Poetja shqiptare Irma Kurti boton librin e pesëmbëdhjetë në gjuhën italiane
“Briciole di gioia” nën siglën e Shtëpisë Botuese CTL Editore në Livorno
Botohet libri më i ri i poetes shqiptare me banim në Itali, Irma Kurti i titulluar “Briciole di gioia”(Grimca gëzimi). Poezitë janë të ndara në dy pjesë: “Nell’universo dell’amore” (Në universin e dashurisë) dhe “Anime perse” (Shpirtra të humbura). Në parathënien e shkrimtares dhe përkthyeses Vesna Andrejević shkruhet: “Poetja dhe shkrimtarja italo-shqiptare, me vargjet e saj të bukura dhe të sinqerta që prekin drejtpërdrejt zemrën e lexuesit, i përgjigjet gjithashtu edhe pyetjes nëse është e mundur të shkruash e të thurësh poezi në një gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare. Një argument delikat ky, siç është vetë përpjekja poetike, por e arrirë me sukses në rastin e Kurtit. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj “naiviteti”, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët”.
Irma Kurti është fituese e shumë çmimeve në konkurse letrarë ndërkombëtare në Itali dhe në Zvicër.
Në 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 i akordohet çmimi “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.