Teatri Shetites Çajupi, gati për shfaqjen “Çfarë pa kryeshërbëtorja” me regji të Kiço Londos
Kanë filluar provat për realizimin e shfaqjes “Çfarë pa kryeshërbëtorja” të autorit anglez Joe Orton me regji të Kiço Londos dhe me aktorët: Genc Fuga, Gentian Zenelaj, Rozi Kostani, Mehdi Malkaj, Ina Morinaj, Ilia Kaçi.
Fabula e “Çfarë pa kryeshërbëtorja” pa dyshim që mund të karakterizohet si qesharake. Fillon me një intervistë pune, e cila shpejt bëhet absurde, teksa Dr. Prentis tenton të joshë Xheraldinën. Menjëherë pasi Xheraldina zhvishet, në dhomë hyn zonja Prentis. Kjo koinçidencë fillestare e vë fabulën në lëvizje, ndërkohë që Dr. Prentisi zhytet edhe më thellë në situatë qesharake për të fshehur nga e shoqja të vërtetën mbi Xheraldinën. Ndërsa dëshpërimi i tij rritet, ai bën që Xheraldina të shpallet e sëmurë mendore, detyron Nikun të vishet si grua dhe e bën rreshterin Meç të heqë rrobat, para se ta drogojë me ilaçe.
Çmenduria e veprimeve të tij i bind Dr. Rensin dhe zonjën Prentis se Dr. Prentis vetë është i sëmurë mendor dhe kështu ai gati sa nuk përfundon me këmishë force. Koinçidenca të pabesueshme çojnë përpara veprimin e fabulës, teksa zonja Prentis gjen rrobën e natës së Xheraldinës dhe pandeh se ajo është vrarë dhe rreshteri Meç mbërrin në derë, në kërkim të Nikut dhe Xheraldinës.
Please follow and like us: