Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë/Avokatët kërkojnë konsolidimin e rolit të avokatit në Shqipëri
Nga Av. Kastriot FRASHËRI
Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë – 10 Maj, ndihemi krenarë të evidentojmë se kemi punuar jo vetëm per rritjen e standardeve profesionale, por përmes studio ligjore “Frashëri Law Firm” kontribuojmë edhe për konsolidimin e rolit të avokatit në Shqipëri.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se avokatët tanë dhe mbarë komuniteti i avokatëve të Shqipërisë po përballen sot jo vetëm me problemet e sistemit të drejtësisë por edhe me vështirësitë dhe sfidat e profesionit të Avokatëve në të ardhmen.
Sistemi i drejtësisë është themeli i shtetit të së drejtës ku sundon ligji ndaj kam një thirrje për studentët e rinj të shkollës së avokatisë që të ndjekin traditën më të mirë të drejtësisë shqiptare dhe të frymëzohen nga modelet e saj më të spikatura, duke lënë mënjanë tundimet e çastit sepse Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar. Ajo së bashku me Prokurorinë dhe Gjykatën, janë pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë.
Titulli “Avokat” fitohet përmes një procedure fikse dhe mund të gëzohet përmes karrierës gjatë gjithë jetës me krenari dhe përkushtim në shoqëri. Si rrjedhim, duke përfituar nga rasti në këtë ditë të shënuar për drejtësinë shqiptare, në emër të komunitetit të avokatëve t’i drejtohemi qeverisë duke shprehur shqetësimin tonë për mënyrën se si organet e administratës publike në vartësi të saj guxojnë të tjetërsojnë me vetëdije të drejtat dhe detyrat e avokatit, nuk i japin dokumentacionin e kërkuar rreth klientit për ti ofruar ndihmën juridike të nevojshme dhe e pengojnë atë me vetëdije në ushtrimin e profesionit të tij. Ndaj në këto kushte është detyrë imediate jo vetëm e qeverisë, por edhe e organeve që administrojnë drejtësinë si ILD, KLGJ dhe KLP kur vijnë në dijeni mbi këto barrjera që ngrihen artificialisht nga individë të papërgjegjshëm për të penguar punën e avokatit në institucionet në administrimin e tyre, të sigurojë integritetin dhe veprimtarinë e avokatit për t’i siguruar publikut, përmes tij, ndihmën juridike të nevojshme, nëpërmjet forcimit të rolit të profesionit të avokatit në Shqipëri.
Është e natyrshme që në Ditën Kombëtare të Drejtësisë të bëjmë një bilanc të arritjeve tona. Prej vitit 2004, zyra jonë ka mbështetur në shërbimet e saj ligjore jo vetëm qytetarë shqiptarë, por edhe shtetasit e huaj dhe disa kompani biznesi VIP. Firma Ligjore Frashëri drejton një ekip juridik me reputacion të njohur kombëtar dhe ndërkombëtar. Ekipi ligjor i firmës sonë ofron shërbime në disa gjuhë të huaja dhe pasqyron rëndësinë që i japim detajeve në ofrimin e shërbimeve juridike. Ne ofrojmë shërbime të personalizuara të përshtatura për nevojat e klientëve tanë dhe garantojmë konfidencialitet të plotë. Transparenca, respekti, integriteti i lartë moral dhe profesional dhe përpikmëria jonë janë të gjitha pjesë e kulturës së kësaj studioje avokatie që bëjnë diferencën.