Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa V. Spahiu: ME HAJKU RRIS DRURIN

 

 

1.

Në jug shtegtarët.

Tani përse po kthehen

Zogjtë lajmtarë?

 

2.

Ditët deng me diell,

Gjitonja ime askund –

Çfarë derte ka?

 

3.

Trung i kumbullës

Ende s’ka hapur tendë,

Në oborrin tim…

 

4.

E kam shikuar,

S’e kam puth luletaçen.

Vetë ka mbirë.

 

5.

Sapo – sot – erdhi

Cicërroi dallëndyshja

Strehës me hare…

 

6.

Erdhi pranvera.

Fusha mbushur pupëza,

Larg luleqyqes.

 

7.

Sa shi i këndshëm!

Rrushullak dolën zogjtë –

Për t’bërë banjo…

 

8.

Lulet e mëllagës,

Në tërfojën imshtake

Sikur erashka.

 

9.

Shih, lozin shqerrkat

Në rruaza të vesëzes,

T’ngopura me bar…

 

10.

Nga rrush i thanës

Degën – unë – shkëputa.

U firos zeni!

 

11.

Kroqet pa djathtë,

Vadë derdhet qumështi!

Kuzet përmbysur.

 

12.

Në mbrëmje hëna

N’ujë thellë ka qenë –

Se sa në qiell.

 

 

13.

Rrugëto rrugën,

Me laçka e me plaçka.

Djepat mbi shpinë.

 

14.

Gjarpri i rërës

Kaçuleten[1] se mbulon –

Lëmsh të ngjok në gisht.

 

15.

Vajton në heshtje

Nga ksistra e ngulitur –

Thembrës së këmbës.

 

Në konopishte,

Sa bukur gjelbërohen –

Sytë e vashës!

 

17.

Lagraçi mbanë

Saçin e skuqur me prush,

Buka në çerep.

 

18.

Magripi pëllet,

Jo nga vaj, po uthulla.

Vera në poçe.

 

 

Plimth’i vremçave

Nuk binden të dëbohen

Qershish të kuqe!

 

20.

Lule kumbulla,

Me frutin e vet peshon.

Trungu rri drejtë.

 

21.

Hija e shtrembër.

– Etja, një gjerbë ujë,

Shiu e rrit barin…

 

Pujtulla kruspull,

Në çerdhe gushëkuqi –

Nujis ferrishtet.

 

23.

Larg nga fëmij’ria,

Rrugës e gjetëm sofrën.

Hamë kujtimet.

 

Gjërat heshtake

Hartës së drojës së vet

Ikin nga hijet!

 

25.

Zen – Karadaku.

Ngjitem në maje bjeshke

Para rrezeve…

 

26.

Drurit të brishtë,

Vëth të dardaneshave,

Si luletog’za…

 

27.

Elegjia e shiut,

U shndërrua në harresë.

Dyjare bronci…

 

28.

Belushi veson.

T’zbardhëllyerit e qiellit.

Qengjat burimesh…

 

29.

Zanat e bjeshkës

M’i sjellin luleshtrydhet –

Vetëm për një hajk.

 

30.

Unazë shtjelle.

– Sogjon Anamorava,

Nënoken time.

 

31.

Xhixhibanozi.

Mustaqet si duaj thekre –

U ndalën krinat.[2]

 

32.

Guask’ e fosiltë,

Në kikë të Tomortit.

Thellësi deti.

 

33.

Fluturon shqipja,

Hija shfaqet si ëndërr;

Pip gurshkëmblashtë.

 

34.

Shirat e majit

Shndërrohen përnjëherë

Në qumështore.

 

35.

Kukon hareshëm

Degëve dhe qyqeja,

Nuk kërkon çerdhe!

 

36.

Vështroi gjetheve,

Yjet janë të gjelbërt

Nëpër qiellin blu.

 

37.

Degënjomëza

Asnjëherë s’lakohet.

Bërcaku krenar.

 

38.

Bajga e lopës.

Tortë e ditëlindjes,

Kandrat kremtojnë…

 

39.

Trung i qershisë.

A do ta hanë zogjtë

Frutin e pjekur?!

 

40.

Lagur nga vesa,

Qenushi shtrirë në kopsht.

Pasha në kashtë!

 

41.

Dëgjoi zukatje

Lulishteve të reja

Më zgjojnë bletët.

 

42.

Turr tramundanës

Duhia është rrembvocërr.

Pashtriku idhnak…!

 

Pak para gjumit,

Blegrojnë delesykat –

Qengjat flutura.

 

44.

Zurkajat derdhen

Mbi mullinjtë e fjetur –

Kërcim trokashkash!

 

Sytë e Sharrit,

Hapen para agimit.

Pranverë me hajk.

 

46.

Për shëndet lulja

Romantike padukshëm

Mbiu me parfume.

 

47.

Molla dhe grindja

Nuk janë anonime.

Gjarpri i gënjeu.

 

48.

Mbi kaloshinë

Nga ditët e ndryshuara,

Hëna nusëron…

 

49.

Mbëltoi zambakun,

Me bindjen e vetmisë;

Hajku ka sukses.

 

50.

Zemrës më shpojnë

Shigjetat e Amorit –

Për dashurinë…

 

51.

Shpitrat që kthehen

Gjenden në çdo gjallesë –

Në palcën e vet.

 

52.

Shndërrohen në shi

Gjakut të gjithësisë –

Rrufeja godet.

 

53.

Buza e vashës

E mban gravitacionin

Si Arkimedi.

 

54.

Shuhet një vullkan.

Shfaqet diell’i padukshëm

Prej shpirtit virgjër.

 

55.

Gjithnjë hajgeri

Me vrapimin e dritës

Niset drejt hënës…

 

56.

M’nguliten në sy,

Gishtërinjtë me bajrak –

Tundet marhama…

 

57.

Motra kur qëndis

Me indet e qumështit –

Jehon organo.

 

58.

Gjendet një rrufe

Përgatitet të merr gof –

Lirikës me shi.

 

59.

Krisma e hutës

E vrau korbin e Depcës,

Si një gjysmagjel…

 

60.

Bo, këtij shtegu

Shumë kanë rrugëtuar.

Vehem në gjurmë.

 

61.

Kind gri i qiellit.

Është vërsulur stuhia

I përcjell rètë.

 

62.

Qëndroi në bashqe

Po lozin zarzavatet

Pranë bunarit.

 

63.

Puhi pranvere,

Rèja u bë si varkë

Përsipër detit.

 

64.

Në krah e bartin

Mëndafshin e pranverës,

Hajku me kumak.

 

65.

Shtegut të hënës

Duke rrëshqitur yjet –

Guaskat puthitur.

 

 

66.

Zymbyl i kaltërt,

Shpërthyen buzëqeshjet –

Ditët fatbardha.

 

67.

Kurrë nuk shteron

Lumi me shtatëdhjetë –

Nusezo urat.

 

68.

Enciklopedish

Hyjnë hajkuistët, me –

Psonisje vargjesh.

 

69.

Koncert e quajta:

Pasqyrash të Venecias,

Gondolat shklasin…

 

70.

Flaka e epshit –

Brofi dallgë e detit

Puthjet me kumak.

 

71.

Shtatin si selvi,

Ferdese moj e uruar –

Hajku dritëson…

 

Maj/qershor 2008, në Anamoravë.

[1] kaçulet/ë, ~ a  f.,sh. ~ a, ~ at brith hunde i gjarprit të rërës, të shullanit.

[2] krinë/a ~ at: luzmë bletësh kur roitet.

 

 

 

 

 

SONET PËR NJË GJYVENDE[1]

 

I

E lëshuar pas epshesh – e shfrenuar,

Çfarë zjarri me thikash, ç’e zjarrmon?

– Gjyvendja vetëm vetveten e dëgjon;

Çdo gjë është thënë, strall pa trilluar.

 

Herë besnike, n’çast ngjalë tradhtare,

E mistershme po kaq të jep premtime!

Lazer në gjak – zhduket n’moskthime;

Rrufeshëm e ndërron dritën në ugare.

 

Ngado vete shpresat s’i humb në sy…

Këndon hareshëm me zërin gjinkallë,

Gurin e pritjes godet me një kokallë!

 

Penelopë s’jam, thæ, për të pritë ty!

Bardhësin’e djerr’e sheh plagueshëm,

Puhis’ngushëllimit ec’ ëndërrueshëm!

 

 

II.

 

E shthurur gaft ka lindur, ç’e hershme!

Sqetullash e virgjërt – ballëmurgeshe,

Kërkon unazë t’humbur të ‘i lëneshe –

Në ikje mëkatesh korubë e mnershme.

 

Mëton t’futet fosile e namur ndër hulli!

Është mësuar të këndojë, e të vajtojë;

– Thneglat e zjarrta don t’i sprovojë! –

Në kasollë kallami sheston gjeometri!

 

Kur të vdes e kërkon varrin pa nishan,

Zemërzhuritura – kështu – dritërohet!

Thimthit t’tehut t’shpatës shpirt’rohet.

 

Nga gjaku të ndizen qirinj në shandan!

As s’u flijua amebash të dashurisë, Am

Shuar merimangash të kryeneqësisë…

 

 

E premte, 7 maj 2021, në Dardaninë Ilire.

[1] gjyvendia, e ~ të (ar.pers.tur.),  grua e përdalë, me veshje më të bukur, vallëzuese, kërcimtare, e kudo ndodhur.

 

Please follow and like us: