Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Gulielm, këta të vrasin natën dhe të qajnë ditën! 

 

 

Të mbash mend Gulielm Radonë është një privilegj social a brezash. Një nga rolet e tij madhore është ai i mësuesit të Kolonjës Petro Nini Luarasi, dëshmorit të gjuhës sonë. Mblidhmani gjakun, thotë ai, mblidhmani se do u duhet për fëmijët tuaj. Po kujt ia tha… nga ahere ka kaluar një shekull dhe ne veç vrasim veten me pasionin e atyre që na katandisën në një thelë. Ky kori i zhurmës filloi rishtas. Një mizerje sociale shqiptare që ta shpif. E bënë para pak kohësh kur humbëm Hajrie Rondon, ose gruan e Petros. Kur humbëm Xhevdetin e urtë, ose karakterin e bukur të filmit shqiptar. Kur humbëm Rikard Ljarjen etj. Eshtë bajate t’i dëgjosh. Ndofta për t’i shpëtuar kësaj ‘dashurie’ vulgare, i madhi Fatos Sela e la me gojë, ta përcillnin pa asnjë tubim, pa më të voglën zhurmë etj. Siç erdhi të ikte. Pse? Ka vite që tek ne mbretëron hipokrizia. Një hipokrizi sociale që të vret natën dhe të qan ditën. Ka një pleksje tipash që nuk t’i kursejnë lëvdatat. Jo nga dhimbja, se dhimbja të memecon, por nga pordhët e mëdha për t’u dukur. Kush, se gjoja të kishte mik, kush se është gjoja intelektual e i dhëmb ikja jote. Ne skuthemi deri në asht për t’u dukur një çikë intelektual. Një pozë me ty të bën trendi. Të përputh me kohën tonë. Por veç roleve e tipave është dhe një rol i fundit, një foto ku ti mbaje një pankartë në dorë. Aty shkruhej “Unë jam Teatri”. Rrëgaja e mizerjes nuk të pordhi atëhere. Nuk ta vuri veshin. Sot që vdiqe je i pazëvendësueshëm për ata. Sa ishe gjallë kush po pyeste. Madje të shenjoi me gisht. Të shpallën rishtas kulak. Rrëgaja e intelektualëve që postojnë foto me ty, janë roli i gjallë i atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën. Pse? Po zhdukin pa gajle e ndërgjegje gjithçka që ka lidhje me atë që tashmë është historia jonë. Do bëhemi Dubai. Megjithëse vdesim që kur shkojmë në Barcelonë, të pimë një kafe në hotel Las Ramblas. Aty ku e pinte Gabriel Garcia Markezi. Kur shkojmë në Paris, tek kafja e Mishel Pikolisë. Dhe teatrin a filmin ku ai luajti, nuk e çon kush në mend t’i prishi. Kurse ne surrogatot që pordhaliqemi se duam kulturën, e shtypim me feçkën e Varinskit çdo tullë të saj, pluhur e bëjmë. Po pse hiqeni sikur ju dhëmb ikja e Gulielmit, shoqëri hipokrite? Ta donit kaq shumë nuk ia prishnit skenën ku ai shkeli. Kishit toka me shumicë kudo. E mund të bënit një teatër tjetër. Po si kujtoni se do e zëvendësoni? Asesi. Sikur austriakët të prishnin Teatrin ku luajti Aleksandër Moisiu ynë, do kërcenim pupthi. Megjithatë, nuk e bëmë këtu në dheun tonë.

Po nga ta kapësh. Dhe ti e di Gulielm, jemi kanibalë të kulturës sonë, të historisë sonë. Kot ankohemi nga turku, greku, nemcja, a Italia me gjermanin. Biles këta të fundit kanë bërë më shumë për kombin se çdo qeveri pas Luftës së Dytë Botërore. Na e the shkoqur, mblidhmani gjakun, por ne me ty duam vetëm pozën, pozitjen. Që të pordhaliqemi. Jo se na dhëmb… Kësisoj rezultati është se jemi kthyer në një komb me makete historie. Shumë nga objektet e kultit tonë i kemi makete, jo realë. Se tek ne historia bëhet si thotë Enver Hoxha dhe Edi Rama, jo si thotë ajo. Të tillë do të kemi dhe Teatrin Kombëtar. Skenën ku ti shkele. Do i sillemi atij xhamllëku me gota shampanje, një kope mes portreteve dhe shpirtrave. Një shoqëri pa identitet.

https://www.cna.al/2021/05/06/nga-ilir-levonja-gulielm-keta-te-vrasin-naten-dhe-te-qajne-diten/?fbclid=IwAR1vW9HQ1MqQAmgtvQRsL2QKqy-N5lx1rygJn1WOArG3vbrmK-Rq41uQxi8

Please follow and like us: