhe të padukshme shumë probleme që lidhen me fuqinë. Ka dokumente që nuk çkyçen kurrë, sikurse ka edhe dokumentacion që koha i vjetëron dhe i nxjerr në shesh sekretet e së djeshmes. Ka shtete që ruajnë si të paprekshme element të fuqisë, me të cilat kërkojnë të mburren dhe t’u tregojnë brezave identitet të fuqisë intelektuale që prodhon shkolla, Akademi, Universitete, që “prodhojnë” lidera të sigurisë e mbrojtjes, të kohës së paqes dhe luftës. Kreu i tretë që i referohet “Burimeve të Fuqisë” së Shqipërisë në “Luftën e Ftohtë” evidentohen elementët e fuqisë si: gjeografia, popullsia, burimet natyrore, zhvillimin ekonomik, kapacitetin industrial e bujqësor, strukturat politike, lidershipin, ideologjine, karakterin, moralin kombëtar, diplomacinë, sistemin shoqëror etj. Këtu mbi të gjitha qëndron fuqia e vërtetë e një kombi që të gjithë elementët formësohen dhe sinergjojnë tek fuqia ushtarake e shtetit, ajo fuqi që “thirret në skenë” në kohë luftë por edhe në kohë paqe kur populli përballë çdo rreziku thërret “ushtrinë” dhe “Zotin” për ndihmë dhe kjo është e vërtetuar në qindra raste, kur ka faktorë ekstremë të natyrës dhe jo vetëm. Sinergjia e gjithë elementëve përkthehet në fuqi ose pafuqi përballë rreziqeve, ndërkohë që me të drejtë autori shprehet se, “Fuqia ushtarake buron nga fuqia kombëtare”. Dhe më tej vendosja në peshoren e madhe të historisë të fuqisë kombëtare duhet të depërtosh thellësisht në elementët e ndërvartësisë, në “botën” e masave dhe të peshave, në një botë që asgjë nuk ka të dhënë një herë e përgjithmonë, pavarësisht se këto element nuk ka aparat që t’i matë ekzaktësisht. Por e tillë ka qenë “Lufta e Ftohtë”, një term i çuditshëm, huazuar prej shkrimtarit anglez, Xhorxh Oruell, më 1945, kur “superfuqitë do binin dakord që të mos e “shkrepnin” bombën atomike kundër njeri-tjetrit”, por të ishte si një “mjet frikësimi në Luftën e Ftohtë”. Më hapur do të shkruante Bernard Baruh, më 1947, “të mos mashtrohemi, ne jemi sot në mes të një Luftë të Ftohtë”. Në një detajim shifrash me gjuhën e tyre vijnë në libër të dhëna krahasuese dhe të qënësishme përmes gojës së lidershipit shqiptar, por edhe të dhëna krahasuese me europianët dhe amerikanët, me produktet e prodhimit dhe deri në Shqipërinë e “mbajtjes së frymës gjallë”, në fund të mandatit gjysëmshekullor të fitimtarëve të LIIB. Autori eksploron i lirë nacionalizmat dhe ishullorët, fuqinë e shteteve dhe kombeve, eksperiencat, fitoret dhe dështimet si rezultat i kësaj fuqie të ndryshueshme, sjell shembuj historie dhe depërton nëpër perandori e sultanate. Por sigurisht ndalet tek shqiptarët, “kjo kastë luftëtare e ballkanit”, e mëkuar me shpirt mikpritës, kur maksima popullore ka marrë dhenë: “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, pavarësisht shpresave të shumta dhe zhgënjimeve, sepse “komunizmi nuk përputhej me natyrën dhe traditën e jetës së shqiptarëve”, shprehet autori. Koha provoi se rregjimi totalitar nuk e bëri dhe nuk e radhiti vendin në një shtet të fortë, sepse “forca” dhe “shtrëngimi” nuk ishin bindje e vullnetshme, e ndërgjegjshme. Muret e ngritura me perëndimin e veçuan nga ekonomia botërore dhe sikurse thotë Erik Hobsbaum tek “Epoka e Ekstremeve”,
“…Shqipëria do të kthehej në një pirg rrënojash ekonomike”. Kapacitetet institucionale të shtetit nuk mund të perceptohen pa faktet krahasuese se, më 1938 vendi kishte 56300 nxënës ndërkohë që më 1983 kishte 713600 nxënës e student; mësuesa nga 1500 kishte 40000; shtretër spitali nga 800 arriti në 18100; nga 1 mjek për 8000 banorë arriti në 1 mjek për 583 banorë. Faktet flasin qartë për ngritjen por në raport me fqinjët europianët e më gjerë flasin për pamjaftueshmërinë e “fuqisë”, që të qenë realitet i së ardhmes. Dhe kohët e provuan pamundësinë e vijimësisë, sepse rruga e zgjedhur ishte e gabuar.
Strategjia dhe doktrinat ushtarake një amalgamë
Kreu i katërt në lidhje me strategjinë ushtarake, operacionet, luftimin, strukturën organizative, arsimimin, stërvitjen e gatishmerinë luftarake të Forcave të Armatosura të Shqipërise në vitet 1944-1992 përfshin gjithë aktivitetin ushtarak gjysëmshekullor. Autori të çon në “burimet” e strukturës së koncepteve, në ngritjen e një ushtrie të “tipit të ri”, duke harruar gjithçka kishte bërë më parë Shqipëria e viteve 1912-1939. Shtrati ideologjik dhe politik ishte përcaktuese për këtë format të ri, në politikë, strategji, koncepte, parime, dhe në gjithë ngrehinën ushtarake shqiptare të gjysëmshekullit, në diktimin e rrethanave për të ulur numrin e formacioneve ushtarake partizane që zbritën nga 70 mijë, në 45 mijë e më tej në 35 mijë, por deri edhe në 27 mijë që ka qenë numri më i reduktuar ushtarak në gjysëm shekulli sepse pas vitit 1960 ushtria sërish u rrit aq shumë sa u kthye në një barrë të rëndë për
ekonominë. Buxheti ushtarak i mbrojtjes “kafshonte” rëndë bushetin e shtetit të dobët shqiptar, sit ë ishte gjithmonë një “buxhet lufte”. Kështu për periudhën e Luftës së Ftohtë, në vitet 70 dhe 80, ushtria shqiptare arriti në 61000 forca aktive, dhe 260000 rezerviste dhe një numër i madh i FVVP dhe RSHA, një organizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave joeficente. Në fund të viteve 80-të ushtria kishte 22 divizione që përbënin 3 fronte, që bazohej në “konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë”, duke e shpërndarë më tej atë nga 1500 shkoi në 2200 pika hapje në të gjithë vendin. Kështu ushtria kishte dalë jashtë kazermës dhe ishte bërë “pronë e popullit ushtar”, ku nga ana tjetër fortifikimi u kthye në qëllim më vete, duke ju dhënë detyrime massive ekonomive të drobitura shtetërore dhe kooperativave bujqësore si detyrime për mbrojtjen. Arsimimi ishte një ndër rrugët e reja dhe të mira të atij sistemi, që krijoi në fakt nëntë shkolla ushtarake dhe policore, por që kishte “harruar” elementin lidhës të ushtarait dhe oficerit duke mënjanuar plotësisht nga stërvitja hallën esenciale të nënoficerit të stërvitjes, dhe palcën e luftimit taktik. Shpejtësisë së veprimeve në fillim të veprimeve luftarake i kushtohej mjaft vëmëndje për zjarrin kundrajrorë për 2-3 minuta, për batalionet mitraliere në 25-27 minuta, për efiçensën e 25 -27 mitralozave të rëndë për çdo batalion artmitralier, për artilerinë tokësore të gatshme për zjarr për 10-20 minuta, për tanket që shkëpputeshin nga rajonet e dislokimit për 10-20 minuta, për gatishmërinë e FLD dhe FLA, për kompletimin reservist për 72 orë dhe për 700000 forca të rreshtuara gati për luftë në rast të një agresioni të armatosur. Të gjitha këto sa përmblodhëm i shërbenin “Fuqisë Ushtarake” të vendit që vijnë nga autori në kreun e pestë ku me detajohet
buxheti i mbrojtjes, fuqia njerezore, disiplina, moralin luftarak, armatimin, teknika, teknologjia, sasia dhe cilësia, fortifikimi, logjistika, zbulimi ushtarak, lidershipi politiko- ushatarak për gjithë periudhën e “Luftës së Ftohtë”, dhe që lidershipi botëror nuk e lejoi në fakt që të kthehej në “luftë të nxehtë”. Shqipëria ishte një copëz në oqanin e madh të përbindshave botërorë të superarmatosur, që do të matej me “një apo kualicion armiqsh” me NATO-n dhe me Traktatin e Varshavës, një përllogaritje paksa fluturake, ndërkohë që amerikani Rash më 1973, tregoi gatishmërinë e SHBA-së për marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Dorës së shtrirë të amerikanëve dhe të gjermanëve në vitet ’80-të do t’ju përgjigjeshim me dorë të rudhur ndërkohë që treni europian vijonte të ecte me shpejtësi përpara. Kur shqiptarët u bënë njësh me erën demokratike të viteve ’90-të treni europian kishte ecur shupë përpara dhe duhej kohë energji, vullnet e dëshirë politikanësh që jo gjithmonë ka qenë në anën e duhur të historisë në këtë tridhjetëvjecar. Ndërkohë që gjeopolitika botërore determinohej nga dy të mëdhenjtë Amerikanët e Sovjetikët, pas viteve ’90-të është më se e natyrshme se në masë të madhe nga SHBA-ja si superfuqia e vetme botërore që udhëheq Rendin e Ri Botëror, që mundi dhe shkërmoqi rusët në ekonomi, që mbetet lidere dhe promotore e lirive njerëzore, atyre ekonomike dhe procesit të globalizimit. Aktualisht po të kthesh vështrimin në tetë dekadat e fundit dhe të analizosh të tashmen shihet qartë fuqia e një kombi vital e amerikanëve që kanë një forcë me më shumë se 3 milionë
efektivë, 4800 baza ushtarake në shtatë kontinente dhe një buxhet vjetor më të madh se 700 miliardë dollarë, ushtria e Shteteve të Bashkuara konsiderohet si forca luftarake më e madhe e botës, fuqi që do të lozë rolin e saj në gjithë shekullin XXI. Duke parë këto shifra kushdo nga specialistët mund ta bëjë analizën në këndshikimet e fushave të interesit, përfshi edhe atë gjeopolitik dhe të fuqisë ushtarake.
Konstatime dhe dilemma: Me NATO-n apo me Traktatin e Varshavës?
Si historian, gjeopolitikan e analist kolonel Jahaj në kreun e fundit trajton burimet e arkivave të NATO-s, ku vërtetohet se Shqipëria ka qenë pjesë integrale e axhendës së analizës, vlerësimit dhe parashikimit ushtarak e politik të NATO-s, të SHBA-ve si dhe të vendeve të tjera fqinjë dhe më gjerë. Shqiperia dhe Republika Demokratike Gjermane, do përbënin një rast të dyshimtë në Traktatin e Varshavës, prandaj dhe qëndrimi ndaj Shqipërisë të të dy
pakteve më të mëdha ushtarake të globit përgjatë Luftës së Ftohtë vështrimi është vetëm bazuar në dokumenta autentike arkivore ku kolonel Jahaj analizon dy blloqet e mëdha në Luftën e Ftohtë, NATO-n e Perëndimit dhe Traktatin e Varshavës të Lindjes. Këtu ka dritëshikim të veçantë për SHBA-të dhe ish-Bashkimin Sovjetik, vendet rreth nesh si Italia, Greqia, Jugosllavia, Turqia, Bullgaria e më gjerë. Këtu vjen edhe analiza e fuqisë së vërtetë ushtarake të Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë, analizon Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun dhe gjithë udhëheqjen shqiptare të kohës, që vendosën gjithçka për Shqipërinë e periudhës së Luftës së Ftohtë (1945-1990), kur drejtonin “me dorë të hekurt”, sipas bindjes e gjykimit të “komunizmit të tipit të shqiptarizuar”. Autori ndalet gjatë tek fuqia ushtarake e vendit dhe ekonomia e saj që mbante në këmbë një makineri të madhe e të rëndë ushtarake, një force ushtarake me armatim, teknikë e teknologjia ushtarake të vjetëruar, që realisht nuk mund t’i përgjigjej kohës, sepse mbahej gjallë një tenkikë që bota kishte një cerek shekulli që e kishte hedhur dhe kishte futur teknologji të re. Është i drejtë konstatimi se, “arsenali luftarak shqiptar nuk i shërbente më Fuqisë Ushtarake dhe ishte kthyer në të vërtetë një barrë e rëndë për ushtrinë e tipit të ri që synonte NATO-n dhe aderimin në strukturat europiane. Me
të drejtë në libër vjen një analizë se me kë do të ishte Shqipëria në rastin e një lufte të nxehtë, “Me NATO-n apo me Traktatin e Varshavës?”, dhe kjo analizë është një thirrje për të tjerë studiues të fushës e kryesisht të spektrit ushtarak që kanë se çfarë të flasin për aktorë e faktorë, mjedisin, sistemin, ideologjinë, fuqinë, lidershipin, qëndrushmërinë e mbrojtjes, avantazhet e disavantazhet, për skenarët gjeopolitikë, për besimin e verbër, institucionet ushtarake, për shkollat dhe akademitë, për jetën dhe psikologjinë e kohës e qindra derivate të tjera të jetës, të jetës së jetuar nga shqiptarë të ndershëm që besuan dhe qëndruan, që nuk besuan dhe ikën, që jetën e mbushëm me përkushtim, por edhe pë rata që pësuan zhgënjim.
