Ismail Xhaferi: Të gjithë ankohen
Të gjithë ankohen në botën tonë,
Dikush më pak e dikush më shumë,
Ankohën burrat se s’kanë ku shtyjnë kohën,
Ankohen gratë se mbyten në punë.
Ankohen të varfërit për bukën e gojës,
Dhe mendjen e vrasin dhe natën në gjumë,
Ankohen të pasurit me barkun dhjamosur,
Ankohen të pasurit se duan më shumë.
Ankohen votuesit se gjithmonë mashtrohen,
Dëgjojnë vetëm fjalë, gënjeshtra, premtime,
Ankohen deputetët se s’mund këtë vit,
Të shkojnë në Dubai për të bërë pushime.
Ankohen partitë për vjedhjen e votës,
Ankohet kush mbet pa strehë nga tërmeti,
Ankohen fëmijtë në një shkollë fshati,
Ankohet opozita, ankohet pushteti.
Ankohen të ndershmit se s’ka ndershmëri,
Ankohen ata që bëjnë punë të pista,
Ankohen dhe bëjnë parti të re,
Politikanët që s’vendosen sërish nëpër lista.
Ankohen ata që jetojnë në luks,
Ankohen ata që shpirti u dhemb,
Ankohen ata që shpohen me plumb,
Ankohen ata që shpohen me gjemb…