Albspirit

Media/News/Publishing

Psikologjia e turmës, tiranët, njerëzit e shkarë, konspiracionistët

MARCO UNIA

Gustav Le Bon, i lindur në Francë në vitin 1841, ishte psikologu i parë që studioi shkencërisht sjelljen e turmave, duke u përpjekur të identifikojë tiparet dhe duke propozuar teknika të përshtatshme për t’i udhëhequr dhe kontrolluar. Për këtë arsye, veprat e tij u lexuan dhe studiuan me vëmendje nga diktatorët totalitarë të nëntëqindës, të cilët e bazuan pushtetin e tyre në aftësinë për të kontrolluar dhe manipuluar masat.

Si Lenini, ashtu edhe Hitleri e kanë lexuar veprën e Le Bon dhe përdorimi i teknikave të caktuara të bindjes në diktaturën nacional-socialiste duket se ka qenë frymëzuar prej këshillave të tij, por Musolini ka qenë admiruesi më i zjarrtë i veprës së psikologut francez. “Kam lexuar të gjithë veprën e Le Bon – thoshte Musolini – dhe nuk e di se sa herë e kam rilexuar ‘Psikologjinë e turmave’. Eshtë një vepër kapitale, tek e cila edhe sot kthehem shpesh”. Në fakt, shkrimet e Le Bon dhe në mënyrë të vecantë ‘Psikologjia e turmave’ e botuar në vitin 1895 ishin një minierë e vërtetë ari për kë dëshironte që të kuptonte sjelljen e masave, ishte ‘tema e re’ që hidhej në skenën politike të dekadave të fundit të tetëqindës dhe që do ta dominonte këtë skenë gjatë nëntëqindës. Lindja e masës, e kuptuar si “një sasi e madhe e paqartë personash që veprojnë në mënyrë uniforme” ishte në fakt rezultati i një procesi historik, me të cilin përkuan një shumësi kauzash dhe që nisi të marrë formë në fundin e shekullit XIX. Në krijimin e një shoqërie të masës, një rol të rëndësishëm luajti progresi teknologjik, i kuptuar si një proces i standartizimit të punës, por edhe si model i prodhimit të objekteve, të quajtur pikërisht ‘të masës’.

Revolucioni i dytë industrial u karakterizua në fakt nga një racionalizim i fortë dhe një mekanizim i proceseve prodhues, të cilët kishin prirjen të miratonin dhe serializonin punën e punëtorëve dhe të punësuarve. Ndërkohë që në revolucionin e parë industrial punëtori ishte i angazhuar në vende pune që nuk ndryshonin shumë prej punës artizanale, duke filluar që nga viti 1870, puna e tij u bë gjithnjë e më e ngjashme me atë të makinave, e privuar nga cdo lloj kontributi personal në krijimin e objektit.

Prodhimi në masë

Sipas modelit klasik të zinxhirit të montimit, punëtori duhej që thjeshtë të përsëriste pafundësisht një seri identike veprimesh, që nuk kërkonin asnjë aftësi praktike apo teknike dhe që përfundonte duke anuluar cdo kontribut personal në realizimin e punës. Një sistem i tillë, që sillte eleminimin e dallimeve mes punëtorëve të thjeshtë dhe të specializuar, si dhe mes punëtorëve të aftë dhe zbatuesve të thjeshtë të urdhërave, favorizoi krijimin e një mase homogjene punëtorësh, të cilët nuk dallonin as për nga lloji i punës, as për nga aftësia, as për nga paga dhe që si pasojë kishin prirjen të krijonin një grup kompakt në brendësi të shoqërisë. Homologjizimi i proceseve prodhues solli nga ana e tij homologjizimin e objekteve të krijuar dhe shitur, që nga ana e vet solli një standartizim të konsumit dhe shijeve. Objekti i masës, gjithnjë identik me vetveten, kish prirjen të krijonte konsumatorë identikë dhe të modifikonte në drejtim të një barazie anonime sjelljet kolektive. Sado i rëndësishëm, transformimi industrial dhe prodhues nuk ishte i vetmi përgjegjës për krijimin e të ashtuquajturës “masë”. Pati edhe ngjarje të një natyre më politike. Paradoksalisht, ekzistenca e masës u zbulua dhe studiua për herë të parë duke u nisur nga një seri faktesh politikë, në të cilët u demonstrua forca e saj e pabesueshme. Në Francë, për shembull, masa u shndërrua në objekt vëmendjeje që të nesërmen e trazirave revolucionare të vitit 1789, për t’u rikthyer më pas si temë e pranishme në tratativat politike dhe sociologjike, pas episodeve të Komunës së Parisit në vitin 1781. Egërsia e sjelljeve kolektive në periudhën e terrorit revolucionar dhe të kryengritjes në kryeqytet shtyu shumë intelektualë francezë që të ngrejnë pikëpyetje, dhe, mbi të gjitha, të shqetësohen për sjelljet e turmave, e cila shihej tashmë si e aftë edhe për lajthitje nga më të tmerrshmet.

Vepra e Le Bon

Në këtë sfond social dhe intelektual, i mbushur me kuriozitet dhe akoma më shumë frikë kundrejt masës që “po lindte” u maturua vepra e Gustav Le Bon, të cilit jo rastësisht i ishte dashur të arratisej nga Parisi në 1871, pasi kishte rrezikuar disa herë jetën dhe që, si pasoj, ndante shqetësimin me ata që shihnin tek turma një rrezik për shoqëritë moderne kapitaliste.

Megjithatë, sado i frymëzuar nga një eksperiencë personale dhe sado që pasqyronte edhe mendimet e autorëve të tjerë, “Psikologjia e turmave” përbënte një risi të madhe për epokën dhe si e tillë u mirëprit nga bashkëkohësit, por edhe më shumë nga lexuesit në vitet e parë të nëntëqindës. Po cila ishte vecantia e veprës së Le Bon dhe përse meritoi kaq shumë famë, pavarësisht akuzave për diletantizëm që bota akademike lëshoi kundër psikologut francez?

Mbi të gjitha, Le Bon diti të caktojë kufijtë e një fushe të re studimesh, që deri atëherë ishte ndarë mes psikologjisë, e cila merrej vetëm me sjelljet individuale dhe sociologjisë, që merrej me transformimet e shoqërisë. Le Bon ishte i pari që shfrytëzoi instrumentat dhe gjuhën e psikologjisë për të përshkruar faktet socialë, me bindjen se mund të asimilohej sjellja e masës në atë të një subjekti të vetëm, sadoqë kjo ishte e përbërë nga një shumësi personash. Kjo intuitë e fortë e Le Bon – që edhe sot e kësaj dite e ruan vlefshmërinë e saj – ishte në vetvete frut i një vizioni specifik për masën që kishte psikologu francez. Për autorin e “Psikologjia e turmave” ekzistenca e një mase anonime përfaqësonte një shenjë regresi në shoqërinë moderne, që humbiste atë diversitet individual, i cili përbënte pasurinë dhe trashëgiminë e vërtetë të shoqërisë njerëzore.

Ndalje e evolucionit

Për Le Bon, turmat e mëdha ishin një ndalje e procesit evolutiv, i cili në teori duhej të vazhdonte nga e paforma, tek forma, nga e padallueshmja, tek diferencimi progresiv dhe nga sjelljet kolektive, tek veprimet e individëve të nxitur prej vetëdijeve të tyre. Dështimi i procesit evolutiv, që kish prirjen ta conte shoqërinë drejt stadeve më të lashtë të evolucionit të saj, e si pasojë, të shihte imponimin e masave – të paktën sa kohë që këto mbeteshin pa kontroll dhe pa udhëheqje – ishte shenjë e një rikthimi të barbarisë, që i jepte fund një kulture të formuar përgjatë një historie dymijë vjecare.

Për një ndërlikim të tillë Le Bon e gjente konfirmimin edhe duke analizuar vetë sjelljen e masës, që udhëhiqej prej instiktit dhe prej emocioneve, më shumë se sa prej logjikës dhe arsyes. Në sytë e tij, turma vepronte në bazë të ndjenjave më primitive, ato që nga këndvështrimi i evolucionit përbëjnë hapat e parë të zhvillimit të njerëzimit, ndërkohë që në këta grupime, ajo që humbiste ishte arritja më e madhe e njeriut modern, pra racionaliteti dhe përdorimi i aftësive të larta intelektuale. Ashtu si shumë bashkëkohës të tij, Le Bon ishte i bindur për brishtësinë ekstreme të arsyes, që konsiderohej një arritje e kohëve të fundit dhe si e tillë edhe e dobët, ndryshe nga instikti, që konsiderohej një karakteristikë e përhershme dhe e qëndrueshme e qenieve njerëzore.

Por humbja e arsyes në grumbullimet e masës, për psikologun francez, ishte tregues i një humbjeje shumë më të madhe: shkrirja e një identiteti individual në një identitet kolektiv. Pa një arsye autonome, sugjeronte Le Bon, njeriu kthehet pas në gjendjen e kafshës dhe në natyrë, qeniet e të njëjtës specie i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës: kështu, në turmë, njeriu bëhet “kafshë” dhe instiktet e tij primitive e bëjnë praktikisht identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë grupi.

Turma

Nëse njeriu në turmë është i njëjtë me të gjithë të tjerët – mendonte Le Bon – ishte atëherë e mundur të konsiderohej turma një subjekt i vetëm dhe ishte e drejtë të zbatohej për të ajo analizë psikologjike që zakonisht rezervohej për individët. Turma, sado e prirur të kishte një sjellje kolektive, ishte, nga këndvështrimi mjeko-shkencor, një “pacient” që psikologu duhej ta analizonte, dhe në ishte e mundur, ta kuronte. Megjithatë, kjo analizë e turmave e Le Bon nuk vinte pa një seri supozimesh ideologjikë dhe paragjykimesh, të cilët do të shpërthenin dukshëm gjatë përdorimit që diktatorët totalitarë u bënë teorive të tij. Mbi të gjitha, nëse masat janë rezultat i një “ngecjeje” të vetëdijes dhe të arsyes, atëherë padyshim që ato duhet të kontrollohen dhe futen në rrugën e duhur nga një elitë apo nga një udhëheqës që ka ruajtur një individualitet të fortë.

