Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Fundi i palavdishëm i ikanakëve të PD

Nuk është se s’dihej fundi politik i Jozefina Topallit, i Astrit Patozit, i Rudina Hajdarit, i Myslim Murrizit e i ndonjë tjetri. Merrej me mend, sepse qysh në zanafillë, Partia Demokratike, e cila s’i ka vënë kurrë në rresht as anëtarët as krerët e saj, ka njohur plot ikacakë.

Dikush u rikthye në vathë i penduar. I falet gabimi dhe koka e falur nuk pritet. Dikush u rikthye kinse i penduar, ama, pa kaluar ndonjë kohë kushedi sesa u vetëdemaskua, gabimin e shndërroi në faj. Dikush e braktisi përfundimisht vathën, që të strehohej në një tjetër pozicion.

Ndër më tipikët, do të veçoja Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin. Jo se Ridvan Bode ose Majlinda Bregu, ta zëmë, janë më “të fisshëm” politikisht, por sepse patën guximin të mos fshiheshin pas gishtit.

Edhe Topalli, edhe Patozi, janë që të dy politikanë me përvojë të admirueshme. Që dy kanë qenë nënkryetarë të PD-së, – e para si kryesuese e Kuvendit dhe i dyti si kryesues i Grupit Parlamentar. Që të dy, ndër ndihmësit më të afërt të Dr. Berishës. Që të dy inatçorë të pandreqshëm përballë liderit ri në ngjitje, Lulëzim Bashës.

 

* * *

Më 23 prilli 2019, afro dy muaj përpara zgjedhjeve vendore të qershorit, Astrit Patozi shpalli me një ngut të paparë zyrtarizmin e partisë Bindja Demokratike. Vendimi i KQZ-së për regjistrim në listën e partive konkurruese u bë në kohë rekord, jashtë të gjitha ligjeve kushtetuese.

Ja çka pretendonte asohere në ABC NEWS ish-krahu i djathtë i liderit historik të PD-së, Dr. Berishës:

“Bindja Demokratike duhet të jetë shtëpi e të gjithëve, partia ku të vërshojnë të rinjtë… Mezi e pres këtë ditë (ditën e zgjedhjeve vendore, EB), kjo është ëndrra ime më e madhe”.

I zënë ngushtë, pyetjes së gazetares Milori për marrëdhëniet me Dr. Berishën, iu përgjigj: “…Z. Berisha është në të njëjtin vend që ka qenë, ndërsa unë jam diku tjetër. Politikisht ne mendojmë ndryshe”. 

I pabesueshëm, madje i palejueshëm justifikimi kësisoj i një politikani me staturën e Astrit Patozit, ndonëse gjithkush ka të drejtë të ndryshojë pozicionin e vet politik. Ama sesi u gjend e sesi e rrëmbeu atë vorbulla e fuqishme e ngjarjeve, kësaj i duhet gjetur medoemos një vegjëzë ku të varet. Sot, kur i janë hequr petët byrekut dhe dihen botërisht udhëkryqet politike të asaj kohe, merret me mend lehtësisht ku dhe kush e kurdisi sahatin e ngutit.

S’ka pikë dyshimi se së ashtuquajturës “Rilindje” i duhej atëherë një kinse parti opozitare si alibi elektorale, në kushtet kur opozita e vërtetë ishte larguar nga Parlamenti dhe kishte deklaruar bojkotin e zgjedhjeve.

Pse, pra, pikërisht Patozi?

Që të mos kaloj vijën e kuqe të arsyetimit, unë e shpjegoj si kundërvënie inatçore ndaj Lulëzim Bashës. Domethënë, për inat të sime vjehrre, do të fle me mullixhinë.

 

* * *

Jozefina Topalli e formoi partinë Lëvizja për Ndryshim aty nga fundi i tetorit 2020, as gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit të vitit në vazhdim.

Me pompë të jashtëzakonshme dhe bash në kulmin e pandemisë, ish Kryetarja e Kuvendit mblodhi një tufë njerëzish në një sallë të shtrenjtë hoteli. Me maska në fytyrë, shumica të rinj, s’besoj se e kuptonin dot të gjithë praninë e tyre në atë sallë. Aq më pak, rrezikun e infektimit me Covid-19.

Edhe më e madhe pompa dhe pretendimet për rikthimin e saj në politikë.

“Tre kryetarë nuk mund të mbajnë peng tre milion shqiptarë… Nuk duhet të ketë një Shqipëri të Ramës, të Metës apo të Lulit – tha ajo në fjalën e saj. – Kurrë nuk e kam humbur shpresën në këto vite të fundit… Dua të bëhem avokatja e interesave tuaja, prandaj bëhuni autorë të fatit tuaj, mos kini frikë… Frikë duhet të kenë ata që vjedhin, që mbajnë peng vendin e partitë… Nuk kam para e as vende për t’iu premtuar vetëm sfidë, nuk kam pushtet, por vullnetin që ky vend mund të bëhet. Prandaj ju ftoj ejani  me ne, të sjellim ndryshimin dhe rrezen e shpresës”.

Retorikë boshe e qesharake, që zor të kenë bindur sallën e mbushur me njerëz me maska. I vetmi ndryshim nga përçartjet e Ramës, domethënë sfida e zonjës Topalli, ishte zëvendësimi i emrit të Dr. Berishës, me atë të Lulëzim Bashës.

Ku Jozefina e njëherë-e-një-kohe, ku kjo e “ballos me maska”! Ku politikania shqiptare që “rrezaton nga bukuria, modestia dhe eleganca” (Revista Iliria, Kroaci), ku ajo e rikthyer në politikë me qëllime të dyshimta dhe me rrezatim në zbehje!

Ishte koha kur Shqipëria u pranua në NATO dhe kryetarja demokrate e Kuvendit mburrej asohere me të drejtë gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci, duke falënderuar mikpritësit për kontributin e tyre ndaj një vendi ballkanik me pikësynim Bashkimin Europian.

 

* * *

Tentativat e dështuara politike të Topallit, të Patozit, të Murrizit e të ndonjë tjetri  rezultuan një vrimë në ujë. Pas kësaj, gjithkujt i lind e drejta të pyesë: Kujt i shërbyen nismat për të krijuar parti të reja të së djathtës, bash në prag zgjedhjesh? Rastësi të kenë qenë?

Aspak të rastësishme. Përkundrazi, të qëllimshme.

Kopje besnike mes syresh, ikacakët inatçorë të PD-së i sajuan partitë kala prej rëre, për ta njollosur figurën e liderit demokrat, me të cilin nuk guxuan të konkurronin pas dorëheqjes së Dr. Berishës në vitin 2013.

Atëherë, kë njollosën më shumë?

Morën vërtet nga një grusht votash,-  nga 6-7 mijë secila parti, – por, siç vëren me të drejtë Artur Zheji, “në vende sensitive, aty ku diferenca shkonte në dëm të PD dhe në favor artificial të PS”.

Ama, më shumë sesa Bashën dhe Partinë Demokratike njollosën dhe dëmtuan veten e tyre, aq sa ia nxorën bojën vetes dhe u bënë qesharakë në sytë elektoratit. Sepse, duke kryesuar listat ose duke qenë në pozicione favorizuese, morën vetëm votat e ndoca ndjekësve besnikë. Topalli, 598 në Qarkun e Shkodrës. Patozi, 671 në qarkun e Tiranës, kurse Murrizi, 549 në Qarkun e Fierit.

Tashti, pavarësisht dorëheqjeve, le t’i pinë lëngun tollovisë politike që krijuan.

 

Please follow and like us: