Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Vizitë në studiot e piktorit, Anastas Kostandini

Pasi ndahesh nga bregu i liqenit, ku qëndrojnë madhërishëm të dy monumentet e personaliteteve të Pogradecit, Lasgushit e Kutelit, pak më tej, në një rrugicë të heshtur, gjendet edhe shtëpia-studio e një personaliteti të gjallë, e piktorit Anastas Kostandini. Që të tre poetë: Lasgushi i poezisë lirike brilante, i dyti i prozës poetike rrëfimtare magjepsëse dhe i treti, piktori, një poet i ngjyrës.
Në studion e tij, njeriu do të humbas nëpër ‘labirinthet’ rrëzëllitëse që krijon magjia e ngjyrave dhe që duket sikur vjen po nga ai refleksion i liqenit përbri, gjatë gjithë ditënatës dhe i jetës së tij. Qindra-mijra tablo të piktorit qëndrojnë aty, njërapastjetrës, nëpër mure, korridore e anekse, në të dyja katet e kësaj shtëpie të kthyer në muze së gjalli artistit, për të vazhduar në një tjetër studio më të gjerë në mjediset e Pallatit të Kulturës me emrin e Kutelit. Dhe është ky Kostandin, njeriu me i varfër në dukje e më i pasuri në shpirt, sikundër ishin dikur Lasgushi i shenjtëruar, me pallton e tij të vjetër e me shkopin e pleqërisë dhe Kuteli i gjorë ‘me dy emra’, që s’iu nda ‘biografia e keqe’ pas vetes dhe hija e tmerrshme e burgut… E kushdo do të pikëllohej, po të merrte vesh se këta kolosë të kulturës kombëtare, nuk kanë ende një shtëpi –muze, ku do të gjunjëzoheshin me nderim poetët e sotëm dhe të brezave që vijnë, si edhe do të brengoseshin që shëtitorja ku ecte Lasgushi brigjeve të ‘liqerit pakufi’, karshi Malit të Thatë, nuk e ka ende emrin e tij të ndritshëm.
Anastas Kostandini është mjeshtër i penelit, nga më të mirët që kemi sot, piktori i të gjitha rrymave, të së djeshmes dhe të së sotmes. Në arsenalin e krijimtarisë së tij do të hasësh pikturën monumentale dhe tablo të panumërta të të gjitha dimensioneve, portrete njerëzish të vdekur e të gjallë, pejsazhe të natyrës, kompozime të përmasave të ndryshme në vaj, pastelë e në grafikë, skica e vizatime të pafundme, mozaikë të gjalla e trille të piktorit të fiksuara ne dru, në guacka e në hedhurina gjithfarësh që marrin trajtë e vlerë piktorike. Edhe sendet, edhe objektet më të rëndomta, sikur marin jetë prej duarve te artistit… Një jetë e tërë është sintetizuar aty përmes fantazisë dhe ngjyrës, gjithmonë nga një këndvështrim estetik i artistit të paqetë, kërkimtar, interpretues i thellë i natyrës-mëmë e i njerëzve që e rrethojnë, me peshën e një filozofi që zhbiron pareshtur jetën e tij dhe jetën tonë. E gjithë bota e i tërë shpirti i tij sikur mblidhen këtu, në këto ‘kocofole të mistershme’ ku rishfaqen edhe shpirtrat e Poradecit e të Kutelit, që enden përmbi liqen përjetësisht! Po pikturat e këtij artisti të pazëshëm, në pjesën më të madhe të tyre, janë ekspozuar e shpërndar nëpër botë. Ato nuk gjenden vetëm ne të dyja studiot e tij të Pogradecit, po edhe në Tiranë, Korçë, Fier, Gjirokastër, Prishtinë, Tetovë e Ohër. Por edhe më tej: në SHBA, Gjermani, Francë, Holandë, Rumani e Bullgari.
Isha me fat që qëndrova dy ditë pranë tij, që e piva kafen me të, me njeriun e thjeshtë dhe artistin e madh, që e pata si ‘mik tryeze’, që kuvendova shtruar dhe pashë piktura të rralla, të cilat më ‘dehën shpirtin’, por edhe që eca me të bregut të liqenit në një shi të butë, kur fërfërinin gjethet e pemëve e pikonin çatitë. Në portretin e tij thuajse enigmatik, vija re në heshtje filozofin, qe flet me ‘syrin e mëndjes’, por që di aq bukur të ‘bëjnë të flasin’ mijëra tablo në pëlhurë!
Please follow and like us: