Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Udhëkryq në një tavolinë zyre

 

Jam mirë- tha ajo

Ndërsa më shihte në sy

Dhe cepi i syrit i lëngëzonte.

 

Jam mirë- tha ajo

Teksa provonte të lyente buzët

Si ëndrrat e viteve shuar me karbon.

 

Jam mirë- tha ajo,

Edhe pse djali i madh kërcënoi,

Sapo ta braktiste të atin

Do ta mohonte si nënë!

 

Jam mirë- tha ajo,

Edhe pse vëllai më rrahu në rrugë

Se i paskërkam marrë erzin.

 

Jam mirë- tha ajo,

Dhe gëlltiti lotët në grykë

Si gotat e alkolit mes shokësh, i shoqi.

 

Jam mirë- tha ajo

Edhe pse monedhat që preku në xhep

Nuk mjaftonin të blinte shishen e qumështit për vajzën.

Ai, burri i saj,  ia kish vjedhur një mbrëmje më parë

Siç bënte zakonisht kur vizitonte lojrat e fatit.

 

Jam mirë- tha ajo,

Edhe pse trupi I ngjante një gjethe vjeshte.

 

Jam mirë – tha ajo.

Dhe mbi një fletë të bardhë shkruajti

Duke më parë në sy,

Sikur të kishte gjetur fjalën e fshehur të një rebusi,

Jam në Itali!

 

Jam mirë- tha ajo,

dhe shënoi përsëri mbi fletë,

Numrin 15-të, të viteve në mërgim.

 

Je mirë, fort mirë – ngriti zërin ajo,

Kur mëson të boshatisësh valixhen!

Please follow and like us: