Albspirit

Media/News/Publishing

Kthim te Millosheviçi! Analizë e non-pejpërit të tretë mbi Ballkanin, tezat që duhen parë me vëmendje nga Kosova dhe Shqipëria ose profili real i diplomacisë serbe

Shaban Murati

 

 

Media proqeveritare ruse “Balkanist.ru” njoftonte në 17 maj se “bën përshtypje që një ditë para se të mblidhej samiti i udhëheqësve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të procesit Bërdo-Brioni, në revistën antiperëndimore gjermane “Zuerst” u botua një dokument diplomatik jo zyrtar për të rregulluar marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës”. Ky është non-pejpëri i tretë për Ballkanin, që del pas dy non-pejpërave të parë të publikuar në muajin prill në Ljubjanë dhe në Prishtinë, pra në ish-Jugosllavi. Sipas burimeve diplomatike non-pejpëri i tanishëm ka për autor diplomacinë serbe, dhe teksti i saj është kaq antidiplomatik dhe antihistorik sa duket sikur ka dalë në pranverën e vitit 1999, kur në Beograd sundonte krimineli i luftës MiIIosheviç.

Non-pejpëri i ri serb e rekomandon zgjidhjen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në kthimin e Kosovës si provincë të Serbise. Non-pejpëri tregohet gjeneroz, sepse premton t’u japë gjithë shqiptarëve të Kosovës shtetësi serbe dhe se do të organizojë zgjedhje të përbashkëta në Serbi dhe në Kosovë në prillin e vitit të ardhshëm. Beogradi jep premtimin në këtë non- pejpër se për 99 vjet do t’i garantojë Kosovës një status special të provincës dhe kufijtë e Kosovës do t’i ruajnë sëbashku rojet nga Serbia dhe Kosova. Shkalla e zemërgjerësisë së metropolit serb kulmon me premtimin se ambasadori i Serbisë në OKB do të lejohet që të ketë një zëvendës ambasador të propozuar nga Prishtina.

Diplomacia serbe nxitoi t’i bëjë reklamë të madhe diplomatiko-propagandistike këtij non-pejpëri absurd. Ambasadori serb Milisav Pajiç deklaroi në median serbe “Kurir” në 16 maj se “Ky është një dokument shumë interesant i bazuar në rezolutën 1244 të KS të OKB, sipas të cilës vetëm Serbia zotëron subjektivitetin e së drejtës ndërkombëtare, kurse shqiptarët e Kosovës shkallën maksimale të autonomisë brenda kufijve të Serbisë. Ky propozim mund të jetë baza më e mirë për bisedime se sa të gjitha idetë e mëparshme të Perëndimit”.

Në Serbi qeveria dhe diplomacia kanë hipur në makinën e kohës, që po kthen politikën e jashtme serbe dhe platformat e saj diplomatike në kohën e dehjes kombëtare nacionaliste të udhëhequr nga Millosheviçi. Fantazitë diplomatike nacionaliste të asaj kohe tragjike Beogradi shpreson t’ia shesë tani opinionit diplomatik dhe politik ndërkombëtar.

Nga kjo makinë kohe e kthimit te platforma shoviniste e Millosheviçit u duk se doli dhe u paraqit në samitin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në 17 maj pjesëmarrës të procesit të Bërdo-Brionit, ish-ministri i kabinetit të Millosheviçit dhe president aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb, i vetmi nga gjithë kryetarët e shteteve të pranishëm në samit, refuzoi me forcë të bashkohej me qëndrimin e komunikatës së përbashkët për të kundërshtuar ndryshimin e kufijve në Ballkan. Qëndrimi i përbashkët i shteteve të Ballkanit Perëndimor për mosndryshimin e kufijve, qëndrim që është në përputhje me qendrimin e BE, SHBA dhe të Perëndimit, është një përgjigje ndaj provokimit të tre non-pejpërave të diplomacisë serbo-ruse, të cilat kanë në qendër objektivin e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Presidenti serb, i cili në 15 shkurt 2021 deklaroi projektin e tij të “Serbisë së Madhe”, që do të thotë prishje kufijsh dhe shtetesh, nuk mund të pranonte kundërshtimin ballkanik ndaj ndryshimit të kufijve. Ndryshimi i kufijve është objektivi qendror i tre non-pejpërave serbo-rusë, që iu servirën opinionit diplomatik dhe politik në muajin prill dhe tani në 16 maj. Vuçiç doli me kundër propozimin që në komunikatën e përbashkët të vihej teza serbe se kufijtë mund të ndryshohen vetëm sipas Kartës së OKB, gjë që në fakt ishte një përpjekje brutale diplomatike për të fshirë shtetin e pavarur të Kosovës, i cili nuk është bërë ende anëtar i OKB. Agjencia zyrtare sllovene e lajmeve STA theksonte në datën 17 maj, pas mbarimit të samitit, se “udhëheqësit e procesit të Bërdo-Brionit dështuan të arrijnë një konsensus lidhur me thirrjet e tyre kundër ndryshimit të kufijve në rajon për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Sipas presidentit slloven Pahor, që drejtonte samitin, presidenti serb Vuçiç propozoi një tekst që do të fshinte virtualisht të gjitha njohjet diplomatike të Kosovës”. Po në këtë frymë millosheviçiane presidenti serb refuzoi të pranonte dhe të kërkonte falje për krimet serbe dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe popullit boshnjak, që me të drejtë ia përmendën atij në samit presidentja e Kosovës dhe anëtari boshnjak i presidencës së Bosnje-Hercegovinës.

Kemi një vijë të re brutale diplomatike të Serbisë për ndryshimin me dhunë të kufijve në Ballkan dhe për rikthimin në platformat dhe politikat radikale nacionaliste serbe të qeverisë së kriminelit të luftës Millosheviç. Kjo nuk është e rastit. Serbia dhe Rusia me këtë vijë antihistorike kanë zgjedhur që t’i kundërvihen situatës së re diplomatike ndërkombëtare, ku SHBA kanë përcaktuar qendrimin e njohjes reciproke si themel për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Serbia dhe Rusia kanë zgjedhur që t’i kundërvihen me rikthimin në politikën dhe në diplomacinë serbe me uniformën e Millosheviçit. Tezat dhe kërkesat e non-pejpërit të ri serb dhe qendrimet aktuale të presidentit serb janë të kohës para hapjes së bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, të kohës para ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Serbi dhe të kohës para konferencës ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje. Serbia dhe Rusia mendojnë se me këtë rikthim prapa në kohë dhe me këtë ashpërsim nacionalist të diplomacisë serbe do të mund të neutralizojnë vendosmërinë amerikane për të zgjidhur normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet njohjes reciproke.

Me tezat e vendosura në non-pejpërin e ri serb dhe në qendrimet aktuale ekstremiste diplomatike të presidentit serb kemi të afishuar një agresivitet të ri të politikës dhe të diplomacisë serbe dhe një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar nga trekëndëshi diplomatik, ku e ka futur Serbinë administrata e re amerikane e presidentit Bajden lidhur me Kosovën.

Qëllimin antiamerikan të performancës aktuale diplomatike serbe e shpreh ambasadori serb Pajoviç, që e sheh non-pejpërin e ri si kundërvënie ndaj gjithë ideve të Perëndimit. Më hapur flet media ruse “balkanist.ru”, e cila në komentin e saj për non-pejpërin e ri shkruan në 17 maj qysh në titull se me këtë plan kanë gjetur mënyrën për të përzënë SHBA nga Ballkani. Kurse media serbe B92 shkruante në 16 maj se sipas revistës “Zuerst”, një marrëveshje paqësore midis Beogradit dhe Prishtinës do të nxjerrë SHBA jashtë nga Ballkani.

Nuk duhet neglizhuar kjo valë e re agresiviteti dhe absurditeti nga politika dhe diplomacia serbe, të drejtuara nga presidenti Vuçiç. Pavarësisht se tezat donkishoteske të non-pejpërit të ri nuk do të denjojë t’i marrë në konsideratë asnjë shtet serioz perëndimor, e vërteta është se ato duhen parë me vëmendje nga Kosova dhe nga Shqipëria, sepse paraqesin profilin real të diplomacisë serbe në tryezën e bisedimeve me Kosovën. Mësimi i parë është se Serbia e Vuçiçit kërkon të arrijë në tryezën e bisedimeve atë që babai i tij shpirtëror Millosheviç nuk e arriti dot me agresionin dhe me gjenocidin në Kosovë, pra gllabërimin e Kosovës si koloni serbe. Mësimi i dytë është se Serbia e sotme e Vuçiçit, ashtu si Serbia e djeshme e Millosheviçit, njohin vetëm gjuhën e presionit dhe të detyrimit. Serbia i njohu shtetet e pavarura, që dolën nga ish-Jugosllavia, vetëm kur e detyroi Amerika në Dejton. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me njohjen e Kosovës, për të cilën mund ta detyrojë vetëm presioni i drejtpërdrejtë i SHBA.

Nuk është e rastit që Beogradi dhe Moska janë trembur dhe alarmuar në kulm nga kursi i administratës së re të presidentit Bajden për të vënë në qendër të dialogut Serbi-Kosovë njohjen reciproke midis dy shteteve. Nuk ka ndodhur kurrë që Serbia dhe Rusia të alarmohen për ndonjë qëndrim të BE për Kosovën. Ata ndjehen të qetë nga BE, që nuk u bë kurrë zë unik për Kosovën dhe nuk arriti në 13 vjet të bindë për njohjen e saj qoftë edhe njërin nga pesë shtetet anëtare, të cilët për hatër të Serbisë nuk e njohin Kosovën. Serbia dhe Rusia ndjehen të qetë me BE, e cila i ka dhënë Serbisë statusin e kombit më të favorizuar diplomatik dhe nuk ndërhyri asnjëherë për fushatën ndërkombëtare të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës, gjë që ishte shkelje e marrëveshjes së 19 prillit 2013 midis saj dhe Kosovës, nënshkruar në Bruksel me garancinë e BE. Serbia dhe Rusia ndjehen të qetë me BE, e cila vërdallosi 10 vjet bisedimet Serbi-Kosovë në Bruksel, dhe në mënyrën më absurde ka vënë sot si ndërmjetës të dialogut Kosovë-Serbi dy diplomatë të lartë nga dy shtete, që nuk e njohin Kosovën.

Serbia dhe Rusia shpresojnë se mund të arrijnë ta pengojnë kursin amerikan duke bërë diversion në drejtim të BE. Një diversion i tillë ishte edhe deklarata e presidentit Vuçiç në 13 maj se një fuqi e madhe do të kërkojë së shpejti zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it nga Kosova. Është ëndrra e vjetër e gjithë qeverive serbe për të kërkuar largimin e KFOR-it, sepse pa NATO-n Kosova është e pambrojtur dhe Serbia mund të ndërmarrë ndonjë aventurë ushtarake. Por në 17 maj në Bruksel sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, i bëri një dush të ftohtë presidentit serb, duke i thënë në sy se “aleatët e NATO-s janë vendosmërisht të angazhuar në KFOR dhe në misionin e tij të rëndësishëm”. Dhe Vuçiç, në mënyrën më të pahijshme për një president, u justifikua se u kishte besuar thashethemeve lidhur me tërheqjen e KFOR-it.

Nuk ka informacion se çfarë kanë biseduar midis tyre presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, të cilët sipas agjencisë zyrtare sllovene STA, zhvilluan takimin e tyre të parë dypalësh gjatë samitit të Bërdo-Brionit. Por zhvillimet e fundit dhe agresiviteti në rritje i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës këshillojnë një platformë më aktive të kërkesave dhe të qëndrimeve të qeverisë dhe të diplomacisë së Kosovës për të mbrojtur shtetësinë dhe pavarësinë dhe për të bërë bosht qendror të bisedimeve me Serbinë njohjen reciproke. Diplomacia e Kosovës duhet të pajiset me impulse të reja dhe të tregohet shumë aktive në demaskimin ndërkombëtar të tezave dhe qëndrimeve diplomatike të Serbisë, në çdo formë dhe nga çdo adresë që të vijnë ato. Është tepër e nevojshme të denoncohet në plan ndërkombëtar keqpërdorimi nga Serbia dhe nga Rusia i OKB-së dhe i rezolutës së vdekur 1244 të KS të OKB.

Opinioni diplomatik dhe publik ndërkombëtar ka nevojë të mësojë nga Kosova se Serbia e sotme nuk ka asnjë lidhje me rezolutat e OKB, sepse sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të dhjetorit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë referencë te OKB, sepse nuk ka qenë anëtare e OKB në kohën kur është miratuar rezoluta 1244. Serbia nuk përmendet në asnjë rresht të asaj rezolute dhe nuk ka asnjë vendim të KS të OKB, që i njeh Serbisë pronësinë e asaj rezolute.

KS i OKB nuk ka asnjë rol në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që janë marrëdhënie dypalëshe. Çdolloj joshje serbe nga Beogradi apo nga beogradasit e Prishtinës lidhur me një angazhim të ri të KS të OKB për normalizimin Serbi-Kosovë, siç po këmbëngul Rusia, do të ishte fshirje e pavarësisë së Kosovës dhe kthim në statusin kolonial të provincës, siç kërkon non-pejpëri i ri.

Serbia dhe presidenti i saj janë ngurosur nga halli në makinën e kohës për të gjetur shpëtim te e kaluara, te diplomacia e Millosheviçit. Por Kosova, që sheh përpara, duhet të ketë si yll polar të politikës dhe të diplomacisë së saj porosinë e artë shpëtimtare të presidentit amerikan Bajden që dialogu Kosovë-Serbi duhet të qendërzohet vetëm në njohjen reciproke./gazeta dita

Please follow and like us: