Albspirit

Media/News/Publishing

Zhdukja misterioze e kryqit në kishën 15 shekullore të Labovës në Gjirokastër

Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë.

Ajo njihet si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën.

Ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, në rrethin e Gjirokastrës, i vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës.

Nga periudha bizantine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe emri lidhet me kryqin e kishës në fjalë.

Historia e Kryqit të Laboves zë fill në vitin 326 Pas Krishtit.

Shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh të Bizantit, gjeti në Jeruzalem kryqin ku ishte kryqëzuar Krishti.

Disa copa druri nga ky kryq u shpërndanë. Një prej tyre mendohet se gjendej në kryqin e kishës së Labovës.Ky kryq u nda në dy pjesë, një pjesë mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Konstandinopojë.

Një nga studiuesit shqiptarë që pjesën më të madhe të jetës së tij ia kushtoi Kishës së Labovës së Kryqit, Gazmend Muka(1964-2012), ka shkruar se ky kryq u soll në Labovë në prill të vitit 559 nga Kostandin Shpatari.

Mukaj shkruan se brenda kryqit ndodhej një kuti druri e punuar hollë.

Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri rreth 152 gram.

Llogjika të thotë se Kostandini, duke qenë shpatar i Perandorit Justinian si njeri me influencë, ashkëlën për Kryqin e Kishës së fshatit të tij duhet ta ketë marrë nga Kryqi origjinal që gjeti Elena.

Për banorët e fshatit Labove dhe fshatrave për rreth, ky kryq për 1430 vjet ka qenë kryq i mrekullive, çudibërës dhe qetësues.

 Kur në vitin 1967 u shkatërruan të gjitha kultet fetare, ky kryq u fsheh dhe u ruajt.

Ai u vodh në vitin 1989 dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve private nga banorët apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit.

Megjithëse për këtë ngjarje u gjykuan dhe u dënuan tre persona asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfundoi ai.

Please follow and like us: