Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Gjokaj: Përse e vramë Liljanën?

Fati i trishtë i Liljana Buzos është lajmi i ditës. Portalet informative dhe televizionet gëlojnë me informacion mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur përballë Gjykatës së Elbasanit, ku viktimë ishte një grua e vrarë nga bashkëshorti i saj, teksa kishte kërkuar të divorcohej prej tij. Historia e ngjashme e rradhës. Se di as sa kohë ka kaluar nga ngjarja e saj paraardhëse! Pështjellimet emocionale janë krejt të natyrshme për secilin prej nesh që merr vesh një ngjarje të tillë. Kush nuk drejtoi gishtin nga bashkëshorti i saj? Edhe unë, teksa mendoja për të gjithë historinë, ashtu e tronditur dhe e pikëlluar, në reagimin tim imediat mllefin ia adresova Koço Buzos. Se si një njeri kaq i afërt mund të kryejë një veprim të tillë? Ai që i ke falur kohën, përkushtimin, vazhdimësinë dhe ndan gjithçka është e çmuar! Dikush që ke ndarë shtratin, bukën, ëndrrat dhe pritshmëritë për të ardhmen!

Më pas u ndala të mendoja se si e gjitha kjo është rezultat i disa hallkave të cilat formojnë një zinxhir e që në fund të fundit nuk është asgjë veçse një rreth vicioz dhe vrastar. Mendova se para sa kohësh dhe ku ishte ankuar Liljana për të gjithë kalvarin e dhunimeve fizike dhe psikologjike të shkaktuara nga i shoqi? Në polici? Nuk e di me siguri, por jam e bindur se tentativat e saj të para të denoncimit të dhunës kanë qenë të pasuksesshme. Mbi të gjitha, sepse Koço paska qënë Efektiv Policie dikur.

Po mirë, në kurrikulat shkollore të Akademisë së Policisë, nuk ua mësuan se dhuna është krim dhe dënohet nga ligji? Se të parët e instancave shtetërore janë policët që e parandalojnë dhe dënojnë atë? Kush i edukoi ruajtësit e rendit publik? Çfarë mbrojnë e sigurojnë ata? Nëse jo shkolla, a nuk ndodh që edhe praktikat e punës të na japin apo përforcojnë dijet? Si janë trajtuar ngjarje të ngjashme nga Koço dhe kolegët e tij? Nëse nuk ka trajtuar një ngjarje të ngjashme, minimalisht supozoj që ka e dëgjuar një në tavolinat e punës, në korridoret e komisariatit apo në bisedat me kolegët teksa pinin kafen para apo pas punës. Askush s’ia shtiu në mendje se ky veprim është i gabuar dhe dënohet me ligj?

Ore, a ka qënë Koço pjesë e një diskutimi me familjarët e tij të afërt, të cilët i do dhe i vlerëson, e ku ka parë reagimin e tyre kur kanë dëgjuar një histori të tillë në edicionet informative (e në Shqipëri kanë ndodhur plot të tilla!)? Nuk i rëndi fjala dhe reagimi i nënës së tij kur shprehu dhimbje për viktimën e rastit? Po nëse familja, shkolla, puna, shoqëria, ligji, shteti, dështon që ne të mësojmë çfarë është e bëshme dhe çfarë jo me një person tjetër, kush na e mëson? Po nëse të gjitha këto mësipër na cenojnë jetën, kujt t’i drejtohemi?

Koço nuk është i vetëm në këtë. Ai është produkt i çdo njeriu, qoftë edhe kalimtar i rastësishëm që e hasi gjatë rrugës për në shtëpi. Është produkt i të gjithëve ne, që mbase jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por sepse ne mund të kemi njohur dikë i cili njihte dikë tjetër dhe ky akoma një tjetër që kishte kontakt me Koçon. E mbase një këndvështrim ndryshe do i ishte ofruar. Mbase një tentativë për të qenë më pranë të vërtetës, më pranë normales, më pranë njerëzores.

U ndala të mendoja jo që humbëm Liljanën, as vajzat dhe gratë e tjera të cilat kanë rënë pre dhunës në familje. U ndala të reflektoja se si të gjithë ne, pjesëtar dhe pjesmarrës në mënyrë direkte dhe të tërthortë të jetës së këtyre njerëzve, i vrasim përditë nga pak. Se si me veprimet dhe mos-veprimet tona ne jemi po aq përgjegjës sa ekzekutorët finalë të këtyre krimeve. Se si Liljana mund të ishte ende mes nesh nëse diku-dikush prej nesh do kishte shkëputur hallkën. Mbi të gjitha pyeta nëse diku-dikush nga ne do ta bëjë në të ardhmen këtë gjë, për të shpëtuar dikë tjetër ose mbase edhe veten.

Ana Gjokaj: Sot disa të vërteta prevalojnë mbi disa të tjera

Please follow and like us: