REXHEP SHAHU: ANTIKOMUNISTË TË TILLË DUHEN SHPIKUR…
Kërkohet një disident politik që të thotë hapur e qartë pa rrena e trillime se unë kam bërë burg, se kam qenë kundër Enver Hoxhës e Partisë Komuniste, kundër regjimit diktatorial dhe të mos jargavitet duke thënë se ja spiunët që më spiunuan e më dënuan.
Nëse një disident thotë se është spiunuar e dënuar nga spiunimet dhe nëse sot vjell urrejtje kundër bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke hesht për punëtorët e Sigurimit, ai pohon se nuk ka qenë disident, por kanë shpifur e kanë spiunuar për të spiunët, bashkëpunëtorët e Sigurimit. Po të mos e kishin spiunuar bashkëpunëtorët e Sigurimit, po të mos kishin shpifur për të, ai nuk do të bënte burg, pra nuk ishte disident.
Ndaj kërkohet një disidencë që të mos shalojë bashkëpunëtorët e Sigurimit, por të artuikulohet qartë, kam bërë burg se kam qenë me ndërgjegje e me bindje hapur kundër regjimit komunist.
Një disidencë e tillë e shëndetshme do ta shpëtojë Shqipërinë, ndërsa disidentët deledash që përkulen para punëtorëve të Sigurimit e shkelin me këmbë bashkëpunëtorët e Sigurimit, nuk i shërbejnë shëndetit të disidencës sonë, të dinjitetit tonë.
Natyrisht që kishte spiunë, natyrisht që edhe nëse nuk kishte spiunë, Sigurimi do t’i krijonte, do t’i gjente, do t’i shpikte spiunët apo bashkëpunëtorët sepse ashtu ishte procedura, duhej bërë dosja. Kjo është e qartë.
Bashkëpunëtorët e Sigurimit udhëhiqeshin e diktoheshin në çdo hap nga punëtorët e Sigurimit, ani se rrufetë e urrejtjes e dobësisë sonë bien jo mbi punëtorët, por mbi bashkëpunëtorët e Sigurimit që gjenden lehtë përmes shtrëngimeve e kërcënimeve.
Por çudia ndodhi pas rënies së regjimit komunist se disa njerëz të burgosur që panë dosjet e tyre, u turrën kundër bashkëpunëtorëve të Sigurimit sikur ata kishin bërë burg vetëm për shkak se ishin spiunuar nga bashkëpunëtorët e Sigurimit qoftë këta vëlllezër, dajë, nip, burrë, grua, dashnore-dashnor etj.
Duke u turrur me tërbim kundër bashkëpunëtorëve të Sigurimit të dënuarit u zhveshën nga kostumi i të dënuarit politik, nga kostumi i disidentit, i njeriut anti parti, anti regjim, nga kostumi i atij që nuk e kishte dasht dhe e kishte kundërshtuar me bindje diktaturën komuniste dhe u shndërruan në njerëz që ishin dënuar padrejtësisht dhe ishin dënuar vetëm nga shpifjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit pasi po rezulton se ata nuk kanë qenë me ndërgjegje antikomuniste, antisistem. Sepse po të ishin me bindje antikomuniste, anti sistem, ata vetëm me veglat e Sigurimit të Shtetit nuk do të merreshin vetëm me bashkëpunëtorët, nuk do të merreshin kurrë, e shumta do t’i mëshironin ata por nuk do t’i shpallnin shkaktarë të burgosjes së tyre.
Të dënuarin politik, atë të dënuar që ka qenë kundër Partisë së Punës e kundër Enver Hoxhës, kundër sistemit kriminal të luftës së klasave nuk e përfytyroj dot si ata nxënësit spiunë në klasë që ankohen te mësuesi se po ia nxjerr gjuhën shoku i klasës apo se e pickoi shoku i bankës.
Jam dëshmitar i gjallë dhe dëshmoj sot e mot se shumë të dënuar politikë e tutorë të tyre, oficerë të Sigurimit të Shtetit, shefa partie etj, hanë mish e pinë raki e bëjnë krushqi me njeri-tjetrin. Nuk jam kundër, as kam qenë as jam kundër, shoqëria do të pajtohet, martesat armiqësitë i kthejnë në miqësi, por nuk duroj dot sulmin e pështirë që u bëhet më të vegjëlve, më të vobektëve, veglave më të ndryshkura të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Ata tallen, përgojohen, poshtrohen siç përgojoheshin dikur ballistët prej komunistëve.
Të dënuarin real politik e desha dinjitoz, që të mos merrej me bashkëpunëtorët, por të qëndronte vertikal në jetë, të thoshte unë kam qenë kundër Enver Hoxhës e Partisë Komuniste dhe jam dënuar me bindje për këtë gjë sepse kam qenë kundër, kam shkruar kundër, kam pikturuar kundër, kam artikuluar kundër, kam punuar e vepruar kundër, jam zbuluar dhe jam dënuar, por nuk është aksident dënimi e burgosja.
Por duket antikomuniste të tillë duhen shpikur… se ndoshta nuk ka ose ka shumë pak dhe ata janë aq fisnikë sa nuk flliqin veten e tyre në faqe gazetash e ekrane televizionesh duke shaluar bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit e duke fshehur punëtorët e Sigurimit, duke u fshehur e ndërruar rrugë prej punëtorëve të Sigurimit…
Kështu ndodhi e po ndodh edhe me ca të vetshpallur ikona të disidencës apo të shpallur si modele të moralit nga qeveria e Partia Socialiste, pasuese e Partisë së Punës dhe që në një masë të madhe drejtohen nga bijtë e atyre që drejtuan Partinë e Punës.
Disidenca jonë është me patericë. Eksponentë të disidencës sonë i shërbejnë me devocion Partisë Socialiste, e akuzojnë për çdo mos realizim të tyre në jetë në këto tri dekada Partinë Demokratike, e cila nuk ka bërë mrekulli, por ua këputi prangat kur erdhi në pushtet dhe ndihmoi që të dënuarit politikë të ishin të barabartë me të gjithë njerëzit, por në radhët e parë për nderim ndaj tyre.