22 qershor 2015/Llukan Saqellari: Maskara e pyjeve dhe stani që po shkatërron Hoshtevën e Zagories
Një sipërfaqe jo e vogël prej disa dhjetra hektarësh, shtrihen në faqen perëndimore të Dhëmbelit me drurin e Venjës, mbi fshatin Hoshtevë të Zagories. Një specie e veçantë, e shpallur ”Monument Natyre”, në 1977. Të lashta sa nuk mbahen mend.
Drurë endemikë sa të parët tanë i quanin ‘të shenjtë’ dhe nuk vinin sopatë mbi ta! Të fortë dhe rezistentë! Kur lotojnë nxjerrin një lloj rrëshire që në kohë të para përdorej si ‘temjan’ në Kishë dhe kundërmonte era origjinale, bio, pjellë e këtij druri të shenjtë, në vend të asaj artificiale, që sot importohet nga Greqia.
Zagoria dhe Hoshteva është me fat që ka një pasuri të tillë dhe sipas studjuesve është i vetmi pyll i rrallë që nuk e ka shokun në Shqipëri. Venjat e Hoshtevës meritojnë më shumë, të shpallen ‘Park Natyror Kombëtar”. Po kush t’i propozoi kjo administratë? Ndaj venjave nuk u qasen turistët se nuk u dinë adresën.
Të mbrojtura nga vendasit, denbabaden Edhe kur nuk kish shtet, kish një organizëm që merrte vendime fshaçe, kishte rregulla që zbatoheshin prej të gjithëve. Ndaj ky pyll i veçantë u mbrojt e u trashëgua brez pas brezi.
Edhe në diktaturë kjo zonë jo vetëm u mor në mbrojtje prej shtetit, po nuk u pre asnjë degë. E ruajtën vendasit se ‘venjat’ u sillnin shiun e dëshiruar në ditët e nxehta të verës dhe ajrin e bëjnë më të pastër se ç‘është në këto male. Prej të parëve trashëguam pasuri me vlera natyrore dhe kulturore. Trashëguam lisa të mëdhenj shekullore, kisha dhe ura me harqe, porta karakteristike me simbole skulpture…
Le të pyesim vehten: Ç’u bënë? Pse nuk u duket as nami e nishani? Pse u sollëm si ‘barbarë’ me to? Ç’ishte ky lloj shteti që na panë sytë këto 25 vjet, ku çdo vlerë e së kaluarës u shkatërrua!
Fajtore e drejtpërdrejt, administrata shtetërore!
Sot pas çerek shekulli demokraci, Natyra dhe Mjedisi në shumë zona kodrinore- malore është tjetërsuar për keq, është shkatërruar. Kështu ndodhi edhe me Venjat e Hoshtevës! Së fundi janë prerë mbi njëmijë drurë, jo me sopatë, por me sharrë me benzinë, pa djersitur fare keqbërësit! Prerja e tyre është e çuditshme!
Dy- tre stanarë i lëvizën stanet nga mali e kodra brenda fshatit dhe shteti-komune i bëri sehir. Si po i bën edhe sot! Dhitë e tyre rrafshuan çdo lastar jeshil dhe e shndërruan mjedisin në shkretëtirë… Kështu stani e përgjunji komunën-shtet. Se stani ka ‘ligjet e tij korruptivë’…
Erdhi një ditë që stanarët u lëshuan mbi venjat fatkeqe për të ngritur stalla jetëgjata me drurin e shenjtë. Atë që nuk e bënë vandalët që shkelën Zagorien shumë shekuj më parë, e bënë ‘stanarët’ me ‘bekimin’ e kryekomunarit të Zagories! Më saktë e bëri një pjesë e administratës shtetërore të Gjirokastrës. Një ushtri e tërë zyrtarësh që paguhen nga shteti po i ‘vënë fitilat shtetit’. Megjithë denoncimet e bëra kryekomunari mori në mbrojtje stanarët, përgënjeështroi denoncimet dhe i krijoi dëme të pallogaritshme krahinës. Mori në mbrojtje keqbërësin, që sharroi ‘Kurorën e gjelbër’ të Hoshtevës, një zonë kodrinore e pyllëzuar, me djersën e kooperativistëve. Mori në mbrojtje ata që sharruan mijra lisa në Zagorie, që po sharrojnë edhe sot korije të tëra. Dy drejtorë Mjedisi kanë ardhur në Zagorie dhe kanë miratuar ”gënjeshtrat” e Kryetarit! Drejtorët dhe specialistët që i shoqëronin ” kërkonin gjurmët, paçka se kishin përpara ujkun”! Zyrtarët e shtetit nuk e morën mundimin të ngjiteshin në mal dhe të numuronin venjat e prera! Drejtorët shoqëroheshin nga i madhi i komunës dhe më keq akoma nga punëtori i policisë së zonës. Erdhën gjoja për të verifikuar edhe një letër kolektive, që banorët e lagjes i kishin bërë drejtorit. Ankoheshin për një kope bagëtish me 400 kokë në mes të fshatit, 4 a 5 m pranë banesave të tyre, që po heqin picirën prej ndotjes së Mjedisit. Po a e zbatuan ligjin? Jo, e shkelën se ligjet e stanit janë më të forta se ligjet e shtetit! Këta zyrtarë në bashkëpunim me njeri- tjetrin mbuluan një krim mjedisor, i vunë kazmën një monumenti natyror, të pa përsëritshëm! Ç’mund të thuash për të tillë nëpunës të administratës shtetërore, që veç rrogës marrin edhe dieta shërbimi, harxhuan dhe naftën e qeverisë? Po për inxhinierët pyjorë dhe inspektorët e Mjedisit që shakullepsen zyrave? Kur janë prerë korije me lisa shumëvjeçarë dhe ca më keq ”kurora të gjelbra”, ”mushkëri të fshatrave”, që mezi janë mbjellë nën drejtimin e po atyre inxhinerëve pyjorë që sot i bëjnë sehir!
Please follow and like us: