Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Rekuiem për Ahmet Golemin

Sot është ndarë nga jeta një njeri i vaçantë, Ahmet Golemi.
Kur e kam njohur në mesin e viteve ’60 të shekullit që shkoi, ai ishte një nga njerëzit më të shkëlqyer të kryeqytetit shqiptar.
Pa gjetur fjalë që ta përshkruaj portretin e tij, po sjell ndër mend, perifrazoj, një poezi të Frderiko Garsia Lorkës për Ignacio Sanchez Meijas. “Rrallë dhe kush e di pas sa kohësh do të vijë një Andaluzian kaq i pasur në aventura… Unë këndoj elegancën e mirësinë atij burri”, shkruan Lorka.
Une them: rrallë të takoje një burrë aq simpatik dhe njëherësh aq të adhuruar nga më të bukurat e Tiranës së asaj kohe. Ai kishte fizikun e një atleti të gdhendur nga një skulptor i antikitetit helenik dhe një portret aq burreror e të ëmbël.
I thoshin Kasius Klei i Tiranës.
Ishte si një mirësi e pasuri për njerëzimin prania e tij në Tiranën e atyre viteve. Këto fjalët më sipër, janë të një mikut tonë të përbashkët, që nuk kam lejë, t’ia përmend emrin. Se ky është një emër shumë më i madh…
Pesë herë kampion boksi, Ahmet Golemi, kur në Shqipëri zyrtarisht u ndalua boksi, u lidh me shkrimtarët më në zë të kohës. Shkroi poezi, tregime që redaktorët e shquar të gazetës “Drita” ia botuan dhe e inkurajuan të shkruante.
Ka shkruar dhe romane.
A. Golemi mbaroi dy fakultete, për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Institutin e lartë të Kulturës Fizike.
Ishte pedagog. Më pas gazetar sportiv në gazetën ‘Sporti popullor’.
Më pas i burgosur politik.
…..
Ahmeti më ka dhënë të përkthyer në dorëshkrim librin “Et subito sera’ (Dhe shpejt bie mbrëmja) të nobelistit italian Salvatore Quasimodo, që atëherë qarkullonte nën dorë.
Ai kishte lidhjet e veta me gjithë Tiranën. Me atë që dukej zyrtarisht, po dhe me atë të bodrumeve.
Kishte tre djem me një grua të mrekullueshme.
Të dashurat e tij ishin gocat më të reja të mapove të qendrës së Tiranës, goca me trup, fytyrë, me supe në ngjyrë karameleje. Ishin dhe sekretare partie, sportiste të IKF dhe modele të piktorëve e skulptorëve.
Më të bukurat.
Ahmeti ishte bujar. Jo vetëm mua më ka pritur në shtëpinë e tij me miq e mikesha të kohës. Nuk mbahen mend. Nga gjithë Shqipëria. Miqtë e tij ishin të panumërt.
Mbase më duhet të shkruaj një libër për të thënë të gjitha ç’kam në mendje e në zemër për Ahmet Golemin.
Lamtumirë, të qoftë dheu i lehtë, Ahmet Golemi!
15 maj 2021.
Please follow and like us: