Natasha Lusha: Sadik Bejko dhe libri poetik ‘Psalm për atin’
Sadik Bejko
Psalm për atin, poezi
Botimet Aleph
Libri i fundit poetik i autorit Sadik Bejko Psalm për atin përjetohet si një fjalë krejt e veçantë me modernitetin dhe ngrohtësinë e fshehur nëpër një dhimbje që formësohet gjithherë ndryshe, pa e tjetërsuar thelbin e vet të bukur dhe atë lloj përmase si të nënshpirtit. Të ngjan se përziehen imazhe të njohura e të çuditshme brenda një bote shpirtrash të zhytur në hije, që ndjek imazhin e së djeshmes, së sotmes dhe së nesërmes, e hijësuar nën këmbët e udhës ku shkel, e rrënjësuar në eshtra të të dashurve, e dashur si qielli për bijtë, por e pazhbëshme edhe në ta, si ADN-ja. E sajuar si me kast për të të thënë një të vërtetë të vetme, se njeriu është qenie e pafundme dhe është e kotë t’ia kërkosh limitet dhe rrënjët, bota e librit thërmohet dhe rindërtohet në dimensione të tejetshme enigmatike e shumëformëshe.
Mënyra e të bërit poezi e Bejkos kalon nëpër shtegun e hollë të shformimeve metaforike të imazheve, sekuenca lëvizjesh të ujërave, drurëve e dritëhijeve mes tyre apo gjendjesh në shpërbërje e sipër të sendeve e mjediseve me ngjyresë etnografike, të mbetura aty-këtu në kujtesën e gjithkujt nga fëmijëria nëpër ravgimet sfilitëse të të qenit njeri në këto anët tona. Janë detaje si të paqëllimta, që i rrok vetëm syri i poetit ose, më mirë, që vetëm kujtesa e tij di t’i “përkthejë” poetikisht. Ngacmimet, që i kap fluturimthi nëpër pamjet a detajet mijërafytyrëshe të natyrës, të të afërmve që s’janë më, të sendeve që lidhen me ta, të lëvizjeve, zakoneve e mjediseve, ato që kanë themeluar tabanin e qenies tënde (çuditesh sa të ngjashëm jemi) janë si shenjëzime që mbartin kësisoj jo vetë objektin material a veprimin e kohës në të, por gjendje shpirti, trysni ndjenje, rrudhje gjoksi nga dhimbja, thyerje e errësim horizonti të besimit e shpresës dhe një vetëdijë të pranisë së kohëve të gjithëkohshme e të përjetshme. Vazhdimisht ke përshtypjen se sheh, jo thjesht lexon. Ajo që sheh është lëvizje, diçka si gjendje tranzite drejt dekompozimit a, të paktën, shdërrimit në diçka tjetër, krejt tjetër nga ç’ka qenë dikur e që ti rrekesh me mendimin se nuk ka për të ndodhur me ty dhe e ndien se ndërkaq je bërë njësh me të, madje, se keni qenë gjithnjë kështu, pa e ditur. Vazhdimisht shfaqen mes vargjeve skica peizazhesh, etyde dimri a vjeshte të lagur, me vetmi të thellë e të pakuptuar, për të cilat mund të bëhej krejt një poezi më vete, po aty ato janë thjesht veç një figurë në tablon e përhiruar e të përhitur, sa për të ta skicuar ndjenjën e mallit, dhembjes, pasigurinë a ndrojtjen me një penel gri e të drithëruar prej mjeshtri, si të shkelte në një tempull.
E tërë poezia është pamore e dëgjimore, është ngjyrë e tingull, po të nëndheshme, të tejkësobote, nga ato që shihen e dëgjohen jo me sytë e pafrikshëm të rishtarit në këtë rrafsh ekzistence, po të atij që i ndien, si t’i shohë me sy, rrënjët e barit të hidhur me emrin jetë (do të thotë: truall, fate, emra e portrete të të parëve) si mbruhen në gjakun e tij që nga fundi i nën-nënshpirtit. Është ai që ka mësuar të dëgjojë brenda vetes zërat e gjakut dhe të kohërave. Në emër të kësaj përvoje, poezia e tij nuk bërtet, është hapësirë ku ka vend për të gjithë, të gjallë e të vdekur. Ja, te Orakuj të mbrëmjes shihet piktura fshatarake në lojën e rrezeve të pjerrëta të perëndimit mbi hapësirën me dallgë hijesh, mbi mullarë e pilogë bari të kositur, të cilat ngjallin kujtimet e një rrahjeje, tani të shuar, tezgjahu (endja në tezgjah kthjelltësish të paqta heshtjesh), që ngjyros peizazhin përreth banesës së fundit të gjyshes, diku në kodrat rrëzë Dajtit. Është shumë befasues dhe goditës imazhi i kësaj bote të zhytur në kujtesën gati të pavetëdijshme të fëmijërisë a të paraqenies tënde, tek shfaqet e ëndërrt dhe e përralltë në formën e një qetësi hijesh, që papritur shndërrohet në…
…kasolle me rrënjë në ujë, tërhequr
nga gishta dielli, si nga tufa flokësh peshë në ajër
me rrënjë hijesh në ujë, pasqyrave të ujit rrathë-rrathë
me bimë uji ngjyruar më e vërtetë, më e gjallë e dy-tre-fishuar.
Me anë të majës së fjalës, e zgjedhur si e yshtur të kthehet me magji në send a lëvizje, si goditja frymëmbajtëse e foshnjës në nënijet e gruas, endet një botë e tërë, që e dyzon realen, e kthen në mrekulli fjale. E përimtësuar në mijëra azhure bari të vyshkur në syprinën e rremë që s’të mban dot sipër, që ikën e ndënjet njëkohësisht, si koha dhimbshmërisht e mbaruar e të parëve, ajo të mahit pas orakujve të saj të pakuptueshëm. Janë të pafundme thurima të tilla endjesh të holla, me të cilat zotërohet e fshehta e një bote të parrokshme për sytë e kujtdo e që përbën sekretet e dashuritë e një poeti. Duke ndjekur ato, ndodh ta braktisësh përkohshmërinë tënde, si të shenjtëroheshe nga përjetimi i përjetshmërisë së fjalës. Në këtë kuptim, Psalmet… e Sadik Bejkos janë aq përhiruese dhe shelbojnë për sot dhe për nesër paqe shpirti dhe ndjesë poeti në emër të të gjithëve.