I doli emri i patronazhistit, flet De Biazi: Këta quhen spiunë
Pas daljes së lajmit se edhe ish-trajeneri i Kombëtares, Xhani de Biazi ka patronazhistin e tij, Panorama Sport ka realizuar një komunikim me të. Edhe pse në fillim ai nuk e kupton për cfarë bëhet fjalë, më pas shprehet i habitur: “Pra edhe unë e paskam një spiun?”
Mister, a keni dëgjuar ndonjëherë për “patronazhistin”?
Ç’dreqin është ky?
Është një vullnetar që aderon në një parti dhe siguron të dhëna për qytetarë të ndryshëm, të cilët ai i ka në “patronazh” dhe informon se për kë votojnë, çfarë bindjesh kanë etj…
Edhe ç’lidhje kam unë me këtë?
Prej disa ditësh në Shqipëri është bërë publike lista e Partisë Socialiste për qindra mijëra qytetarë dhe aty figuron edhe emri juaj.
Po me mua ç’kanë? Pse duhet të jetë emri im aty…?
Po, sepse edhe ju keni një patronazhist…
Prit pak prit, se këtë termin që përdorni me sa kuptoj e keni fjalën për dikë që raporton për mua apo për të tjerë se çfarë bëjmë, kë votojmë, etj…
Pak a shumë…
Ah, po dakord pra, por thuaj “spiun”. Këta janë spiunë… Pra edhe unë e paskam një spiun?! Uh, e çuditshme.