Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Shtëpani: Përse dhe kush e mbylli gazetën “Sindikalisti”?

Sot në ditën botërore të lirisë së shtypit 
Përse dhe kush e mbylli gazetën “Sindikalisti” e cila u themelua 30 vite më parë. Ja përshëndetjet e Pater Zef Pllumit dhe Dritero Agollit në numrin e parë më 18 prill 1991
Reagon themeluesi dhe Presidenti i pare Gëzim Shima: BSPSH aktualisht inegzistente, armike e fjalës së lirë, merr formën e çdo “ene” politike
30 vjet nga dalja e numrit të parë të gazetës  “Sindikalisti”. Në një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë u themelua gazeta e pavarur “Sindikalisti” organ i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare. Kjo organizatë  çuditërisht më vonë u emërtua “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë”. Kjo është një pjesë që kërkon zbardhje se përse u ndryshua nga “Shqiptare” në “Shqipërisë”.
Me vendim Nr. 124 të marsit 1991 Kryeministri i asaj kohe Fatos Nano lejoi botimin e kësaj gazete. Shumë përpjekje është dashur derisa të realizohej. Gëzim Shima themeluesi dhe presidenti i pare i BSPSH deklaroi se që nga dita e parë e botimit, “Sindikalisti” u bë gazeta më e dashur e më e lexuar, sepse në të pasqyrohej çdo gjë me vërtetësi. Kritikat dhe vërejtjet e saj vazhdimisht kanë ndikuar në zgjidhjen e mjaft problemeve që kanë shqetësuar qytetarët. Ajo shkonte në çdo cep të Shqipërisë. Më tej, gjatë prononcimit të tij, Shima shton se nuk ka qenë e lehtë  që të merrej leja e botimit të gazetës apo dhe ligjërimi i BSPSH. Sipas tij, janë dashur shumë takime dhe kërcënime për protesta masive para instiucioneve. Nga ana tjetër, disa elementë që me pas gjetën terren për t’iu bashkuar grupimit, trokisnin në dyert e ministrisë së drejtësisë që të mos ligjerohej BSPSH dhe gazeta “Sindikalisti”.
Teksa shfleton numrin e parë të kësaj gazete, të bie në  sy optimizmi me të cilën ajo përçon lajmet. Në numrin e parë të Sindikalistit do të botohej kryeartikulli me temë:  “Me një punë të çliruar nga diktatura dhe një shpërblim të drejtë për të, duart tona dinë të bëjnë atë që bën Europa dhe ne do të dimë të jetojmë si ajo”.  Një vend i veçantë i kushtohet dy përshëndetjeve.
Pater Zef Pllumi: “Të gjithë punët fillojnë me bekimin e zotit”!
“Të gjithë punët që fillojnë me bekimin e zotit, tregojnë vullnetin e mirë të atyne që duhet t’i punojnë. Mjerisht në vendin tonë, tash disa kohë fjala punëtor, e aq më tepër sindikatë, sillte me vete  pothuaj edhe nënkuptimin e një veprimi kundër zotit. Por, kohët ndryshuan. Prandaj e pranova me gëzim të madh në zemër rastin e parë që mu shfaqë për t’i dhënë bekimin e zotit organizatës suaj sindikale. Në qoftë se puna juaj do të ketë më të vërtetë qëllime të mira ndaj shoqërisë dhe atdheut tone, në qoftë se keni për të ecur duke u drejtuar gjithmonë për në rrugën e mirë që ka urdhëruar zoti, pa shkarë as djathtas as majtas për interest e individëve dhe grupeve të caktuara atëherë me siguri organizata juaj do të rritet e forcohet me bekimin e perendisë për t’i dhënë popullit e atdheut tonë paqe, drejtësi, dashuri, kulturë, mirëqenie e përparim. Bekimi i zotit të gjithëfuqishëm qoftë me ju!
 Dritëro Agolli:  “Zë i veçantë dhe i papërsëritshëm”
“Qielli i shtypit shqiptar priste fluturimin e një zogu tjetër lajmëtar, një zog me një zë të veçantë e të papërsëritshëm, priste gazetën “ Sindikalisti’. Dhe ardhja e Sindikalistit e pasuron kulturën e qytetërimit të epokës së pluralizmit me një fjalë të re dhe me një mendim të ri intelektual të pjesës më vitale të shoqërisë, të punëtorisë dhe të njeriut punonjës. Horizonti nga del kjo fjalë e re dhe ky mendim i ri është i freskët dhe i bukur. Ai nuk kufizohet nga sinorët partiakë, por është i gjerë dhe i begatë që të jep mundësi të mëdha shprehjeje për të sotmen dhe për të nesërmen e botës shqiptare. Në faqet e Sindikalistit kemi bindjen e plotë se do të pasqyrohet jeta e gjithanshme e njeriut punonjës, puna, veprimtaria, morali dhe kultura e tij, do të respektohet mendimi i lirë dhe me ndjenjë të lartë qytetarie, do të mbrohet ky njeri plot halle dhe i shumëvuajtur, por fisnik dhe shpirtëmadh. Edhe një gisht sikur t’i pritet këtij njeriu do ta ndiejnë përnjëherësh të gjithë shkronjat e “Sindikalistit”.
Përse dhe kush e mbylli ?Sot më keqardhje konstatohet se kjo gazetë është e mbyllur si në print, ashtu dhe online. Si drejtor i fundit i informacionit të gazetës shpreh indinjatën time të thellë. Ndërkohë ata që e themeluan shprehin revoltën e tyre. Themeluesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare Gëzim Shima deklaroi se drejtuesit aktualë të BSPSH-së me mbylljen e gazetës “Sindikalisti” treguan se janë armiqt e shtypit dhe fjalës së lirë. Sipas tij, sot BSPSH është inegzistente dhe se ajo merr formën e çdo “ene” politike.
Please follow and like us: