Albspirit

Media/News/Publishing

Alfons Zeneli: Erdhën një natë mendimet

 
*. *. *. *.
Erdhën një natë mendimet
dhe më bastisën.
Kërkonin ku të kisha fshehur ty.
I kthyen përmbys
gjymtyrët, i zhveshën vjershat
e i kontrolluan në trup,
i vunë këngët në dritë
mos dukej hija jote,
e shpërthyen një bravë te brinjët,
kaluan zemrën në skaner.
Asnjë sinjal metalesh.
Qentë e arsyes nuhatnin ngado
me etje arsyesh.
Si ka mundësi, ulërinin mendimet,
ku ta ketë fshehur,
nuk është askund.
Nuk e dinin të mjerët
se ti ishe unë.
Please follow and like us: