Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Ismail Xhaferi

Shkon e djeshmja pa kuptuar

 

Shkon e djeshmja pa kuptuar,

siç shkon lumi përmbi zall,

gjithçka ikën por lë gjurmë,

gjithçka shkon, por bëhet mall.

 

Koha shkon me hap të erës,

dhe për hir të së vërtetës

orët, ditët që lëmë pas,

gëlltitin një pjesë të jetës.

 

Por çfarë ikën s’kthehet më,

s’ka arsye të na tremb,

çdo moment që ish i bukur,

mbaje thellë në shpirtin tënd!

 

Shkon e ardhmja dhe për ne,

lë kujtime dhe trishtime,

por e djeshmja s’duhet qarë,

nga e ardhmja hidh vështrime.

 

Shkon e djeshmja pa kuptuar,

siç shkon lumi përmbi zall,

gjithçka ikën, por lë gjurmë.

gjithçka shkon, por bëhet mall.

 

Je një re në syrin tim

 

Je një re në syrin tim,

re e bardhë si dëborë,

unë zgjat dorën të të prek,

a preket reja vallë me dorë?!

 

Je një re në syrin tim,

që zbret ngadalë nga netët blu,

sa herë që nis e zgjat dorën,

tretesh ngadalë e humb diku.

 

Je një re në syrin tim,

dhe mall i trishtë si në një ëndërr,

sa herë që nata mbyll qerpikët,

më bëhesh dhimbje, shkon në zemër.

 

Je një re në syrin tim,

(o zot ç’magji bëkan gratë)!

je një yll nga qiej ëndërrash,

je një dhimbje kaq e gjatë!

 

Je një re në syrin tim,

që asnjëherë nuk m’a zë dritën,

mbyll qerpikët dalëngadalë,

se kam frikë se mos më ikën.

 

Je një ëndërr e ventitur,

e brishtë, e bardhë, plot trishtim,

je një dhimbje shumë e vjetër,

je një re në syrin tim…

Please follow and like us: