Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shikonin vatanin, vëllezër!

 

 

Nëse ne shqiptarët vazhdojmë të merremi me konfliktin në gadishullin palestinez, kemi harruar çështjen tonë. Kemi harruar që aktualisht jemi të ndarë në 5 shtete. Që kemi dy shtete nga ku i pari është i sakatosur akoma nga mentaliteti internacional i diktaturës së proletariatit 1944-1990. Ky mendim internacional vërehet edhe në mënyrën e të të besuarit. Madje u demonstrua në luftën civile, në Sirinë e Bashar Al Asad-it. Akoma kemi pengje në kampet e Sirisë. Nocionet e tjera janë harta politike me shqiptarë e territore, të shkëputur nga vendi amë. Ajo që sot shumë kancelari lindore, përfshi edhe palestinezët e Jaser Arafatit apo Abasit, e kanë transformuar në Shqipëria e madhe, gogoli që do mbysi fqinjët. Në fakt është Shqipëria natyrale. Por ka bërë punën e vet koha, shqiptarët besimtarë e shohin me një sy internacional si vëllaun e largët. Besojnë verbërisht në misione të shenjta, deri sa kërkojnë publikisht pjesëmarrje kombëtare. Kësisoj kemi harruar të kuptojmë edhe lirinë e të të ekzistuarit, se çfarë është demokracia, shteti, arsimimi, tradita jonë dhe besimet tona fetare, veç ama si shqiptarë, të indinjohemi me dhunën nuk ka asgjë të mbrapshtë. Por që të fajësojmë njëri-tjetrin si pro Izraelit a pro Palestinës, këtu ja fusim anapulla. Të merremi se kush është pushtuesi dhe kush jo pushtuesi rishtas ia fusim anapulla. Palestinezët janë popuj arabë të nominuar si palestinezë nga gadishulli palestinez. Izraelitët janë po aq vendalinjë sa ata. Janë pasardhësit e Davidit, populli i dëbuar. Dhe populli më i përdhunuar. U takon arabëve dhe hebrejve ta zgjidhin, të japin e të marrin mes vedi. Jo neve. Ne bëjmë mirë të shohim hallet tona. Se i kemi me shumicë. Përshëmbull dy shtetet dhe 3 nocionet gjeografike a komunikojnë me njëri-tjetrin? A kanë lidhje me transe kryqetetet tona? A kemi programe mësimore, të paktën me gjuhën shqipe të njëhsuar në shkollat tona? A ia njohim diplomat njëri-tjetrit? A i gjëndemi njëri-tjetrit? A japim e marrim në tregti me shoqi-shoqin, apo e sjellim domaten nga Bullgaria. Dhe ua lëmë vëllezërve rrëkajë kanaleve etj. A besojmë shqip përpara zotave tona, qofshim orthodoksë, katolikë, a myslimanë? Se shpesh gërrëvërremi me mendësi jo shqiptare, por sipas përkatësisë së Patriarkanës, mendësisë së Orientit iranian a shkollave nga shkojmë e studiojmë. Një kavalier bir Shkodre me emrin Pashko Vasa, tha me zë plot, feja e shqiptarit asht shqiptaria. Pasha e mysliman i thekur burri, por shqiptar. Bektashi i thekur Naim Frashëri, por shqiptar. Katolik i thekur Gjergj Fishta, por shqiptar. Kuteli, e kështu plot syresh. Se hapim ca avaze ku kurrë nuk e kuptuam që besimi nuk është për me ia treguar atij tjetrit, vëllait, motrës, fqinjit, por shpirtit tënd. Se del një hajvan e u thotë shqiptarëve që shikoni, ky iks apo ai iks në vend të xhamisë shkon tek bektashinjtë e hashures. Dhe kori duartroket…, e përse? Pikërisht nga ai koncepti internacional dhe jo nga shpirti i vet në besim. Shqiptari i ka shkuar shqiptarit e ka ndërruar një të ëmbël duarsh, e kemi zakon me e vizitu tjetrin, me i ndërruar dy llafe, i themi hyrje-dalje. Pastaj bektashinjtë janë mysliman o hajvan. Por edhe po të mos ishin, kur një festë fetare i fik dritat deri politikës, çfarë të keqe ka ta qerasësh tjetrin qoftë edhe me hashure. Shikoni vatanin vëllezër e motra, Zoti ua shpërbleftë në besimin tuaj. Malet tona kanë nevojë për tempujt tanë. Ndofta nuk ju kujtohet, më 2014 në Malëbardhë, Milot, një fshat me shumicë myslimane, i ndërtuan bash në themelet e moçme, kishën atyre pak besimtarëve katolikë. E këta janë shqiptarët, këta. Dhe thojeni me zë plotë, e mburruni. Kryeqytetet tona kanë nevojë për tramvajet shqiptare. Dinë edhe shqiptarët të shtrojnë linja të hekurta, linja korenti etj. Të hapin tunele, e të gëzojnë njëri-tjetrin. Këtu t’i harxhojmë energjitë tona, jo tek Palestina me Izraelin.

Please follow and like us: