Taulant Dedja: Basha ka shansin historik të zhdukë skemën e Ramizit të Dhjetorit ’90
Pas ftesës djallëzore të Kryepatronazhistit të zgjedhjeve të vjedhura të 25 Prillit, bashkëqeverisja PS-PD është një tezë që po përflitet gjithnjë e më shumë. Parimisht nuk jam kundër një ideje të tillë. Gjithsesi, pa penguar aspak hetimin e krimit zgjedhor apo përsëritjen e zgjedhjeve në zona të caktuara nëse do jetë e nevojshme, bashkëqeverisja do kishte kuptim vetëm me skenarin e zgjedhjeve të parakohshme në një afat 1-2 vjeçar, bazuar në një marrëveshje transparente, për hir të paqes sociale dhe përparimit të procesit të integrimit në BE. Ajo çka është më e rëndësishmja është që Rama, përgjegjësi kryesor për krimin zgjedhor nuk duhet të mandatohet dhe pranohet si kryeministër. Bashkeqeverisja me Ramën kryeministër do ishte vetvrasje për PD dhe dëm i pallogaritshëm për vendin.
Një marrëveshje transparente dhe parimore, domosdoshmërisht do duhet të përfshinte reformimin e sistemi zgjedhor, zvogëlimin drastik deri në përgjysmim të numrit të deputetëve (mundësisht të mos jenë rrogëtare por të ndiqet modeli zviceran) rishikimin e ndarjes territoriale (ndarja mekanike në 65 bashki jo vetëm është gerrymandering por është dhe idiotizëm me brirë kundër çdo logjike zhvillimore social-ekonomike) garantimin e votës së Diasporës si dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës jo me pazare por me votim të drejtpërdrejtë nga populli në rastin më të mire.
Gjithashtu në kabinetin qeveritar (me jo më shumë se 10 ministri mundësisht) që do drejtojë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme (që mund të zhvilloheshin në një ditë edhe me zgjedhjet lokale) nuk duhet të ketë persona politikë por ekspertë, të cilet të marrin mbeshtetjen si nga PS edhe nga PD (5 të propozohen nga secila palë).
Kryeministri të mos jetë partiak, por një profesionist, mundësisht ekonomist ose jurist, figurë e pranuar nga të gjithë. Kjo ide ngjan pak a shumë me stilin që ka qeverisur Italia në shumë raste.
Gjyqësori dhe SPAK të mbështeten nga të gjithë, përfshi faktorin ndërkombëtar, që të veprojnë të pavarur dhe të çojnë pas hekurave cilindo që ka abuzuar me pushtetin, pa perjashtim.
Sipas meje, Rama e di që nuk e ka të gjatë mbijetesën me stil autokratik. Këtë mund ta tolerojnë amerikanët duke mbyllur një sy për njëfarë kohe, por kurrsesi nuk do ta tolerojnë pafundësisht europianët e në radhë të parë Gjermania.
Rama mendoj se me lëvizjet që po tenton të bëjë, kërkon të blejë imunitetin dhe të garantojë paprekshmërinë e pasurive të tij të paligjshme.
Personalisht nuk më vjen keq për askënd që do shkonte pas hekurave, nëse ka abuzuar me pushtetin, cilido qofte, nga i pari tek i fundit me funksione kushtetuese!
Kjo skemë që përmenda më lart sipas meje e shpëton të ardhmen e Shqipërisë dhe jo marrëveshjet e tipit “Restorant Krokodili”.
Nëse Basha e nxit dhe e realizon një zgjidhje të tillë, do hyjë në histori si politikani që solli kthesën për mbarë të Shqiperisë dhe që zhduku përfundimisht nga skena politike skemat e Ramiz Alisë të Dhjetorit 1990.
©Flasshqip.ca