Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Kakofoni politike në rritje

 

 

 

Zgjedhjet katastrofë të 25 prillit kanë shkaktuar një kakofoni politike paprecedent në këto tri dekada pas shembjes së diktaturës komuniste.

Ca kërkojnë dorëheqjen e Lulëzim Bashës. Mes syresh edhe personalitete me kontribute në radhët e Partisë Demokratike. Ca të tjerë thonë që lideri demokrat t’i shkojë deri në fund aksionit të zgjedhjeve, pastaj me të parë e me të bërë. Të vendosë kongresi i radhës ose një kongres i jashtëzakonshëm.

Ka nga ata që bëjnë analiza, duke e parë çështjen nga njëri këndvështrim. Të tjerë, nga këndvështrimi i kundërt. Ndonjëri, çka thotë sot, të nesërmen e hedh poshtë me gojën e vet, për t’iu rikthyer sërish të pasnesërmen. Këta e bëjnë kakofoninë edhe më të padurueshme, stresuese për publikun e gjerë.

Dikush shkruan artikuj si t’i vijë, madje duke këshilluar çka duhet bërë dhe çka nuk duhet bërë, pa thënë saktësisht se ç’duhet bërë e ç’nuk duhet bërë.

Lexova këto ditë një artikull kilometrik të gjatë, pa autor, nën siglën “redaksional”. Pata durimin e derrit ta lexoja gjer në fund, por aspak të numëroja sa herë ishte përmendur fjala “duhet”. Duhet kështu e duhet ashtu. Duhet kjo e duhet ajo. Duhet durim e s’duhet durim. Duhet hipur e duhet zbritur. Duhet zbritur e duhet hipur. Në fund, si përmbyllje, numëronte nja dymbëdhjetë institucione shtetërore që “duhet” të kërkojë PD-ja si opozitë parlamentare, nëse i pranon zgjedhjet e hyn në Parlament.

* * *

Po sjell tri momente, sipas meje kyçe për të kuptuar atë çka po ndodh e çka mund të ndodhë teksa sillemi rreth e rreth në udhëkryqin paszgjedhor.

  1. Ende pa përfunduar numërimi i fletëve të votimit, kundërshtarë të Lulëzim Bashës brendapërbrenda PD-së kërkuan dorëheqjen tij të menjëhershme me një nxitim të çuditshëm. Kërkesën e bënë publike gjatë një konference për shtyp. Më zuri syri plot në tryezën që e drejtonte një ish-ambasadore dhe zëvendësministre në kohën e qeverisjeve Berisha. Mungonin Genti Cakaj dhe qenushi BonBon, që të dy lindur e rritur në Prishtinë, që të dy me shtetësi të dyfishtë, shqiptare e kosovare.
  2. Ditë më pas konferencës ku mungonin ish-Ministri i Jashtëm i paemëruar nga Presidenti dhe qenushi BonBon, personaliteti demokrat Halim Kosova, tha në programin Kjo Javë të NEWS 24: “Çdo njeri që del në tavolinë para kamerave dhe thotë se do të rregullojë PD-në, minimumi që duhet të bëjë duhet të marrë pasqyrën, të bëjë një refleksion…”.
  3. Ndërkohë, këtë të diel Partia Demokratike dorëzoi në KQZ dosje voluminoze me fakte që provojnë tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri.

I rendita këto tri momente paszgjedhore tepër domethënëse, jo se s’ka të tjera, por si logjikë e rrjedhës së ngjarjeve që po arrijnë kulmin me ngutjen e Edi Ramës për të shtënë në dorë edhe institucionin e fundit të pavarur, atë të Presidentit të Republikës.

Pyka që ka ngulur në opinionin publik Kryeministri me procedurat për shkarkimin e Ilir Metës, është e hatashme. E ka ngritur kakofoninë politike në nivele të rrezikshme që mund të shpien vendin në turbullira.

Me të drejtë, diplomati shqiptar më jetëgjatë në historinë tonë postkomuniste, Agim Nesho, vëren përmes faqeve të gazetës ‘Telegraf’ se kërkesa e regjimit për të shkarkuar Presidentin, bëhet: “Së pari, për të tërhequr vëmendjen nga procesi zgjedhor i komprometuar. Së dyti, për ta paralizuar veprimin politik të Presidentit të Republikës nëpërmjet presionit. Së treti, për të treguar forcë e kontroll dhe për të paralizuar dhe përçarë opozitën me diversionin se Presidencën mund t’ia japin një figure opozitare, por të pranuar nga regjimi”.

Në kontekstin e mësipërm, përsëritja e herëpashershme e ftesës së Kryeministrit drejtuar liderit opozitar për të mbështetur procedurat e shkarkimit të Presidentit dhe, në shkëmbim, një President i propozuar nga opozita, vërteton më së miri frikën që ka kreu i regjimit nga përsëritja e pjesshme ose e përgjithshme e zgjedhjeve. “Do të kemi një opozitë që do e drejtoj unë është nënteksti”, vëren analisti Lubonja.

Sa u takon dërdëllitjeve se tjetër qëndrim mban Dr. Berisha dhe tjetër Basha në lidhje me shkarkimin e Ilir Metës, unë do të përsëritja atë çka kam thënë përherë, dhe që s’do të resht së përsërituri sa të kem frymë. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha janë dy anë të së njëjtës medalje.

Është e njëjta medalje. Medalja PD, e cila e lë pa gjumë Edi Ramën, ia shndërron ëndrrat në makth.

Sepse, siç vërente me të drejtë zoti Nesho: “Meta, me vizionin e një lideri, mund të provokojë një lëvizje mbarëkombëtare duke bashkuar elementet shqiptarë kundër një regjimi, që agjendën kombëtare e ka mënjanuar dhe i ka dhënë përparësi bashkëpunimit me projektet e Vuçiç dhe regjimeve të tjera anadollake”.

 

Please follow and like us: