Pirro Fotiadhi: Νë vend të një replike me Ministren e Drejtësisë, Zj. Etilda Gjonaj
DITA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË,NË REPUBLIKËN E TURPSHME EDRAMIANE TË MAKTHIT TË PADREJTËSISË!
«Askush nuk mund të fitojë një pushtet të qëndrueshëm përmes padrejtësive, dëshmive të rreme dhe gënjeshtrave» nënvizonte filozofi i lashtësisë greke, Demosteni.
Në ditën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e nderuara zonja Ministre e Drejtësisë, përmes një postimi në Facebook, përpos të tjerash nënvizon me patetizëm dhe krenari se ajo personalisht, «ndihet shumë mirë, që Reforma në Drejtësi ka arritur rezultate shumë të mira dhe ja ka dalë të ndërtoj sistemin e ri te drejtësisë shqiptare».
Dhe ndihet aq këndshëm, saqë në paragrafët e mëposhtëm kjo kënaqësi e dlirë, shndërrohet në kohën e ardhshme dhe duke ndjekur direktivat e propagandës së pështirë të partisë,na kujton se si «duhet të veprojë në pavarësi dhe paanshmëri. Nga pozita urdhëruese, nënvizon të veprojnë në mënyrë proaktive, me përgjegjshmëri të lartë që të ndërmarrin hapat e duhur për vendosjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri në rrugën për t’iu përshtatur standardeve më të mira evropiane».
E siç shihet fare qartë, për kohën e ardhshme, që zj. Ministre, e privuar nga roli i saj institucional, çuditërisht ëndërron të funksionojë ky sistem drejtësie dhe ajo ndihet tepër e kënaqur, në këto përsiatje dhe ëndërrime në mes të ditës me diell.
Në një kohë që lipsej të heshtte e të mos i nënshtrohej propagandës neveritëse konjukturale, kur realiteti të cilin ajo e njeh fare mirë, dëshmon krejt të kundërtën e pohimeve të saj. Përmes deklaratës së saj, ajo na ofron leksione lidhur me domosdoshmërinë e respektimit të institucioneve dhe ligjeve si edhe standarteve evropiane.
E nderuara zj. Ministre.
Si një qytetar i integruar evropian, personalisht jetoj në një shoqëri demokratike, në vendin ku lindi dhe u aplikua për herë të parë prej grekëve të lashtë, Demokracia. Kjo vlerë thelbësore universale, për t’u shtrirë e përhapur mandej dhe funksionuar në mbarë botën. Më lejoni t’ju kujtoj se drejtësia shqiptare, nuk është një feud i askujt prej individëve apo pushtetarëve të përkohshëm, e relativisht as e juaja ashtu sikundër as edhe monarkut Kryeministër aktual autokrat. Përtej politikës dhe interesave okulte, Drejtësia i përket eskluzivisht gjithë shoqërisë dhe veçanërisht popullit shqiptar, në emrin e të cilit jepet edhe verdikti i saj, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe aspektet ligjore.
Drejtësia, si një prej shtyllave qendrore të një shteti demokratik, përbën në vetvete, një sistem racional dhe antropocentrik me vlera të jashtëzakonshme. Ajo mbron shtetin e së drejtës dhe interesin publik të cilat janë parakushte për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin shoqëror. Por natyrisht pa lënë jashtë vëmendjes njeriun, qytetarin e thjeshtë, kryesisht më të dobëtin, më të prekshmin, të cënuarin e të pambrojturin, sepse vlera e qenësisë njerëzore, është një përzgjedhje themelore kushtetuese.
Fatkeqësisht, problemet e drejtësisë shqiptare realisht janë tepër serioze ashtu sikundër edhe të koklavitura e kaotike. Për rrjedhojë me shkaktare kryesore politikanët aktualë, dhe me pasojat e situatës që është krijuar në strukturat dhe funksionet e Drejtësisë, askush nuk mund të ndihet i kënaqur. Aq më tepër një Ministre, duke pasur si përgjegjësi funksionale pikërisht Drejtësinë.
Si qytetar evropian me të drejtë ju pyes, a funksionon drejtësia shqiptare në ditët e sotme?…
E përgjigja juaj kurrësesi nuk mund të konsistoj në deklarata patetike krejt të papërgjegjshme,duke u kamufluar pas kontekstit të tyre.
Sepse nëse Drejtësia do të funksiononte realisht, përtej deklaratave tuaja patetike, do të lipsej të kishte filluar hetimi për dosjet e zeza të korrupsionit galopant të tjetërsimit të shenjtërisë së trojeve të ligjshme himariote. Fatkeqësisht dhe çuditërisht nga kjo Drejtësi që ju ndiheni mirë dhe e lumtur, unë e me mijëra bashkëpatriotë të mi, ndihemi të dhunuar e privuar prej ligjeve kriminale të një shteti anormal dhe antidemokratik, siç funksionon shteti aktual ku juve shërbeni si Ministre e Drejtësisë.
Nëse Drejtësia do të funksiononte, sot lipsej të ishte penalizuar dhe hetuar, një prej kryeaktorëve të grabitjes dhe vjedhjeve monstruoze në Bregdet, liliputit ordiner, marionetës së emëruar të Edi Ramës,si Kryebashkiak i Himarës.
Si mundet që në datën 12.05.2017 ora 13:36, TV Klan transmeton një kronikë teksa kumton se KLSH ka zbuluar gjatë një auditi të ushtruar në Bashkinë e Himarës, në periudhën korrik 2014-të deri në dhjetor të 2016-të, një dëm ekonomik me vlerë 600 mijë dollarëshe. Ashtu sikundër edhe prej procedurave të shkelura në tendera në buxhetin njësisë vendore, arrijnë në 3 milionë dollarë. Për rrjedhojë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar në prokurori Kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro,si edhe 10 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.
Dhe për ironinë e fatit kjo Drejtësi që ju zj. Ministre krenoheni HESHT?…
Përse kjo heshtje ndaj këtyre ligjshkelësve dhe shpërdoruesve të parave publike?…
Përse ky derdimen monstër vjedhjesh, ndonëse i kallëzuar në organet e Drejtësisë, rishtaz përzgjidhet dhe emërohet sikur të mos ketë ndodhur asnjë gjë,prej Kryesulltanit të qeverisë aktuale,Edi Rama,në krye të Bashkisë së Himarës, në zgjedhjet e fundit monopartiake vendore?
Përse kjo Drejtësi dhe SPAK-u nuk heton se çfarë fshihet pas këtyre detajeve asfare të rastësishme,që ndonëse Jorgo Goro akuzohet si HAJDUT e SHPËRDORUES, këto etiketime anashkalohen me papërgjegjësinë e njohur nga ata që lipset të jenë e dëshmojnë rigorozë në respektimin e ligjeve të shtetit. Por shkelen fare hapur këto ligje… dhe askush nuk mban përgjegjësi. Përse kjo komedi qesharake vijon e luhet mbi shpinat e qytetarëve himariotë, e Drejtësia e zj. Etildë, vijon çuditërisht të HESHTË?
Si mundet që Boldnews.al, në datën 25.02.2021, boton një tjetër skandal të këtij Kryezullumqari e Kryehajduti të pacipë, Jorgo Goro, i vetëdiskredituar, krejt i pafrikësuar prej drejtësisë dhe mosrespektimit të ligjeve, duke u kapur me shkelje flagrante në kryerjen e tenderave shtetërore. Duke favorizuar me 15 tendera nënën e ish-juristit të Bashkisë së Himarës, duke ndarë hapur me rryshfete shumat e taksapaguesve në interesa okulte. Dhe as Drejtësia juaj zj. Etildë ashtu sikundër edhe as SPAK, nuk angazhohen e nuk fillojnë hetimet për këto bëma e skandale monstruoze, të paligjshmërisë si edhe antikushtetutshmërisë, që konsistojnë në vjedhjen e dyshimtë dhe flagrante të arkës së shtetit.
Teksa përballemi me këto fakte konkrete kokëforte, si mundet vallë të besojmë në retorikat tuaja krejt pa asnjë vlerë dhe hipokrite, e nderuara zj. Ministre e Drejtësisë? Teksa qartësisht është e njohur se cilido shtetas apo zyrtar i veshur me pushtet, nëse përfiton padrejtësisht prej aferave me para ose pasuri publike, përpos shkeljes së ligjit, është zhytur në një krim.
Ju përse nuk reagoni dhe heshtni zj.Ministre, përballë këtyre rasteve skandaloze dhe flagrante që po referoj, teksa dhunohen rëndshëm vetë rendi kushtetues, ashtu sikundër edhe Ligji Themeltar i shtetit,Kushtetuta?!
Përse ne duhet të tregohemi kaq të duruar ndaj kësaj heshtjeje ogurzezë e të paramenduar, pas së cilës fshihen e kamuflohen dilema,një shkallë korrupsioni e papërsëritshme, duke u dhunuar hapur të drejtat tona?!
Përse përpara këtij fenomeni të pandëshkushmërisë, duhet të vijojnë të vërdallosen e kapardisen këta dordolecë dhe sharlatanë të pafytyrë, duke vijuar të ushtrojnë funksione publike,ndërsa ju padrejtësisht heshtni?
Pa hezituar asfare mund t’jua shpreh fare hapur, se këto qëndrime sa hipokrite po aq edhe cinike e të dëmshme kryesisht të juve kastës së lartë të politikanëve të vendit, duke na trajtuar si qenie krejt të pavlera, na kanë lodhur, na kanë marrosur, na kanë zhgënjyer tmerrësisht. Me pasoja fatale për jetët tona ashtu sikundër edhe për të sotmen dhe ardhmërinë e trojeve dhe pronave tona. Përpara vjedhjeve dhe grabitjeve kriminale të Kryebanditit Jorgo Goro, ju si shërbestare e Drejtësisë, heshtni!
Përpara tjetërsimit kriminal të pronave e trojeve tona, të cilat për çdo ditë shënjestrohen duke u grabitur e tjetërsuar nga ato ligjet kriminale të iniciuara në instancat tuaja të larta e miratuara nga parlamenti i turpshëm monopartiak. Ndërsa ju preferoni indiferencën dhe përçmimin. Të cilat edhe pse bien ndesh me ligjet dhe Kushtetutën, me të drejtat tona themelore si qytetarë evropianë, edhe pse sundon paligjshmëria ndaj ligjshmërisë, rishtaz nëpërmjet manipulimeve të mbrapshta dhe arrogancës proverbiale, promovohen si shpëtimtare dhe triumfatore. Në një kohë që secili prej jush duhet të mbulohet prej TURPIT, sepse ndonëse shkelen e cënohen interesat tona, interesat themelore të qytetarëve, si iniciues dhe bartës të sovranitetit shtetëror, prej nga burojnë e rrjedhin të gjitha atributet shtetërore,juve as që doni t’ia dini,por mjaftoheni me deklaratat tuaja bajate e krejt neveritëse.
Vërtetë kjo drejtësia juaj e lëvduar, kur Prokuroria dhe SPAK do hetojë dhe marrë të pandehur Edi Ramën dhe gjithë shpurën e shërbëtorëve të tij të bindur, për abuzimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të qytetarëve. Që përmes sajesave dhe dinakërive të pështira,privojnë ushtrimin e të drejtës kushtetuese, të emigrantëve, për të votuar. Siç ndodhi jo shumë larg, por vetëm përpara pak ditësh. Një prej të cilëve jam edhe unë.
Drejtësia shqiptare do të fillojë të funksionojë dhe respektojë parimet themeltare të demokracisë, atëhere kur juve personalisht të distancoheni dhe anashkaloni deklaratat propagandistike krejt të pavenda. Atëhere kur ajo nuk do të ndikohet prej ndërhyrjeve të politikës dhe kërcënimeve të saj. Atëhere kur pa bujë e zhurmë, të ulen në bangën e saj e llogarijapin i pari Edi Rama, e mandej mercenari kryehajdut, sahanlëpirësi sharlatan Jorgo Goro, i emëruar prej Kryesulltan Edit, deputetë të inkriminuar, hajdutë të pacipë të trojeve të Bregdetit, abuzantë duke shfrytëzuar postet zyrtare shtetërore e një sërë të tjerësh mëkatarë që kanë shkelur e përdhosur Ligjin e Shenjtë, Kushtetutën e mandej e ligje të tjera themeltare të shtetit.
E nderuara zj. Ministre,
Ne si qytetarë evropianë kërkojmë me ngulm të respektoni vlerat, integritetin dhe parimet. Kërkojmë prej Qeverisë dhe shërbestarëve të saj të respektojnë dinjitetin tonë e gjithë të drejtat legjitime që burojnë prej Kushtetutës si edhe konventave të njohura ndërkombëtare, në sundimin e ligjit.
Si qytetarë evropianë kërkojmë që institucionet shtetërore dhe vetë shteti, të distancohen prej padenjësisë së institucionalizuar, prej keqpërdorimit të atributeve që burojnë prej nesh, prej interesave okulte, atyre klanore e ligjshkelëse, prej impakteve negative të sajesave cinike dhe hileve politike djallëzore, duke respektuar barazinë, integritetin dhe interesat tona qytetare.
Këto lipset të jenë prioritetet aktuale të Drejtësisë, për të lartësuar dinjitetin e saj, por edhe duke dëshmuar rolin edhe misionin e saj, në mbrojtje të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës.
Athinë, 10. 05. 2021.
Etilda Gjonaj: Zbatimi i reformës në drejtësi, një histori e përbashkët suksesi