Fadil Sahiti: Programi (jo)zhvillimor i një qeverie
Programi (jo)zhvillimor i një qeverie
-I-
Secili lexues me edukim mesatar ekonomik, e kupton se me programin zhvillimor të qeverisë (2021-2025), perspektiva e zhvillimit ekonomik në Kosovë edhe më tutje mbetet e pasigurt. Kemi të bëjmë me një program të hartuar shpejt, pa analizë paraprake, e mbi të gjitha pa kornizë strategjike që mundëson zhvillim ekonomik. Në këtë shkrim nuk debatohen qëllimet tautologjike dhe populiste të këtij programi, si lufta kundër pandemisë, padia për gjenocid kundër Serbisë apo ajo për krijimin e Fondit Sovran. Në fokus të kësaj analize janë aspektet që lidhen me atë që në program quhet ringjallja ekonomike.
Në shikim të parë duket që, së paku në letër, programi e vë theksin në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, në thelb, programi është një përshkrim i përgjithshëm, tautologjik, i shumë problemeve tona ekonomike. Programit i mungon qasja serioze dhe e mbështetur në evidencë empirike. Fitohet përshtypja sikur ata që e kanë hartuar programin nuk e kanë idenë themelore se si mund të “ringjallet” një ekonomi, ndonëse personalisht nuk e di nëse ekonomia kosovare ka qenë ndonjëherë e ‘gjallë’ apo dinamike e që tani qeveria kërkon ta ringjallë. E kam të vështirë ta kuptojë se si u ngjallka një ekonomi “me masa për rritjen e likuiditetit të amvisërive dhe me mbështetjen e atyre që kanë nevojë më së shumti për ndihmën shtetërore”. Teoritë moderne (ato që operojnë në vendet kapitaliste) rritjen ekonomike e ndërlidhin me rritjen e kapacitetit të një vendi për të prodhuar mallra dhe shërbime, e jo përmes rritjes së “likuiditetit të e amvisërive”. E, këto mallra dhe shërbime nuk i prodhon as qeveria, e as ‘amvisëritë’, por sipërmarrësit privatë.
I tërë programi përshkohet nga roli i shtetit në ekonomi. Në parim edhe unë besoj në rolin e shtetit në rritjen ekonomike të një vendi, por jo në mënyrë direkte siç pretendon ta bëjë qeveria aktuale, përmes intervenimit në ‘rritjen e likuiditetit tek amvisëritë’! Roli i shtetit në ekonomi duhet të kufizohet në krijimin e ligjeve dhe rregullave të parashikueshme, implementimi i të cilave mundëson vendosjen e rregullave të lojës, të standardeve në treg. Vetëm kështu mundësohet krijimi i një ekonomie dinamike ku ndërmarrësia nuk udhëhiqet nga nevoja për ekzistencë, por nga mundësitë që ofron tregu. Roli i shtetit duhet të kufizohet në mbështetjen dhe inkurajimin e investimeve private nga ndërmarrës vendorë dhe të huaj. Pa këto, investimet private që derivojnë nga stimujt e tregut nuk mund të shfrytëzohen për të mirën e përbashkët.
Siç u tha më sipër, ky program qeverisës fare pak është i mbështetur në evidencë empirike. Por, çfarë na thotë kjo evidencë? Sipas kësaj evidence, ekonomia e Kosovës është e stërmbushur me firma të vogla, jo efiçiente, të cilat as nuk largohen nga tregu, as nuk zhvillohen. Kjo ekonomi është e populluar nga firma të imta, ‘stagnante’, pa ndonjë nxitje për të inovuar. Andaj, fokus i programit mbështetës qeverisës nuk duhet të jenë të gjitha firmat që operojnë në treg. Programi qeverisës duhet të ketë në fokus krijimin e një mjedisi afarist që do të promovonte firmat e pajisura me kapacitete inovative, ato që aspirojnë të rriten, që kanë për qëllim të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut dhe gjithashtu të hyjnë në tregje të reja. Vetëm ky mjedis do të forconte konkurrencën në treg dhe do të nxiste firmat tjera të rrisin efikasitetin e të bërit biznes, për t’u bërë më të mëdha.
Si mund të mbështetet ky ambient afarist?
Krijimi i një ekonomie dinamike kërkon reforma thelbësore, së paku në tri fusha themelore: krijimi i një ambienti të sigurt për investime private (stabiliteti politik, sundimi i ligjit, korrupsioni, informaliteti etj.), qasje më cilësore në fonde financiare, si dhe reformim thelbësor i sistemit arsimor.
Nuk ka nevojë të theksohet rëndësia e stabilitetit politik dhe institucional për një investitor privat. Është krejtësisht iluzore të presim që ky stabilitet do rritet pa zgjidhjen e konfliktit të ngrirë me Serbinë që, sipas pikëpamjes, sime është gjeneratori kryesor i jostabilitetit institucional. Aspektet tjera kanë të bëjnë me aprovimin dhe implementimin e ligjeve që lehtësojnë largimin nga tregu të firmave më pak efikase dhe nxisin rritjen e atyre më inovative. Kjo është thelbësore për të shpejtuar rialokimin e burimeve ekonomike nga firmat më pak produktive në ato më produktive. Kjo do të kërkonte një përmirësim thelbësor të politikave të konkurrencës, uljen e pengesave për hyrjen e firmave të reja dhe në të njëjtën kohë përmirësimin e cilësisë institucionale të ekonomisë dhe strukturën rregullatore. Reforma të tjera do të përfshinin ligjet e falimentimit dhe legjislacionin e konkurrencës. Për më tepër, rritja e transparencës së sistemeve tatimore, përmirësimi thelbësor i sundimit të ligjit, mund të ndihmojë firmat efikase që të ulin pasigurinë e tyre në rritjen e shkallës së operacioneve të tyre (në shkrimin vijues fokus i analizës do të jetë reformimi i sistemit financiar në Kosovë).
Fondi Investiv dhe Banka për Zhvillim
-II-
Në shkrimin paraprak, jam munduar të jap pikëpamjen time se përse programi i Qeverisë Kurti II duhet të jetë i fokusuar në krijimin e një ambienti afarist i cili fut dinamizëm mes firmave afariste të vendit. Gjithashtu, jam munduar të vë në spikamë rëndësinë e promovimit të investimeve private (të vendit dhe të huaja) në pajisje dhe ide të reja (teknologjike dhe menaxheriale), si motori kryesor i çdo ringjallje apo rritjes ekonomike. Investimet private në asete kapitale bashkëkohore u mundësojnë firmave ekzistuese të aplikojnë teknologji të reja dhe në këtë mënyrë të riorganizojnë proceset e prodhimit drejt praktikave më të mira globale.
Programi i qeverisë 2021-2025, e adreson faktorin financiar, por disi në mënyrë jo shumë të qartë. Në program flitet për një Fond Sovran i cili nuk dihet saktësisht se çfarë përmban. A është ky një fond financiar të cilin qeveria do ta shfrytëzojë për të subvencionuar firmat publike si Trepçën apo PTK-në, me qëllim të mbajtjes së tyre në treg, apo ekziston veç si emër që për qëllim ka të fut nën kontroll institucional këto entitete afariste jo-rentabile, kjo nuk është e saktësuar në program. Unë nuk dua të flas më shumë se si do duhej të menaxhoheshin këto firma publike, edhe pse e kam konceptin tim. Mirëpo, është e domosdoshme që edhe Kosova, siç bëjnë ngjashëm disa shtete në rajon, të krijojnë një mekanizëm publik financiar i cili do të stimulonte firmat në rritje të kapaciteteve dhe zhvillim.
Në “programin e ringjalljes”, krijimi i bankës për zhvillim është një ndër objektivat e qeverisë. Nuk e kam të qartë nëse ky objektiv bazohet në analizë paraprake. Megjithatë, siç u tha më sipër, firmat kosovare kanë nevojë për mbështetje financiare më të mirë. Do të jetë e vështirë të zgjidhet modaliteti më i mirë i mundshëm i sistemit financiar, pasi kjo lidhet me strukturën e përgjithshme politike dhe ekonomike dhe ka karakter afatgjatë. Megjithëse çështjet strukturore janë përtej qëllimit të këtij shkrimi, ka disa masa afatshkurtra që mund të kontribuojnë në përmirësimin e situatës financiare në vend.
Së pari, liberalizimi i kushteve të hyrjes së bankave tjera në tregun e Kosovës, përfshirë përshpejtimin e procesit në marrjen e një licence bankare, do të ndihmonte në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar dhe potencialisht do të ulte koston e kredisë. Kjo mund të kërkojë reformim të sistemit financiar, përmirësimin e disponueshmërisë së burimeve specifike të financave – të tilla si kapitali sipërmarrës (venture capital) dhe kapitali privat (private equity).
Veprimi i dytë do të ishte formimi i një banke kombëtare të zhvillimit. Ka arsye të mira teorike për krijimin e një banke të tillë. Kjo bankë mund të ndihmojë në kapërcimin e disa prej dështimeve kryesore të tregut. Në veçanti, një bankë e tillë do të siguronte qasje në fonde me kushte më të favorshme sesa bankat komerciale, veçanërisht për firmat e pajisura me kapacitete inovative, për firmat e reja dhe në rritje, dhe do të mbështeste rritjen e numrit të firmave me kapacitet eksportues.
Në dritën e shumë problemeve institucionale dhe qeveritare, krijimi i një banke të tillë mbart disa rreziqe. Kjo sidomos bëhet shqetësuese kur kemi parasysh kulturën autoritare dhe populiste të liderëve politikë. Por, për të qenë efektive dhe gjithashtu për të qenë e lirë nga ndikimi politik, banka do të duhej të funksiononte nën një statut që artikulon qartë misionin e saj dhe siguron që banka të mbajë përgjegjësi për kryerjen e këtij misioni. Për më tepër, për të mbikëqyrur vendimet operacionale në mënyrë të pavarur, banka do të duhej të drejtohet nga një bord i caktuar në mënyrë të pavarur. Ekzistojnë shembuj të mirë praktikë që tregojnë përparësitë e një banke me këtë lloj mandati, siç është Banka Sllovene për Eksport dhe Zhvillim (në shkrimin vijues, fokus i analizës do të jetë reformimi i sistemit arsimor në Kosovë)./telegraf.al