Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Zullumi këputet duke u trashur

Në këto kohë ka kaos në e jashtë mendjes së secilit. Shumë zhurmë, pasiguri, konfuzion, nyje të forta që as nuk guxon t’u avitesh për t’i zgjidhur, sepse koklavitja e tyre demoralizon, shtang, zmbraps.

Dhe po! Vështirë të gjesh kënd në majë a fund të kreshtës së fatit, që të bëjë përjashtim nga “rregulli” i kaosit të fortë shpirtëror e pasigurisë materiale. Mandej, për vendthin ku na ka rënë për hise të rrisim fëmijë e pleqërojmë, nyjet ngjajnë edhe më të pamundura: pak njerëz, shumë lidhje, plot intrigë për metër katror në funksion të mbijetesës dhe ca kusure të shkuare, që bluajnë si mullinj shekullorë një mentalitet province me të gjitha komplekset e veta.

 Dhe këtu niset e ftillohet një paranojë sa individuale, aq edhe kolektive: “Asgjë nuk është siç duket”, “asnjë nuk duhet besuar”, “ai ka shitur akshin, akshi e ka ngrënë me gjithë lëvozhgë”, “lere se është më e thellë ajo punë, e di unë”, “ata janë mjeshtra, kanë bërë pakt me djallin”, “këta janë axhami, u janë squllur neuronet nga naiviteti”, “nuk bëhet dhe pikë”, “E di amerikoni atë punë, atë nuk e do gjermoni”, “e luan nëntoka nga poshtë gjithë skemën, e luajnë masonët nga lart gjithë mekanizmin” etj, etj…

Mundet… mundet të jetë secila prej tyre, të gjitha bashkë a ndoshta asnjëra, por ka një parim vetmbrojtës truri i njeriut, që i pastërvitur me arsim, kulturë, përvojë nuk e fut në punë:
Çdo gjë me radhë, çdo fije nga një përballë nyjes, çdo veprim për të shkokolepsur kaosin duhet ndërmarrë me llogaritje pasoje, fillimisht pak distancë për të kuptuar perspektivën e së tërës për të vendosur nga do nisësh, pa tutje se në kaos je gjithsesi, dorëzimi nuk shpie kurrkund, përpjekja sado e vogël e pastron një copëz vend duke të të afruar qoftë edhe pak drejt më pak parregullsie.

Ndaj, frymëmarrje e thellë para verdiktit “s’bëhet!”, se nuk na ka detyruar kush të ndërtojmë botën duke shkatërruar veten.
Radhë në veprime me perspektivën e madhe e të vockël të fituar nga një kqyrje pa përfundime të thjeshta, jo dorëzim se i bie të lësh nyjën të të arrijë ty e jo ti t’ja shkurtosh ca hapësirën dhe në fund, askush nuk ka manualin e fatit në dorë, as përgjigjen përfundimtare, paranojat ushqehen pa na ushqejnë. Nisim kështu të vëmë rregull në kaosin e kokës, ndërsa kokat e qëllimshme për të bërë kaos lërini të japin verdikte, përfundime, duke i bërë sehir nyjës që nesër do zërë edhe ata.
Zullumi këputet duke u trashur.

Please follow and like us: