Arben Braçe: Humbja e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit, disfatë e madhe për PD dhe Koalicionin Qeverisës
Humbja e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit është një disfatë e madhe për PD-në dhe Koalicionin Qeverisës. Por nga ana tjetër, edhe për njeriun më apolitik është e kuptueshme, që opozita hyri në këtë ndeshje për pushtetin politik, në kushte shumë të disfavorshme, dhe kur një rrjet superkriminal i tërë në majë të shtetit korruptoi gjithçka, dhe nuk la as fijen e shtegut drejt një loje të drejtë dhe të ndershme.
Procesi u zhvillua me një ligj zgjedhor që favorizoi në mënyrë të hapur maxhorancën në pushtet dhe nuk lejoi vullnetin e sovranit të shndërrohet në pushtet demokratik. Transaksione të tëra të parave të shtetit shkuan në xhepat e qytetarëve për blerje votash dhe përdorja e parave të krimit, të PPP-ve, dhe botës së kriminalitetit, për blerjen e votave, ishte trendy i ditës i kësaj fushate elektorale, nga më të korruptuarat mbas viteve 1990.
Publiku i goditur me sllogane dhe thasë mielli e qese ndihmash, akoma nuk është i informuar se ndryshimi i Kushtetutës vetëm pak kohë para zgjedhjeve favorizonte në mënyrë banale maxhorancën, sepse edhe sikur Kualicioni Qeverisës+LSI të fitonte me shumicë të thjeshtë, nuk kishte të drejtë të bënte qeverinë, sepse sipas këtij ndryshimi kushtetues ndalohen kualicionet parazgjedhore, pra PD mund të kishte të drejtë të formonte qeverinë, vetëm nqse do të kishte numër më të madh deputetësh se sa PS.
Blerja e votës tashmë shihet si fashion dhe zotësi politike dhe është kthyer në mënyrë jetese që do të vazhdojë për dekada në Shqipëri. Politikani që nuk është në gjëndje të blejë vota shikohet si model anakronik dhe nuk i përshtatet kërkund realitetit të sotëm postmodernist shqiptar. Aq thellë ka hyrë ky trend në jetën politike shqiptare sa edhe vetë ndërkombëtarët dhe institucionet e specializuara të tyre që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve nuk shqetësohen fare për këtë gjëndje. Ndoshta shqetësimi do të bëhet real për ta, kur vetë virusi i blerjes së votave do të hyjë thellë, sikurse Covid19, edhe në shtëpitë e tyre.
Ajo që quhet alternativë e mirë politike, tashmë është një armë abstrakte virtuale, që nuk hyn më në kokën e shqiparit, duke bërë që intelektualit edhe nqse i hapet pak dera të hyjë në botën e luftës politike, ai hyn në këtë betejë në kushte fatale, pa armë, thjeshtë vetëm me duar, ndërkohë që kundërshtarët kanë armë bërthamore eurosh dhe dollarësh.
Gjithsesi, do të ishte një kohë e humbur të përmëndësh fakt të tilla, të cilat dihen edhe nga ata që sapo dalin nga materniteti gjysëm i shëmbur i Kryeqytetit.
Po nga ana e vetë PD-së, nuk ka asnjë gabim në të gjithë këtë betejë politike!?
Padyshim që ka shumë, por do të përmëndja vetëm një, që është shumë e rëndësishme për çështjen e lirisë dhe demokracisë që na preokupon të gjithëve, se për të tjerat do të ishte mirë t’i bëjë vetë PD.
PD u fut në këto zgjedhje vetëm me strukturat e saj dhe me disa aleatë të vegjël të cilëve nuk arriti t’i paraprijë dhe përballë një ishpartie totalitare të ushqyer me pushtet të kuq dhe me pronat publike shqiptare për gati 80-vite. Përballë një partie që akoma ruan strukturat e ishsigurimit të shndërruara në patronazhistë me të cilat mburret haptazi KM.
Përpos qindra analizave, luftërave dhe betejave politike dhe elektorale e zgjedhore që sapo ka filluar, padyshim që PD nuk do të arrijë kurrë standartin e asaj fitoreje që presin shqiptarët e vërtetë, pa hapur dyert së pari për vetë inteligjencën, për fraksionistët, themeluesit, simpatizantët dhe të gjithë ata që aspirojnë lirinë dhe demokracinë. Prandaj, sa më shpejt të jetë e mundur, përpos të gjithë analizave dhe veprimeve të tjera për zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të grabitura, vetë PD duhet të shkatërroje gardhin rrethues dhe të hapë sheshin për të pritur të gjithë ata që duan lirinë. PD ka qënë dhe duhet të mbetet deri në ditën e fundit të ekzistencës së saj “Shtëpia e Lirisë” dhe nuk duhet t’i përkasë vetëm strukturave, anëtarëve dhe militantëve të saj, përndryshe do ta mbajmë mbi shpinë për një kohë shumë të gjatë “mamuthin totalitar” që sot mban emrin “Rilindje”
Please follow and like us: