Bujar Hudhri: 25 vjet, historia e panjohur e bashkëpunimit Onufri-Kadare
ISHTE NJË TERREN I VËSHTIRË DHE VAZHDIMISHT BININ RRUFE
Gjysmë shekulli më parë
Më kujtohet kur isha një nxënës në tetëvjeçare, mbi pesëdhjetë vite të shkuara, kur një të diel në mëngjes, i shoqëruar nga vëllai im i madh, u regjistrova në bibliotekën e qytetit. Atëherë banonim në Peqin. Libri i parë që kam marrë, e mbaj mend si tani, ishte Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Siç duket, titulli pati ngacmuar fantazinë time dhe e mbarova librin me një frymë. Të nesërmen, ditë e hënë, që në mëngjes shkova ta dorëzoja në bibliotekë, por e gjeta mbyllur. S’dihet sa kisha pritur te dera, kur pashë tabelën e orarit: E hënë, pushim!
Ngjarja tjetër duhet të ketë lidhje me një konkurs kombëtar të vitit 1969, ndërsa ndiqja shpalljen e fituesve në gazetën Drita. Më sheh im vëlla, i cili ishte atëherë student në Institutin e Arteve dhe më pyet pse isha mërzitur. “Kadareja nuk e mori çmimin e parë”, – i thashë, thua e kisha humbur unë çmimin. – “Ja, e mori Dritëroi çmimin e parë, kurse Kadareja u afrua gjithë arrogancë të tërhiqte çmimin e tij te juria”. S’di pse kjo fjalë më ngushëlloi. (Arroganca më ka mbrojtur nga sulmet e mediokërve, do të dëgjoja shumë vjet më vonë nga Kadareja).
Ishte një rast kur mund ta takoja për herë të parë. E mbaj mend datën: 28 nëntor 1980. Kadareja me zonjën e tij po ktheheshin nga vizita në Prishtinë, ku ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij. Në kufi kishte dalë për t’i pritur im vëlla, Feridi, atëherë redaktor në gazetën Drita. Ishin kthyer në shtëpinë tonë, por unë isha ushtar, ndaj nuk munda t’i takoja. Edhe sot e mbaj mend që zonja Kadare kishte sjellë një tufë karafila të kuq nga të Kosovës.
Do ta takoja shumë vjet më vonë Kadarenë, pasi kisha themeluar dy gazeta të pavarura, Fjala e lirë (16 shtator 1991-14 shtator 1992) dhe Ku vemi (tetor 1992-janar 1993), dhe shtëpinë botuese Onufri. Po ashtu, kisha instaluar një shtypshkronjë me ndihmën e një kredie të programit “Phare” të Komunitetit Europian. Mund të jetë e para shtypshkronjë në vend që përdori kompjuterin në procesin e shtypit dhe kjo na dha mundësi të konkurrojmë të gjitha shtypshkronjat shtetërore të cilat edhe disa vjet më pas do të përdornin germat prej plumbi.
Pas nja dy vjetësh Onufri kishte edhe një godinë ndër më të bukurat e qytetit. Ishte projektuar nga arkitekti i shquar shqiptar, Qemal Butka, i cili më vonë ka projektuar grataçela në Nju-Jork. Mbaj mend se, kur po bënim pagesën e këstit të parë, ishin mbledhur pasardhësit dhe njëri prej tyre më tha që, të kishte qenë gjallë babai, nuk do ta kishte shitur kurrë këtë godinë. Pasi pushuan diskutimet, më i madhi prej tyre u drejtua: të ishte gjallë babai, do t’ia kishte falur këtij djali për atë që po bën për kulturën! Nuk i harroj kurrë këto fjalë të cilat, mbase, do ta profilonin edhe më qartë rrugën që do të ndiqja në jetë. Po për këtë do të flasim më vonë.
Ismail Kadare, Bujar Hudhri dhe Jusuf Vrioni
Takimi i parë me Kadarenë
Isha bërë një botues i njohur tashmë. Mendoj se arsyeja kryesore ishte drejtimi që kisha marrë për botimet e autorëve shqiptarë, duke filluar me librin e parë Abeli të Haxhiademit, ndërkohë që pothuaj të gjithë kolegët e mi kryesorë botonin vetëm letërsi të huaj. Mbase po shtroja rrugën qetësisht drejt Kadaresë, i cili tani për herë të parë botohej nga një botues privat. Ishte shtëpia botuese Çabej, e Brikena Çabejt, vajza e profesorit të famshëm, ish-redaktore e Naim Frashërit. Dhe librat që ajo kishte nisur të botonte ishin modeli europian që kurrë nuk ishte parë në libraritë tona. Edhe sot janë model! Ndaj lidhja me Kadarenë më dukej edhe më e largët, aq më tepër që të dy jetonin në Paris, mund të kontaktonin shumë kollaj. Ndërkohë Kadareja po vinte më shpesh në Shqipëri dhe normalisht që botuesi duhej të ishte në Shqipëri për botimin dhe shpërndarjen e librave të tij.
Ka qenë qershori i vitit 1995 kur mund të takoheshim, por nuk e mbaj se ç’ngatërresë ndodhi dhe u la për në vjeshtë. Përsëri një ngatërresë me orarin. Kadareja na priste në orën 14.00 në shtëpinë e tij dhe mbase kam menduar që e kisha dëgjuar gabim, sepse ishte vakt dreke. (Më vonë do të mësoja se pikërisht kjo ishte ora më e rëndësishme për të pritur vizitorët në shtëpinë e tij). Edhe këtë herë gjithë sherrin e përballoi im vëlla, Feridi, që kishte mundur t’i mbushte mendjen të takoheshim në orën 18.00.
Por nuk qe e thënë. Përsëri u vonuam, sepse ngatërruam katin dhe u përballëm me derën e apartamentit të Dritëroit. Doli duke qeshur Sadija dhe tha se nuk është hera e parë që na ngatërrojnë me Ismailin. Zbritëm dhe hymë në dhomën e ndenjjes, një dhomë shumë e madhe, pak e ndriçuar nga dielli i pasdites. Disa minuta zgjati debati me tim vëlla, jo pse nuk janë korrekt njerëzit në këtë vend, a është i rëndësishëm ky takim për ju, pse neglizhoni etj.
Më erdhi radha mua të flisja. Pasi më pyeti se ç’botoja, i thashë se kisha vepruar si në një kampionat boksi derisa të arrija te sfidanti i duhur. “Mirë, mirë, por lëri këto tani”, – dhe për herë të parë pashë se një buzëqeshje u përhap në gjithë fytyrën, kur ai ndezi një nga abazhurët. Në këtë moment im vëlla i tha: “Jepi një libër Bujarit për botim”. Ai u ngrit energjikisht nga kolltuku i thellë ngjyrë bezhë, shkoi në studio dhe u kthye që andej me një libër në dorë, në frëngjisht. E vuri në tavolinë në krahun tim dhe tha me seriozitet: “Ja, ta provojmë me këtë libër”. Ndërkohë Feridi nxori një stilolaps dhe ia zgjati duke thënë: “Shkruaji diçka Bujarit, ndryshe e gjitha kjo do t’i duket si një ëndërr”. Ai zuri vend në kolltuk dhe qetësisht, pa e zgjatur, shkroi autografin e parë dhe të fundit për mua: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar suksese në punën e tij fisnike dhe si një fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare. 14 nëntor 1995”. Nuk kam asnjë foto nga ai takim!
Një autograf për bashkëshorten time, Suzanën, 1996.
Vizita tek Onufri në Elbasan
Kaluan gjashtë muaj dhe Kadareja u kthye përsëri në Tiranë. Ndërkohë, unë kisha botuar librin e parë Dialog me Alain Bosquet. Edhe pse kisha vetë shtypshkronjë, për të pasur një libër cilësor e shtypa në Itali. Cilësia e lartë, çmimi i shitjes shumë i arsyeshëm. Kështu e kam nisur dhe kam vazhduar deri më sot me të gjithë librat e Kadaresë. Shpesh kolegët më kanë tërhequr vëmendjen për këtë paradoks, por kurrë nuk kam ndryshuar dhe këtë e kam bërë për lexuesin shqiptar dhe vetë Kadarenë.
Ardhja e Kadaresë nuk ra edhe aq në sy, sepse Shqipëria ishte përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të majit 1996. Morëm një kameraman dhe një fotograf amator për të fiksuar diçka nga kjo vizitë e papërsëritshme. Sapo u ulëm në zyrë, m’u drejtua seriozisht: “Shumë e bukur kjo godinë, por shite urgjent dhe eja në Tiranë!” Nuk po u besoja veshëve, ndërsa vazhdoi: “Po, po, mos e zgjat”. Por nuk ishte sikur të ndërroje hotel, ndaj na u deshën tri vite të mira derisa u shpërngulëm në Tiranë. E shpejtoi këtë viti i mbrapshtë ’97. Sipas mendimit tim, ky vit ndau njëherë e përgjithmonë kryeqytetin nga çdo qytet tjetër në Shqipëri. E ndieja këtë duke ardhur çdo ditë nga Elbasani në Tiranë dhe kthim. Për tetë vjet radhazi. Por tani kisha edhe një pengesë shumë më të madhe, sepse autori im i rëndësishëm banonte në Paris, unë në Elbasan dhe duhej të komunikonim gjithmonë e më shpesh. Kur kujtoj sot ato vështirësi, humbjen e valëve të celularit pas kthesave të panumërta dhe zërin e nervozuar përtej: “Po ku je? Ç’u bëre, nga u zhduke”? Sa herë u paraqitën këto situata, të cilat e bënin të pashmangshme shpërnguljen drejt Tiranës.
Erdhi një episod që i vuri vulën gjithçkaje. Duhet të ketë qenë nëntori i vitit 1998. Kadareja kishte ardhur vetëm në Tiranë, sepse Televizioni Francez do të bënte një film për jetën e tij në kooperativën “Agimi”, në Ndërnënës, Fier. Meqenëse ishte ftohtë, ai u akomodua në Hotel Tirana. E kishim lënë të takoheshim në orën 15.00. Me sytë nga dera e hotelit se mos po vinte nga çasti në çast, mendova të pyes te recepsioni mos ndoshta kishte ardhur. Jo, nuk është brenda, m’u përgjigjën. Prita deri në orën 18.00, pyeta edhe një herë. Nuk ishte. Dhe u nisa për në Elbasan. Mbaj mend, kur mbërrita në majë të Qafë Krrabës dhe kishin nisur fjollat e para të dëborës, më merr im vëlla në celular. Ishte me Kadarenë. “Pse nuk ndenje”? – më tha im vëlla. – “A kishe lënë takim”? Mezi kam mbërritur atë natë në Elbasan dhe mora vendimin e vështirë, por jetik. Po ç’kishte ndodhur me Kadarenë? Kur u takuam në mëngjes, më tha që kishte qenë brenda dhe i kishte porositur te recepsioni të mos e shqetësonin deri në orën 18.00.
Pas tre muajsh, në mars 1999, u shpërngulëm në Tiranë dhe ky ka qenë viti më i vështirë në jetën e familjes dhe biznesit tim: fëmijët e vegjël, shtypshkronja pothuaj një vit e painstaluar në Tiranë. Por me sakrifica i tejkaluam të gjitha dhe ai vit u kthye në suksese, sidomos në Panairin e Prishtinës, në dhjetor 1999, ku Kadareja vinte pas gati njëzet vjetësh. Megjithatë, me vitet që po kalonin vija re se ardhja në Tiranë nuk ishte ndonjë ndryshim kushedi, sepse largësia bënte të vetën.
Dua të përmend një rast që nuk e kam bërë të ditur asnjëherë. Kadareja kishte ikur në Paris. Pasi kisha nënshkruar dhe parapaguar disa kontrata, duhej të nxirrnim romanin e tij të ri Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut. Më vuri kushtin që çmimi të ishte 500 lekë. Ishte sikur ta falje! E shtypëm me atë çmim në kopertinë dhe një të enjte dolëm bashkë Gimin, ish-shokun tim të bankës në gjimnaz, i cili atë kohë, pasi ishte kthyer nga Greqia, bënte shpërndarësin e librave të Onufrit. U ktheva në zyrë dhe i rashë numrit të telefonit të Kadaresë, por nuk u përgjigj. I lashë një mesazh telefonik në sekretari: “Zoti Kadare, megjithëse binte shi, bashkë me Gimin i shpërndamë librat në gjithë Tiranën. Nesër nëpër rrethe”. Më merr në telefon të nesërmen zonja Kadare: “Bujar, veç ta shikoje Ismailin, ulur në kolltuk, e dëgjonte disa herë mesazhin tënd i lumtur”. I harrova edhe debatet për çmimin, megjithëse po regjistronim një tjetër humbje të radhës. S’kaluan veç 24 orë, kur në një darkë me disa të huaj bie celulari. Ishte Kadareja. Nuk e hapa se ishim në bisedë e sipër. Celulari nuk pushonte. “Më merr në telefon”, – më tha dhe e mbylli. Nuk e mora, thashë ta lë për më vonë, sepse nuk më pëlqeu zëri i tij. Nuk po kuptoja asgjë. Kur telefonoi përsëri. U ngrita dhe e pyeta se ç’kishte ndodhur. “More, pse nuk ka libra në librari? Një shoqes së Helenës i kishin premtuar të hënën një kopje”! M’u duk sikur kjo telefonatë më ndau kokën më dysh. “Çfarë, – i ngrita zërin, – ma jep këtu Helenën, kush është ajo”? Nuk dija ç’flisja nga nervozizmi dhe e ndjeva që ai u praps dhe më tha: “Jo, nuk ta jap Helenën në telefon me këto nerva”.
Ishte viti 2002. Ato ditë niste panairi i librit dhe koincidonte me ardhjen e tij, por nuk doja t’ia dija më për të. Mora një vendim të prerë: të ndaheshim njëherë e mirë! Boll më! Nuk komunikuam fare deri ditën kur u pamë rastësisht në Rinas. Unë me time shoqe, Zanën, kishim dalë për të përcjellë një grup norvegjezësh, kur shoh që Kadareja dhe zonja e tij kishin hipur në një xhip. Ishte hera e parë që i shihja si gjithë të tjerët, sikur s’kisha asnjë lidhje me ta. I përshëndetëm me dorë dhe u nisëm pas makinës së tij. Ndërkohë u ktheva në zyrë dhe nisa të shkruaja letrën e ndarjes. Ime shoqe me lotët që nuk i pushonin dhe unë i vendosur si asnjëherë. E futa në një zarf A4 që të mos e thyeja dhe drejt e te shtëpia e tij e re te Sky Tower. Pas 5 minutash, bie citofoni. Ishte regjisori Gëzim Kame që kishte vënë në skenë Stinë e mërzitshme në Olymp. U ngritëm menjëherë, s’kishim ç’të bisedonim, ardhja e regjisorit sikur e shtoi dramaticitetin. “Ke një letër këtu”, – i thashë. E parandjeu. “Ç’është kjo letër”? – më tha. “Lexojeni, flasim”. Dolëm, hymë në ashensor dhe drejt e në rrugë, ku kishte nisur një rrebesh shiu. Nuk kaluan pesë minuta, kur celulari: “O Bujar, kthehu, ç’janë këto? Eja flasim, ke luajtur mendsh më duket”. Shpesh linja ndërpritej, shiu nuk po pushonte, gjëmime herë pas here. Vetëm ime shoqe e heshtur gëlltiste lotët mbështetur te xhami i makinës. Nuk kthehem më, i thashë. Vazhduan edhe disa biseda që ndërpriteshin mbase nga koha e keqe. Lagje të tëra pa drita, rrugët po ashtu. Nuk më hiqet nga mendja edhe sot e kësaj dite, por s’ishte ky problemi i vetëm.
Ishte planifikuar një pjesëmarrje e Kadaresë në Tetovë, por unë vazhdova me këmbënguljen time dhe nuk shkova. Dhe nuk do të shkoja, por mikesha jonë e përbashkët, Mira Meksi, me një durim e këmbëngulje të pashoqe ma mbushi mendjen. Kur mbërrita në sheshin para Pallatit të Kulturës në Tetovë, në mes të grumbullit të njerëzve shoh Kadarenë që gjithë gëzim po më thërriste. Nuk ishim përqafuar kurrë ndonjëherë dhe me siguri ka shkaktuar habi tek të tjerët, thua se po takoheshim pas disa vjetësh. Të nesërmen ndenjëm në Strugë, dolëm buzë liqenit deri në mesnatë dhe në mëngjes u nisëm për në Tiranë. Rrugës, bashkë me menaxherin tim Fatosin, i dhashë një drekë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Onufrit, që ishte atë ditë. Ndërsa Kadareja me rastin e festës së Onufrit më dhuroi përgjithmonë librin tim të preferuar Autobiografia e popullit në vargje. Kështu nisi një periudhë e qetë, deri në stuhinë e radhës.
Ishte kompleti i plotë i veprës që na e komplikoi bashkëpunimin për vite të tëra. Pikërisht kurorëzimi i një bashkëpunimi që duhej të ishte krejt i natyrshëm, solli shpesh situata jonormale. Siç duket, i ndikuar nga të tjerë, shpesh hezitonte. Do të kujtoja vetëm dy javët e fundit kur do të fillonte botimi i dy vëllimeve të para. Acarime pa ndonjë shkak të dukshëm. Nervozizëm. Ditët kalonin. Ai donte të shihte letrën e kapakut të fortë, si do të ishte produkti final. Ishte një enigmë për të gjithë. Por nuk kisha qetësinë e nevojshme. Nuk e dija se ndërkohë një botues tjetër, me miratimin e njerëzve të afërm të autorit, priste që të dështonte ky bashkëpunim. Afati ishte dhënë: nëse nuk dilte vepra në panair, çdo gjë ndërpritej. Kadareja ishte i ftuar për tri ditë në Gjermani. E përcolla deri në Rinas. Nuk e di pse u tregua i dhembshur, gjë që nuk i shkonte aspak në marrëdhënien me mua, dhe më porositi që vepra të dilte sa më mirë. Që të nesërmen u nisa për në Shkup, sepse në Tiranë nuk mund të gjendej një material i tillë. U ktheva, po ashtu edhe Kadareja, i cili donte të shihte si do të dilte libri. Por si, qysh t’ia tregonim? Duhej ende punë. Dhe ja, filloi java finale. Ika në Shkup të dielën së bashku me Bledin, shoferin, që të merrnim paperkotin. Ishte ora tetë e mëngjesit, në qendër të Shkupit. Ku je, u dëgjua zëri i Kadaresë. As si je, as mirëmëngjes. Po ç’bën atje? Po ç’punë keni ju se ç’bëj unë etj. U kthyem të martën në mesnatë, përmes borës, drejt e në shtypshkronjë, ku të gjithë punonjësit po merreshin me veprën e plotë. Në orën 17.30 u bënë gati dy vëllimet e para pas shumë peripecish. Binte shi, trafiku ishte i rënduar si asnjëherë, ndaj nisëm një shpërndarës drejt e te shtëpia e Kadaresë. Aty ishte vetëm e motra, Kakuja. Gjithë zemërim i kishte thënë se Kadarenë e kishte marrë me makinë botuesi tjetër. Ndërkohë, në stendë, disa persona po fërkonin duart, të sigurt që Onufri do të dështonte. Kur në orën 18.00 librat, si në një magji, ishin në stendë. Ndërsa unë nuk munda të isha i pranishëm në momentin më të rëndësishëm për një botues. Dy net i pagjumë, i parruar, i stërlodhur, ndenja në shtypshkronjë. Kur rreth orës 20.00 më mori Kadareja. Pse nuk erdhe? më tha. Nuk munda, pastaj, kishim tri ditë pa u parë dhe do të takoheshim përpara kamerave sikur po bënim teatër. “Dëgjo këtu, – më tha shumë serioz, – bravo! S’ka libra më të bukur. Veç të jesh i lig e të mos i pëlqesh. Të lumtë!” I lodhur siç isha, e ndjeva që më rrodhi një lot dhe befas sikur u çlirova nga një barrë e madhe e një makth që s’më linte të merrja frymë.
Të nesërmen na ftoi për drekë së bashku me Zanën. Kur u afruam tek tavolina e vogël, pashë që kishte vënë dy librat dhe i shihte me një fytyrë të mrekulluar. Helena i mori pa kujdes që të shtronte pjatat, kur Kadareja i foli prerë: “Lëri aty”! Pastaj pyeti të motrën, Kakunë: “Hë, si të duken”? “Ku di unë, s’marr vesh unë”, – u përgjigj ajo mbyturazi. Pastaj m’u kthye mua: “Dëgjo, Bujar. Unë jam rritur mes librave të bukur, gjithë jetën. Po s’ka libra më të bukur se këta”!
* * *
Bujar Hudhri me Ismail Kadarenë, Tiranë, Bar Juvenilja, 4 maj 2021.
Jemi të dy në Bar Juvenilja. E martë, 4 maj 2021. Që të sigurohem marr nga tavolina faturën, ku lexoj edhe datën dhe orën e saktë – 04.05.2021; 12.45. I them se fiks në këtë orë, 25 vjet më parë, kemi nënshkruar kontratën e bashkëpunimit. Shoh që buzëqesh, është krejt i qetë dhe pret që të vazhdoj.
“Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe”! – i them.
“Po, sigurisht, çfarë prisje tjetër? Nga Olimpi vijnë vetëm rrufe”! – ma kthen aty për aty.
Nuk folëm për një kohë dhe s’di pse m’u kujtua vetja, ai fëmija dhjetëvjeçar me librin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përpara derës së mbyllur të bibliotekës. Befas, ajo derë m’u bë sikur të isha para Olimpit dhe atje në majë shihja siluetën e Kadaresë. E di shumë mirë se kurrë nuk do të mbërrij të ngjitem atje, sado të jetoj. Sepse atje është arti i madh, janë zotat dhe ne jemi shumë të vegjël para tyre. Doja t’i shprehja mirënjohjen për të gjithë këtë rrugëtim, por, i bindur se nuk do t’i shkonte ky happy end një shkrimtari si ai, nuk ia thashë.
Faleminderit Kadare. Përjetë. Scripta manent./exlibris.al