Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: In memoriam, at Pjetër Meshkalla (20)     

    

 

 

Në kampin e krypores së Vlonës…

 

Vazhdonte kalvarin…

 

Padër Pjeter Mëshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët.

Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashokë, që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata, para figurës së Tij, ishin të pafuqishëm edhe për mjeshtrinë e flligtë vrastare të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjën, e sidomos kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Mëshkalla. Qendrimi i këtyne burrave nder hetuesi  zbulon misterin… Ja një rasë:

Mbas dënimit, mënjëherë e dërguen në kampin e kryporës së Vlonës. Porsa kishte mbërrijtë, i kishte tregue një mikut: “Jam kenë shumë i lumtun gjatë hetuesisë, se qysh ditën e parë kuptova që gjatë kontrollit të shtëpisë seme, Sigurimi nuk kishte mujtë me e gjetë të Shejtnueshmin Sakramend, që e kam pasë të fshehun!”. Atje Ai do të punonte ndër këneta për me realizue qellimin e komunistëve për të cilin ishin angazhue ata,  –zhdukjën e Tij fizike-… Rinia Shqiptare e prangueme mu në lulen e rinisë dhe pa asnjë shpresë me shpetue nga prangat e diktaturës barbare komuniste nder kampët e shfarosjes ishte krejtë tjeter per ata që mërrijtën me e njohtë nder vuejtje.

Nder ata kampe të mënershme mbrenda Shpirtit tyne ishte brumosë sakrifica… Një dashuni krejt’e pakuptueshme që në shumë rasa perfundonte edhe në vetflijim per shokun. Per ne që s’ e kemi provue ajo asht e panjohun dhe e pakuptueshme.

At Mëshkalla ishte nder njohësit ma të saktë të brumjos s’anës Shpirtnore të rinisë sonë nder hetuesitë e kampet komuniste. Ai fliste me kompetenca per mënyren me të cilen ka punue dhe veprue sigurimi i shtetit per me shrranjosë edukaten qytetare dhe shkollore në Shqipni. Mjetet ishin ma antikombtarët…

At Mëshkalla ishte i pergatitun mirë për djallzitë e sigurimit…

Ai filloi punën me grupin e shokëve ku ishte caktue. Shkonte rreth një ore në kambë larg kampit për me u gjetë në vendin e punës dhe me lopatë do të realizonte normën e caktueme. Mos realizimi i saj sillte pasoja të randa për të burgosunit. Porsa mori lopatën në dorë me fillue punën, çfarë ndodhi?

 Grupi i djelmëve të rijë, që ishin “bashfajtorë” me té, e që ishin gjetë të gjithë  prej Toskënije, të zgjedhun me qellim për mos me dijtë kush asht “meshtari plak” prej Shkodret.

Ata i kërkuen një nder Pjetrit, mbasi ata nuk dinin në atë çast emnin me të cilin do të njihej ma vonë shoku i punës së tyne, i porsa ardhun në kampin e shfarosjes së Vlonës.

Ata kërkuan prej Pjetrit që ky të shkonte jo fort larg me mbushë ujë për me pi ata gjatë kohës së punës. Atë rrugë ky do ta bante dy-tri herë në ditë. Kohën tjetër do ta kalonte nën hijën e një pemës aty afër, ndërsa normën e punës së Tij (sot krejt e panjohun prej nesh) do ta kryenin djelmtë e rijë.

He pra, gjeni si ndodhi kjo punë!?… -Ata nuk e dinin fare kush ishte  Ky “plak” 66 vjeçar… nga Shkodra.

Ata dinin vetëm një gja; të dërmoheshin e të shkallmoheshin ndër moçale, kanale e këneta për me mujtë me nxjerrë të paktën kockat nga ai vend, mbasi gjithshka humbte në llomin e baltën që përzihej me gjakun e djersën e Tyne, e që sa vinte dhe i thithte përmbrenda për me i kalbëzue, me i tretë, me i zhdukë, për mos me u pa ma kurr në faqe të dheut, përveç karakterit të Tyne, që sa vinte e brumosej me idealin për të cilin kishin hy në atë vend: Antikomunizmin.

E këta djelmë nuk ishin vetëm prej Tiranet apo prej Shkodret, ku kishte punue e jetue Padër Mëshkalla me rininë, por Ata ishin prej krejt Shqipnisë. Kjo ishte arësyeja që ata edhe e respektonin, sepse edhe Ai i përkiste rinisë së mbarë Atdheut.

Nëse sot Rinia Shqiptare mërrinë me e kuptue kush ishte dhe kush mbeti nder fletët e historisë së martirizimit të Popullit Shqiptar, nga barbarizmi i tiranisë komuniste, aty do të gjeni mija e mija Figura të nderueme që koha me siguri njëditë do ti vendosin në vendin e merituem. Janë mija të rijë që sot nuk po i kujtohen emnat e Tyne të nderuem e, shka asht edhe ma keq punohet per me i harrue… Jo, jo, Atdheu per Ata, sot tue fillue nga ma të masakruemit kerkon me vendosë një lule mbi gropen e Tyne të “harrueme”, bash aty nder ferrat e Zallit të Kirit, si dikur… Nanat tona ndeznin një kandil që s’fikej kurr!

Mos harroni se Shqiptarët me gjakun e Tyne kanë çimentue Përmendoren e lavdishme dhe të perjetëshme antikomuniste në kontinentin Europjan…  

Melbourne, 11 Maji 2021.

Please follow and like us: