Poliedriku Ernest Koliqi në përvjetorin e lindjes
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Më 1939 u emërua Ministër i Arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra nga viti 1939 qe profesor Ordinar i Gjuhës e letërsisë shqipe pikërisht pranë këtij Universiteti romak.
I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof. Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë, si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. U varros në Romë. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, prof. Ernest Koliqi njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe
Një jetë tejet e begatë me ngjarje e vepra, treguar me pak data:
Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903.
1921 – Perfundoi shkollën e mesme në Bergamo e në Milano, Itali, dhe u kthye në Shqipëri, ku dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve“.
1924 – Hyri në Shoqërine patriotike “Bashkimi“, krijuar nga Avni Rustemi. Për shkak te lidhjeve të reja politike, u detyrua të emigrojë pesë vjet në Jugosllavi, për t’i shpëtuar forcave zogiste, pas revolucionit të dështuar te Nolit.
1929-36 – U kthye në Shqipëri. Punoi si mësues në Vlorë e në Shkodër. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash, Koliqi bëhet i njohur si shkrimtar i talentuar i letërsisë shqiptare.
1937 – U diplomua në Universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare“.
1939-41 – U emërua ministër i arsimit gjatë pushtimit fashist.
1944 – U largua në Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit.
1957 – U emërua drejtues i Institutit te Studimeve shqiptare, të posakrijuar në këtë vit, si pasues i katedrës se Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës. Në këtë vit, nisi të botohet edhe revista letrare e Koliqit “Shejzat” në gjuhen shqipe.
Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij romake, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare ne mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.
Vjershat e para i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studentore”Noi giovani”, në Bergamo; gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike. Më pas “Hija e maleve” e “Tregtar flamujsh“, kryevepra të tij e të novelës në gjuhën shqipe.
Me vlerë të madhe janë edhe përkthimet: “Poetët e mëdhaj të Italisë“.
Vijoi botimet duke nxjerrë në dritë më 1959 “Kangjellat e Rilindjes“; më 1960 romanin “Shija e bukës së mbrume”, ku ndjehet fuqimisht dashuria e mërgimtarit për tokën e vet. Në poezi Koliqi na la edhe vëllimin “Gjurmë stinësh” (1933), “Symfonia e shqipeve“, e “Pasqyrat e Narçizit“, me shtatë poemtha në prozë.
Sot njihet si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Mjaftojnë dy përmbledhjet me tregime “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Mitrush Kutelin: njëri mjeshtër i madh i traditës së kallëximit verior, tjetri, i rrëfimit jugor. Në tregimet e tij rijeton Shkodra, tashmë e harruar, me zakonet e gjuhën e saj plot ngjyra ylberi.
Sipas mendimit kritik, Konica cilësohet “nismëtar i prozës moderne shqipe”, ndërsa Koliqi, “themelues i prozës moderne shqipe”.
Studiuesi Aurel Plasari, shkruan: “Po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të shkollës letrare të Shkodrës, pasi u ushqye me kulturën poetike klasike dhe moderne e asimiloi kulturën poetike arbëreshe. I dëbuar nga Atdheu, i marrë nëpër gojë për pikëpamjet e tij politike, i mohuar deri si artist, i djegur nga malli për t’u rikthyer fizikisht në Atdhe, vijon të presë në varrezën romake ‘Prima Porta’, nën një rrasë mermeri të kuq, i rrethuar nga njerëz të huaj, i mbuluar me dhe të huaj, nën një qiell të huaj – rikthimin në Atdhe – ndërsa vepra e tij nuk u largua kurrë prej Shqipnie e, sidomos, prej Shkodre…/radio vatikani