Menduh Gjergj Zavalani: Manastiri i Shën Johan Vladimirit
Në këtë ditë të veçantë duam të urojmë besimtarët e krishterë ortodoksë dhe gjithë dashamirësit: Gëzuar Pashkët! Simbolika e ringjalljes, dashuria, shëndeti dhe mbarësia e gjithanshme mbretëroftë tek ju dhe familjet tuaja!
Kemi zgjedhur ta lidhim këtë ditë me një figurë historike dhe fetare përbashkuese dhe një vend që është ndërthurur ngushtësisht mes popujve të Ballkanit dhe ngjarjeve të ndryshme historike. Ai është Shën Gjon ose Joan Vladimiri (i njohur si Jovan Vladimir në gjuhët sllave), një figurë që bashkon shumë popuj, madje dhe krishtërimin me islamin, sipas studiuesit Shaban Sinani. Në prag të Pashkës së Madhe mundëm të vizitonim Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, në Shijon pranë Elbasanit, një Monument Kulture, i cili tashmë i restauruar prej 16 vjetësh, mirëpret vizitorë dhe besimtarë. Kishim fatin që nën shpjegimin e atë Irineut, të shihnim si rrallëherë edhe lipsanet mbi 1000-vjeçare të shenjtit, që ishin risjellë nga Muzeu Historik Kombëtar prej pak javësh në manastir, aty ku ishin ruajtur për mbi 600 vjet me radhë. Kisha e manastirit u ngrit këtu nga princi shqiptar Karl Topia, pikërisht për nder të Gjon Vladimirit, princit me origjinë serbe sipas disa burimeve, i cili u martirizua në moshë fare të re dhe u shpall shenjtor i fesë ortodokse, duke e kthyer manastirin një destinacion pelegrinazhi për shekuj të tërë. Ishte koha kur feja dhe besimi prevalonte etninë.
Gjon Vladimiri ka lindur rreth vitit 990 në krahinën e Krajës (sot Mal i Zi). Ai ishte princi i Dioklesë dhe biri i Presllavit, i cili kishte ruajtur marrëdhënie të mira me Bizantin. Kjo ishte kundër politikës ekspansioniste të carit Samuel të Bullgarisë, i cili rreth vitit 1010 sulmon Dioklenë. Sipas kronikës së kohës nga prifti i Dioklesë, Gjoni tërheq ushtrinë e tij në një kodër të Oblikës, pranë lumit Buna, që ishte mbushur përplot me gjarpërinj helmues. Nëpërmjet një lutjeje ndaj Zotit, ai bën të mundur që kafshimi i gjarpërinjve të ishte i padëmshëm për ushtrinë e vet. Megjithatë cari Samuel arrin ta pushtojë Dioklenë duke marrë rob princin Gjon në qytetin mesjetar të Prespës, ku kishte oborrin. Vajza e carit, Kosara, ndihmonte të burgosurit dhe aty bie në dashuri me Gjonin e robëruar. I kërkon të atit ta martojë me Gjonin dhe ai pranon, duke e kthyer dhëndrin e ri në vasalin e vet. Sipas kronikanit, Gjoni u kthye në Krajë me nusen e vet Kosarën, duke jetuar në shenjtëri me besimin dhe adhurimin në Zot dhe pa konsumuar aktin seksual me të shoqen. Ndërkohë perandori bizantin Vasili ndeshet me car Samuelin dhe e mund, kurse vetë cari vdes pak më vonë. Fronin bullgar e merr djali i vëllait të Samuelit, Vladisllavi, që kishte vrarë më parë të birin e Samuelit dhe duket se e sheh Gjonin si kërcënim. Ai fton në mënyrë tinzare Gjonin me të shoqen në Prespë për të diskutuar nevojat e popullit. Fillimisht pret me nderime Kosarën, por urdhëron ushtarët e vet t’i presin kokën Gjonit pasi ai del nga kisha. Gjon Vladimiri vdiq në 22 maj 1016 me kalendarin e vjetër Julian dhe 4 qershor sipas kalendarit të sotëm, që është dhe festa e përkujtimit të tij në Shqipëri. Sipas disa burimeve, Gjon Vladimiri u varros në qytetin mesjetar të Prespës, në kishën para së cilës u vra.
Pak vite më vonë, e veja e tij, Kosara, ia mblodhi eshtrat dhe e rivarrosi në tokën e tij të origjinës, në Krajë, mbi liqenin e Shkodrës. Ajo nuk u rimartua dhe la amanet që dhe vetë të varrosej po aty. Por në vitin 1215, trupat e despotit të Epirit, Mihal I Komneni, do të pushtonin për pak kohë Shkodrën dhe rrethinat, duke marrë eshtrat e shenjtit për t’i zhvendosur në Durrës (Dyrrah). Shën Gjon Vladimiri do të bëhej shenjti mbrojtës i qytetit të Durrësit dhe kështu shfaqet në tekstet liturgjike të kohës.
Rreth një shekull më vonë, princesha Helena Anzhu, e bija e mbretit Robert të Napolit, ishte nisur me anije për në Peloponez, me gjasë për t’u martuar me mblesëri. Rrugës bën një ndalesë në Durrës, ku takohet dhe bie në dashuri me fisnikun shqiptar Andrea Topia, i cili e rrëmben Helenën, martohet me të dhe lindin dy djem, Karlin dhe Gjergjin. Megjithatë Roberti i Napolit nuk ia fali të bijës shkeljen e vullnetit të vet, ndaj nën pretekstin e pajtimit të familjes, e ftoi atë bashkë me të shoqin shqiptar në Napoli dhe i vrau të dy pabesisht. Bijtë e tyre jetuan dhe Karli u bë një princ i fuqishëm. Pas disa përpjekjeve, ai mundi t’ua merrte Anzhuinëve kontrollin e Durrësit në vitin 1368. Karl Torpia do të ringrinte kishën bizantine pranë përroit të Kushës dhe rrugës Egnatia, në Elbasan, të shkatërruar nga një tërmet i fuqishëm dhe do t’ia kushtonte atë shën Gjon Vladimirit, duke vendosur në kishë edhe eshtrat e shenjtorit. Në hyrjen jugore të kishës u vendos viti 1381 i ndërtimit dhe mbishkrimi me emrin e Karl Topisë në greqisht, latinisht dhe serbisht. Një manastir ortodoks u zhvillua përreth kishës dhe do të kthehej shpejt në vend pelegrinazhi për besimtarët që i atribuonin mrekulli shenjtit. Prekja e kutisë së lipsaneve (eshtrave të shenjtit) thuhej se kishte veti shëruese për besimtarët.
Sipas një versioni, që na tregon atë Irine Gega, shën Gjon Vladimirit i ishte shfaqur një shqiponjë që mbante një kryq në vendin ku sot ndodhet manastiri, gjatë kohës që ai vinte për gjueti kur ishte i ri. Shenjti iu afrua shqiponjës, mori kryqin dhe vendosi që aty të ndërtonte një kishë… Kurse para se ta vriste Gjon Vladimirin, Vladisllavi e goditi me shpatën e tij, por nuk mundi t’ia merrte jetën. Ishte vetë Gjoni që ndërkohë i zgjati kryqin e vet të madh të drunjtë dhe i tha: “E tradhtove, por merre këtë kryq dhe më vrit”. Atëherë Vladisllavi mundi t’ia priste kokën. Mrekullisht, Gjoni e mori kokën e vet në dorë dhe kafsha e solli trupin e tij pranë kishës që kishte ndërtuar shenjti.
Kulti i Gjon Vladimirit vazhdon të mbetet i përhapur në Shqipëri dhe në Ballkan. Ka disa kisha dhe ikona që paraqesin imazhin e shenjtit, duke mbajtur kokën e vet të prerë në dorë, që nga afresket e Onufrit dhe Kostandin Shpatarakut e deri në ikonat e ditëve tona në gjuhën shqipe, brenda kishës së manastirit në Shijon. Manastiri është mbrojtur dhe nderuar nga muslimanë e të krishterë dhe është veçanërisht merita e qytetarëve të Elbasanit që e kanë sjellë frymën e mirë të ruajtjes së kësaj trashëgimie deri sot. Manastiri ka një rëndësi të madhe historike. Ai ka qenë selia e Peshkopatës së Durrësit në shek. XVIII. Rreth vitit 1760, në manastirin e Shën Gjon Vladimirit është shkruar Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit, që ka alfabetin e parë unikal të gjuhës shqipe, të hartuar ndonjëherë. Dorëshkrimi ka 59 faqe në format të vogël, dhe mendohet se është shkruar nga Grigori i Durrësit, një dijetar që shpiku alfabetin unikal prej 40 simbolesh, që përfaqësojnë dhe alfabetin me të veçantë dhe të plotë të krijuar për gjuhën shqipe. Ai është shkruar në një shqipe të kulluar, siç do ta cilësonte albanologu Robert Elsie. Dorëshkrimi u ble nga politikani Lef Nosi, i cili do të ekzekutohej pak kohë më vonë nga regjimi komunist, kurse vepra u deshifrua nga albanologu Injac Zamputi.
Kisha u dëmtua nga një tërmet i fuqishëm dhe u rikonstruktua në vitin 1901. Në vitin 1935, për nder të ditës së shenjtit, në 4 qershor, Patriku i Serbisë i dhuroi manastirit një këmbanë prej 300 kg dhe një arkë që do të mbronte nga zjarri lipsanet e shenjtit. Ushtria gjermane do t’i vinte zjarrin manastirit në mars 1944, si pasojë e përplasjes me partizanët, dhe do të ishte kjo arkë që shpëtoi nga djegia eshtrat e shenjtit. Ndërkohë, me instalimin e regjimit ateist në vitin 1967, një tank ushtarak tërhiqte kullën e këmbanares dhe do të shkatërronte këmbanën bashkë me kullën. “Kur binte ajo këmbanë, dëgjohej nga Shijoni deri në kishën e Shelcanit ku shërbente im gjysh” – tregon atë Irineu…
Sot kisha është e restauruar, por dëmtimet në kohë, kanë bërë që vetëm apsida e kishës të ruajë pak fragmente afreskesh. Deri para pandemisë manastiri u shërbente vajzave besimtare që kishin mundësinë të mësonin në një mjedis të veçantë. Hapësirat e gjelbëruara përreth kishës dhe ndërtesave të konakëve janë vërtet tërheqëse, por një pjesë shumë e vogël e pronave të dikurshme i janë kthyer manastirit. Pjasa më e madhe vazhdon të zihet prej ish-kapanoneve të repartit të dikurshëm ushtarak, ose janë zënë nga banorë të vendosur rishtazi në fshatin Shijon.
Një mundësi shumë e mirë për manastirin është afërsia me autostradën Elbasan-Tiranë. Ndërtimi i një korsie të veçantë paralele me autostradën do të lehtësonte shumë vizitën dhe arritshmërinë e manastirit. Promovimi i vlerave historike dhe fetare të tij janë një vlerë e shtuar jo vetëm për Elbasanin, por për mbarë Shqipërinë. Dhe kthimi i një pjese të lipsaneve në këtë prag Pashke, aty ku kanë qëndruar për shekuj me radhë, duket se është një ogur i mirë për këtë vend të shenjtë!
Please follow and like us: