Rifat Ismaili: Trokitje takash mbi trotuar
Tregim
Kisha mbërritur, por nuk e dija përse kisha ardhur, sidomos tani, që mbrëmja po binte. Nuk kisha as miq dhe qyteti kish qenë i vetmi i njohur i dikurshëm. Nesër do të merrja avionin për Fiumiçino, në Romë. Do ikja, do lija pas gjithçka dhe do të më mbetej peng nëse nuk do e shihja kryeqytetin. Kisha mall, por prapë “malli nuk është arsye” thashë.
Hoteli nuk ishte më shumë se njëqind metra larg, megjithatë mendova të ec pak nëpër shi, gjersa të gjeja një tjetër më me shpirt. Rruga ishte bosh, me ndriçim të mekur dhe nën të,qyteti, të paktën ajo pjesë që më kujtohej prej tij, dukej e shfytyruar. Herë pas here bubullinte, shkrepëtinte dhe qielli plasaritej nga rrufe të tmerrshme që ngjanin me skeletët e peshkut. Rrugët bosh, makinat e rralla që shkonin me nxitim,e rrësira, shiu, më futën frikë shpirtit tim. Gjithçka dukej skenike, si e montuar apo e çmontuar për realizimin e një filmi dokumentar bardhezi.
Teksa mendoja kështu, pas meje dëgjova kërcitje takash që trokëllitën mbi trotuar. Qëndrova në vend. Edhe trokthi i takave pushoi. Isha përpara një lokali nate plot dritë dhe zhurmë muzike. Para se të hyja brenda, ktheva kokën për t’u lehtësuar nga pesha shtypëse e qytetit dhe nga misterioziteti i gruas që më kishte ndjekur pas gjer atë çast. Por asgjë. Veç heshtjes nuk kishte asgjë të gjallë në rrugën e lagur. Sheshi ngjante edhe më i frikshëm me horizontalitetin e vet të paanë. Vështrova përsëri përreth duke menduar se gruaja, apo femra, ç’dreqin qe, mund të ish ndonjë çapkëne dhe qe fshehur diku pas një kioske librash. Përsëri asgjë. Atëherë gjithçka m’u duk si e përsëritur, sikur e kisha jetuar edhe një herë tjetër, por ndoshta larg prej këtej.
Hyra brenda lokalit dhe zura vend ne një tavolinë. Kamarierja mu afrua menjëherë dhe porosita nje gotë verë të bardhë. Ktheva koken nga të gjitha drejtimet, për të soditur njerëzit në tavolinat përreth. Lokali ishte i rregulluar me shije dhe kishte intimitet. Njerëzit bisedonin dhe pinin të qetë në tryezat e tyre dhe gjithë kjo shoqërohej nga një muzikë e lehtë në sfond. Pranë banakut më ranë sytë tek një vajzë e re, që ishte ulur në një stol pranë baristit, mbante gotën me dy duar, nuk fliste dhe dukej e menduar. Më joshi menjëherë ajo vajzë dhe po më pëlqente e po më ngrohte ai ambient me dritë dhe vezullime gotash që përplaseshin duke lëshuar tinguj, biseda e të qeshura. Mendja më shkoi përsëri tek trokthi i takave mbi asfalt dhe në shpirt më zuri vend trishtimi. Nuk e kuptoja kurrë veten në çaste delikate. Ç’qe ai trishtim, veç disa orë më parë se të mbërrija aty ku vjershat, pikturën, punën në restorant, miqtë, jetën time të re, i kisha lënë në mes? Nga tryezat e tjera vinin të qeshura njerëzish që pinin dhe nuk pushonin së uruari njëri- tjetrin.
Mbase kam nevojë për ndonjë të njohur në këtë qytet që më është bërë befas kaq i huaj, sa të mos e njoh më, thashë duke ndjekur me sy lëvizjet e përgjumura të bukuroshes që rrinte ulur pranë barit. Dukej si një zogth i balsamosur në atë atmosferë shperthyese. Porosita kafenë. Teksa po i shtija majën e lugës së zakonshme me sheqer, dora mu drodh, sheqeri u përhap mbi tryezë dhe luga e vogël ra mbi dysheme. Zhurma e lugës e shpërgjumi vajzën dhe ajo filloi të më vështrojë drejtpërdrejt në sy. Fillova të surb kafenë fare pa sheqer duke e vështruar dhe unë. Ajo kthente gotën, buzëqeshte dhe hidhte vështrime të rrufeshme nga unë. Kur ula filxhanin mbi tryezē, pashë si u ngrit, i erdhi rrotull tryezave, larg e larg dhe për çudi ndaloi pranë meje.
– Dëshiron ta shohësh, me tha mes buzëqeshjes së vet tërë nur.
– Për të ikur, do iki nesër i thashë, e dashura më ka lënë, kam veçse një orë këtu, nuk dua as të filloj punë, nuk njoh askënd me inicialin R, përveç vetes, ti quhesh sigurisht Beatriçe ose jo Beti, jam vetëm e i vetmuar në këtë qytet që më ka harruar, por nuk besoja të qe bërë kaq i shpifur dhe i dashur njëkohësisht.
Ajo prej fjalëve të mia qeshi. Zgjati gishtin e vogël dhe tha se kisha nevojë për ndonjë psikiatër.
– Dalim- tha.
Sapo kërcyem mbi rrugë, dëgjova përsëri trokthin e takave që e njihja sigurisht. Mbajta këmbët. Trokthi pushoi. Nuk guxova t’i them gjë asaj, sepse do më thosh që kisha vërtet nevojë për psikiatër. I shkova dorën rreth belit dhe eca. Ajo nuk kundërshtoi, por u mbështoll edhe ajo rreth meje. Trokthi filloi përsëri.
– Qytet pa dashuri- i thashë. – Erdha me qejf, por po ndihem keq këtu. Më duket si një varrezë makinash të vjetra që kanë ardhur ta mbyllin jetën këtu.
– Përse ke ardhur? – më pyeti me zë të butë ajo.
– Për të ikur,- i thashë,- ndoshta për të të njohur e për të bërë dy hapa me ty, në këtë natë të errët. Më duket- i thashë prapë- sikur e kam bërë edhe njëherë tjetër këtë bisedë, në po këtë rrugë dhe jam i sigurtë se kam qenë me ty. Bashkë kemi qenë? – i thashë.
– Edhe mua kështu më duket, – tha ajo.
I lëshova dorën dhe zura të rrotullohem, t’i vij përqark duke imituar erën.
-Ç’ po bën kështu? -tha ajo.
– Ke parë tjetër njeri të bëj kështu- i thashë.
Ajo mblodhi supet.
– Po bëj një hënë personale për ty, – i thashë.
– Je i lehtë- më tha ajo dhe, duke hapur krahët, u lëshua drejt meje si një avion e duke më mbytur me të puthura.
Ishim para kioskës së librave.
– Sa do të doja t’i thyenim këta xhama e të bënim dashuri këtu, mes librave- i thashë. – Ke bërë ndonjëherë dashuri mes librave? Kushedi ç’ bëhet! Ngjarje, personazhe, autorë, çmime. Hë! Ke bërë?
Ajo u shkëput prej meje duke thënë “jo”.
I vajta pas nga frika se mos mbetesha përsëri vetëm,m e atë trokth, që s’më ndahej. Ajo nxitoi hapin dhe hyri në një rrugicë që dikur të nxirrte tek një kinema e madhe, por e parehatshme.
– Ku po shkojmë? – i thashë.
Ajo nuk mu përgjigj, por më kapi dorën dhe më tërhoqi.
– Ku po shkojmë?- e pyeta sërish i befasuar.
– Arritëm – tha ajo duke dalë prej rrugicës, në një rrugë anësore, po aq e pandriçuar sa edhe rrugica.
Bëmë edhe dy – tri hapa të shpejtë, pastaj ajo ndaloi.
– Më puth,- tha papritur, – më puth fort,- shtoi duke më kapur prej duarsh.
E mbështolla duke e ngjeshur pas vetes.
– Më fort! Më fort! Dua të ulërij. Të ulërij, – thërriste mbytur ajo.
Në gojë më erdhi shija e athët e gjakut.
– Më fort! Më fort! – rënkoi ajo duke filluar të zhvishte rrobat.
– Fort! Më fort! Gjersa të zgjohen të gjithë. Të gjithë. Të zgjohet edhe ky.
Ajo ishte thuajse krejtësisht lakuriq dhe befas filloi të qante me rrëmbim si ai shiu që kishte rënë më parë kur zbrita nga mikrobuzi.
– Cili? – pyeta.
– Ai.
Kur ktheva kokën ,pashë se ndodheshim perpara një memoriali të vogël me foto porcelani, mermer dhe qiri, nga ata që ishin shtuar si kërpudhat ndanë rrugëve.
– Është i dashuri im, – tha ajo duke treguar me kokë djaloshin që vazhdonte të qeshte nga fotografia.
– Nuk dua të më ngushëllosh. Më ndihmo të hakmerrem. Vdiq në një prej atyre karakatinave, në njërën prej atyre varrezave me rrota që i kanë sjellë t’i ngrysin ditët e fundit këtu. Kohët e fundit rrinte vetëm pas saj dhe thuajse më kishte harruar…
– Nuk të ka bërë asgjë të keqe…- i thashë për ngushëllim.
– Më trajtonte si të parritur, si fëmijë dhe thoshte se ka gjithmonë kohë për atë punë. Për këtë dua ta poshtëroj. Ta poshtëroj. Ta poshtëroj që më la kështu, në këtë gjendje, sa nuk lidhem dot shpirtërisht me askënd,- tha ajo duke nxjerrë jashtë gjoksin majosh.
– Jo në librari. Këtu dua, – shtoi.
– Nuk mundem- i thashë.
– Mos fol- tha ajo, -dhe po të duash mos bëj asgjë, – shtoi duke më puthur gjithandej,çdo pjesë të trupit, duke më nxitur me fjalë të ngrohta që ta ndihmoja të kapërdinte fyerjen, të hakmerrej e të fillonte një jetë tjetër, të re.
Unë heshtja dhe nuk lëvizja. E lashë të bënte ç’të donte me mua dhe nuk po e kuptoja se si nuk po më çahej zemra dysh. Ajo nisi të shante e të mallkonte të dashurin, pastaj e zuri me mua që isha po aq i poshtër si ai dhe si të gjithë burrat e tjerë të botës.
Pas pak u qetësua. E ndihmova të vishej dhe ajo pranoi. Kishim ecur ca drejt qendrës së qytetit, kur ajo mbajti këmbët. Dëgjova trokthin e takave mbi trotuar, edhe pasi ajo u ndal.
– Nuk të mbetet peng, vërtet?- më tha.
– Njëlloj është, – i thashë pa e mbledhur dot veten pas dhunimit që më kishte bërë. Ti ndihesh më mirë tani, apo jo?
Ajo mblodhi supet.
– Sikur e kisha bërë edhe herë të tjera, mu duk. Ndoshta, ngaqë kam kaq kohë që e mendoj.
Ajo u nis drejt rrugës së shtëpisë, ndërsa unë e ndoqa me sy gjersa e gëlltiti dera dhe mbeta, si në fillim vetëm, vetëm me trokthin e takave mbi trotuar, që nisi të kërcasë sërish.
Please follow and like us: