Komiteti Amerikano-Hebraik: Faleminderit Kosovë për mbështetjen e Izraelit dhe dënimin e Hamasit!
Komiteti Amerikano-Hebraik (American Jewish Committee – AJC) përmes një mesazhin në Twitter, falënderoi Kosovën për dënim e sulmeve të terroristëve të Hamasit, duke dalë në mbështetje të Izraelit.
“Faleminderit Kosova për këtë dënim të qartë të terrorizmit të Hamasit dhe për qëndrimin me Izraelin në këtë kohë sfiduese”, shkruan American Jewish Committee.
Ministria e Jashtme e Kosovës, orë më parë, reagoi zyrtarisht për herë të parë në lidhje me trazirat e ndodhura mes Izraelit dhe Palestinës. Ata kërkuan që dhuna të ndalet dhe paqja të rivendoset mes palëve, ndërsa e konsideruan si të nevojshme vendimin e Izraelit për t’u vetëmbrojtur nga sulmet e iniciuara nga Hamas-i.
“Si çdo shtet, Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamas, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij.
Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme në Izrael, ka shpërndarë në rrjete sociale, qëndrimin zyrtar të Kosovës në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, ku Izraeli, po përballet me organizatën palestineze Hamas.
Ndërkaq, edhe drejtori i Departamentit për Euro-Azi në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Izrael, Yacov Livne, e ka falenderuar Kosovën për përkrahjen.
“Faleminderit Kosovë”, shkruan Livne mbi reagimin zyrtar të Prishtinës zyrtare.