Brahim AVDYLI: ORBITA E FLURUDHËS
ORBITA E FLURUDHËS[1]
1.
Njëzet vite
prej gjashtëdhjet viteve
rropullohesha me lot
në shtrojë të izolimit,
apo që kur më mbyllën
panjerëzorët.
Sa më shtypte dhuna
aq më shumë ngjalleshin
meditimet,
e koha e pa kohë
ishte kohë e përpjekjeve-
zgjohej me dhembje
e përplasej me vetminë!
2.
Mezi shkruaja
edhe kur mu pengua
dora e djathtë
këngë dhe lot
sepse
më digjej Feniksi
në shpirtin e krijimit
që nga fëmijëria!…
3.
Më shtypnin
qeniet e padukshme
deri në gjenezë-
jeta e përkohshme
është tradhëti e paemër
nga pamjet e dhunës,
e lindja e vargjeve
dita ditën e përcillte
me aq sa nuk kishte
fjalë të zjarrta,
kot dilnin
përpjekjet e tyre
ndaj djegies së gjallë
në sheshin e dijes
e fjalë e zbrazët
nuk ishte Feniksi!…
4.
Në sheshin e madh
flakëronte dhembja,
për rreth
më qenë mbledhur
të gjitha qeniet flugtare[2]
që të më veneronin
edhe gjëmat e shpirtit
të mi dëgjonin,
lotët e këngës
që shpërthenin
te sheshi i zjarrit,
e pasardhësit
me fjalët ndijesore
përjetësisht dridheshin!…
5.
Pjellat e mallit
votrën e mbanin
prore ndër ëndërra,
i vizatonin
me shpirtërat e tyre
kurdoherë themelet-
dashuria
është krijuar me Njeriun
përpara se të lindin,
pa e ditur
përse koha ashtu sillej
në të pamundurën,
pjella e rritur nën dhunë
pa të atin-
shkëputje e hallkave të rritës!
6.
Nuk e dinin
se kush ishte pragu
nëpër të cilin shkonin
deri te trualli,
ndonëse e ëma
i vardiste ata
prej viteve në vit
ta harronin përgjithmonë
se ku fillonte
gjenealogjia-
fat nga fatkeqësia
ishte pjesë e pacaktuar
e cila pëshpëriste
gjithmonë
në veshët e rritjes!…
7.
Koha sillej
me një formë tjetër,
nuk e dinin fëmijët
zhvendosjen e qëllimtë
vetëm do të thirreshin
në emër të të atit,
e nuk e pranonja
asnjëherë dorëzimin
para shtrigave të paraqitjes!
8.
Isha zhdukur nga orbita
edhe nga hapësira
e portaleve shtazarake,
përderisa rreth tyre
ulurinte çdo gjë
edhe çakejt e ndjekjes
në çdo pikë
të frymëmarrjes!…
9.
Stilet e pazakonshme
përsëriteshin ndër vite-
thirresha prej atit tim
ndërsa nipi thirrej
në emër të babagjyshit
pra fillimi i fillimit ishte
gjeneza e fjalëve,
përderi sa çakejtë
të grumbulluar
ua copëtonin zemrat
fëmijve
deri në pamundësinë e durimit,
e asnjëherë
nuk qetësohej
koha e dalur mendsh!
10.
Kohë demoniane
ishte koha e hijenave
kokën ua kthenin
në tjetrën anë
edhe kur mendonin
se ashtu
u buzëqeshte Dielli,
fëmijëria
ishte pikë e tharë loti
me dhunë
qenë shkëputur brezat
në anën e kundërt-
e ate që i pat krijuar
me farën e vet
symbylltazi
donin që ta zhduknin!…
11.
Bijtë
më qenë shpërlarë
nga fati
edhe nja një qindarkë
t`u japin të tjerëve
si meditje
ishin mësuar nga djajtë,
nga ku s`i kanë
t`i gjëjnë e të investojnë
ate që u ishte fshehur
nën aureolë
pa e pyetur
atin e shembur
nga varfëria e ndarjes
ku dhembja dhembjen
e përtërinë!…
12.
Le të lidhen
me paditurinë e mbjellur
në rrotullën e fatkeqësisë-
pjesa tokësore
ndahej me të ëmën,
e me çka u kanë mbetur
mjetet e duhura
për zhvillimin e dijenisë
derisa nuk e dinin
se ata që bëhen
sikur u buzëqeshin
ua hanë djersën
me plancat e kohës së ligë
të një plehu!…
13.
Po të ishin
njëherë lartë
tek yjet e kristalta
do ta shihnim
rruzullin e jetës sonë
apo do ta vërenim
si do kishim qenë
po të mbanim fuqishëm
qëllimet jetësore
deri në fund
e ku do të kumbonte
dukshëm
aureolave të (pa)fatit!…
14.
Mos u lidh
kurrë me ata
që të përbuzin
se perëndia Besa
vështron
e nuk flet.
15.
Sa keq,
të thuhet mos jep
aty ku nuk duhet,
e të dërgojnë
në vend të kulmit
të flurudhës sate
tek bre miza hekur!…
16.
Tani
mbyllet i dyti brez
me duar të huaja
përtej grillave,
në fukamat e dhembjeve
aty ku ka kaluar trishtimi
deri në çmendi,
është dëmtuar
edhe brezi i tretë,
mund të shkojnë
të gjithë te paudhësia,
lindja e fundit
me e shtrenjta mbesë
ka kaluar edhe ajo
përtej dhembjes
e mbyllur nëpër shtrigitë
e se amës së vet,
një dërrasë e hollë
është ndarja
e të shenjtës lidhje
flakë digjet
malli i jetës!…
17.
A është strajcë jete
kjo kallje e vazhdueshme
orbitave të flurudhës,
merr frymë
nëpër tehun e nxehur
mbi ty,
mund ta gjëni
pluhurin e fjalëve
pas shuarjes së zjarrit
e nëse mund të pyesish
se a do të ndalet
nga zgjëndërra e prishtë
kjo zgjebe e ndytë
e errësirës,
fatkeqësia të vjedhë
deri në frymën e fundit!…
18.
Vonë do ta gjëjë
nipi i nipit tuaj
pse sythi e rritë degën
e dega pipin tjetër,
në trung të fortë
të malit të qenieve
globit të provave,
kur ta mbërish kufirin
përtej jetës së përkohshme
do të ndodhesh
në hapësirat e dhunshme!…
19.
Fundi vjen
edhe pa metafora,
çka të bënë vetja
nuk të bën armiku
kësaj i thonë
mësim në pësim
e dhembja prore
gjithmonë të rrethon,
vetëm paaftësia
dikton duart tuaja
t`i nxjerrësh sytë-
po të mos të humbte
shpresa
e një drite të badhë!…
[1] Flurudha është vija që e bënë predha apo plumbi prej grykës së tytës apo të ndezjes e deri te caku. Këtu e ka kuptimin artistik për rrugën jetësore, nën predhat e pandalura të ndjekjes nga dhuna, etj. Ndërsa orbita e flurudhës nënkupton tërësinë që përshkon hapësirën prej fillimit e deri në fund, për një çështje…
[2] Kjo fjalë është mbiemër i gjuhës shqipe. Do të thotë: të gjallë, të heshtura, të shkathta…