Fjala e tyre vlen si pasuri e vlerave kulturore shqiptare, e thënë troç, në mënyrën e tyre, në gjykimin e tyre, si guximtarë të një kohe që e jetuan. Libri nuk është një stoli për bibliotekën për një vlerë e kohës. Por kolonel Jahaj ka lënë një shteg të hapur për studiues të spektrit të gjerë ushtarakë, gjeopolitikë e më gjerë, një rrugë të celur për ta thënë fjalën e vet, për t’u shprehur duke derdhur në letër “arkivën lëvizëse”, pse jo të sjellin risitë shqiptare për
gjeopolitikën dhe fuqinë ushtarake e më gjerë. Në një plan më të gjerë libri është një ftesë për intelektualët e fushës së letrave që ta thonë fjalën e vet për strategjinë, doktrinat, fuqinë, armatimet, fortifikimet, shprest e zhgënjimet, kapacitetet institucionale të shtetit, për kohët “teper sekret”, aktualisht e deklasifikuar. Studjuesit e “vjetër” dhe të rinj pavarësisht nga format përbashkohen në përfundimin se, Gjeopolitika ka ekzistuar, pa u “zbuluar” si teori dhe
shkollë, ekziston e do të vijojë të ekzistojë në epokën e globalizimit, në të përditshmen dhe në të ardhmen si dhe publikimi është një destinacion dhe mision për debat në këtë fushë me rëndësi që sigurisht kërkon guxim dhe fokusim në interesat kombëtare shqiptare, i destinuar të mbijetojë dhe të zërë vendin e merituar ndërmjet kombeve të tjerë. Në vijimësi lexuesi do të ketë uri për thellim në analizën e periudhës së “perdes së hekurt”, “luftës së ftohtë”, vijat e mbrojtjes së NATO-s e Traktatit të Varshavës dhe se “pse Shqipëria mbeti në një brez shtetesh përkëtej perdes së hekurt, në një brez që Traktati i Varshavës as nuk e mbronte, as nuk e sulmonte Shqipërinë, pa u përplasur paraprakisht me NATO-n, etj. Në fund libri mbyllet me një “mirënjohje”, si shenjë kalorësiake për disa nga personalitetet që autori e gjykon të arsyeshme në karrierën e gjatë të udhëtimit ushtarak dhe diplomatik.
Dy fjalë prezantuese për autorin Jahaj Zeno Jahaj vjen prej një treve kaone me rrënjë labe të shquar historikisht për trimëri dhe mençuri, që u’a mëkon natyra dhe ambjenti familjar që kur përkunden në djepin e nënës. Ai ka lindur më 5 shkurt 1952 në Mesaplik, Vlorë. Familja e tij është e njohur në zonën e Lumit të Vlorës (Mesaplik) për tradita patriotike dhe bujari. Pas përfundimit të shkollës 7 vjeçare në Mesaplik, në vitet 1966-1970 kreu studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, më pas ndoqi studimet në vitet 1970-1973 në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, si dhe kurs për zbulimin ushtarak. Akademinë Ushtarake do ta bënte në vitet 1987-1988. Ka ndjekur në vitin 1997 kursin e Lartë në Kolegjin e NATO-s, në Romë. Ndërsa në vitet 2011-2013 ka ndjekur studimet për master në Sigurinë Kombëtare në Akademinë e Mbrojtjes. Me përfundimin e shkollës dhe titullimin oficer në vitet 1973-1984 ka kryer detyra komanduese e mësimdhënëse në njësi e shkolla ushtarake. Ndërsa në vitet 1984-1993, 1997-1998 ka kryer detyrën e oficerit të shtabi në Shtabin e Përgjithshëm. Në vitet 1998-2003, ka kryer detyrën e atasheut ushtarak, këshilltar diplomatik, në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë. Në vitet 2003-2008 ka kryer detyrën e shefit të kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe në vitet 2008-2010 ka qenë këshilltar ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes me gradën madhore ushtarake “Kolonel”. Pasioni për librat, për shkollat, për diturinë e bëjnë të veçantë dhe të spikatur në analiza të ftohta dhe me gjykim të thellë. Edhe kur ka qenë në nivel profesori e quante veten student dhe matej me realitetin ndryshe, edhe kur ndiqtë gjithë durim nivelin “Master shkencor” në fushën e sigurisë në AFA ishte një vëzhgues i hollë i realiteteve. Debatet në auditor dhe jashtë auditorëve kishin shije, “kripë dhe lezet”, për thellësinë dhe gjerësinë e mendimit të kualifikuar të armatosur me përvojë të gjatë akademike, shkencore, ushtarake e diplomatike. Puna e kolonel Jahaj nuk ndalet. Me siguri në të ardhmen e afërt do të shkojë përtej gjeopolitikës dhe fuqisë ushtarake dhe do të shpalosë para intelektualizmit ushtarak dhe jo vetëm palcën e atdhetarisë ushtarake dhe më gjerë, përjetimet e kohës së një paqeje të brishtë nën një rregjim gjysëmshekullor, por dhe përjetime demokratike përtej tre dekadave.