Dhe pikërisht kjo ishte qasja e Musolinit, i cili shprehej në këtë mënyrë për masën dhe për rolin e tij në udhëheqjen e masave: “Masa për mua nuk është asgjë tjetër përvecse një tufë dhensh, deri kur organizohet. Nuk jam aspak kundër saj. Vetëm mendoj që ajo nuk mund të vetëorganizohet”. Ai i Musolinit ishte një mendim që përkonte në mënyrë të përsosur me atë të Le Bon, i cili konsideronte të domosdoshme vendosjen e një udhëheqësi në krye të masave: “Dalja e një udhëheqësi të masave përbën alternativën e vetme ndaj dorëzimit para mbretërimit të masave”

Shqetësimi i Le Bon për lirinë e masave është tregues i ideologjisë konservatore që ai mbartte, dhe që e shtynte të kundërshtonte si “hapjet” demokratike të epokës së tij, ashtu edhe supozimet e mendimit iluminist.

Le Bon, si Makiaveli

Autori i “Psikologjia e turmave” e përcmonte hipotezën e një shoqërie tërësisht demokratike, në gjendje të vetëqeverisej dhe që rregullohej prej parimeve të arsyes. Për Le Bon, shoqëritë demokratike jo vetëm ishin të destinuara të dështonin, por ato përbënin edhe një rrezik për vetë jetën e shoqërisë, sepse i shtynin njerëzit drejt mediokritetit. Le Bon e quante të pamundur edukimin e të gjithë masës me parimet e arsyes dhe dominimit tërësor prej saj, dhe në të njëjtën kohë mendonte që pushteti duhej të mbahej nga njerëz që shkëlqejnë: kështu që, ai mendonte se e vetmja formë e mundshme e qeverisjes ishte ajo e elitës. Megjithatë, Le Bon ishte i vetëdijshëm që në kohën e tij asnjë udhëheqës nuk do të mund të qeveriste pa mbështetjen e masave: me fundin e epokës së monarkive të bazuara në forcën ekonomike, ushtarake apo autoritetin dinastik, udhëheqësi i vërtetë politik do të mund të qeveriste vetëm nëse do të kishte mbështetjen e masave.

Dhe, si një Makiavel modern, Le Bon do të merrte përsipër detyrën që t’i mësonte princit të ardhshëm se si të fitonte mendjen dhe zemrat e turmës.

Rregulli i parë që udhëheqësi duhet të ndjekë për të fituar mbështetjen e turmave është që të komandojë duke i bërë apel ndjenjave dhe jo arsyes; dhe pikërisht këtë këshillë të Le Bon e përdorën gjerësisht diktatorët totalitarë të nëntëqindës, të cilët ishin mishërimi i një pushteti i cili e fiton mbështetjen e turmave pa u dhënë atyre të drejtë përfaqësimi dhe aspak liri.

Le Bon ishte kundër projektit iluminist të shkatërrimit të sigurive tradicionale, që duke dobësuar besimin tek Zoti dhe tek Shteti kishin dobësuar në fakt aftësinë e besimit të masave. Le Bon thoshte: “Filozofët e shekullit të fundit kanë marrë me zell detyrën për të shkatërruar iluzionet fetarë, politikë dhe socialë me të cilët kishin jetuar prej qindra vitesh baballarët tanë. Duke i shkatërruar, ata kanë “tharë” burimet e shpresës”.

Për t’u qeverisur pa u vendosur një regjim anarkie të rrezikshme, masat duhet të kthehen të besojnë dhe detyra e udhëheqësit të ardhshëm të turmave është që të rivendosë besimin tek komuniteti, edhe pse ky nuk do të ketë më natyrë të jashtëzakonshme, por tokësore. Për Le Bon, turmat nuk mund të udhëhiqeshin nga arsyeja, për arsye se fryma e turmës karakterizohet nga të ndjerit dhe jo nga të menduarit. Diskutimi logjik dhe racional mund të shërbejë për të bindur një njeri të vetëm, por jo për të udhëhequr një masë. Sipas autorit të “Psikologjisë…” njeriu i futur në masë ka nevojë për iluzione, pasione, ai shtyhet nga vullneti për të besuar dhe ky vullnet rritej, në momentin kur iluzionet e vjetër ishin futur në krizë prej iluminizmit. Ndërkohë që arsyeja është fakt tranzitor, ndjenja dhe nevoja për të besuar janë forca arkaike dhe të përhershme të njeriut dhe udhëheqësi duhet të ngopë me shpresa dhe iluzione të reja këtë etje për shpresë. Nëse shikojmë revolucionet e mëdhenj, thoshte Le Bon, vërejmë se si të gjithë ishin të prodhuar prej shpresës dhe besimeve dhe jo prej një arsyetimi të saktë: krishtërimi dhe islamizmi, suksesi i revolucionit francez dhe i Napoleonit janë frut i shpresës dhe jo i “arsyes së pastër”.

Totalitarizmat

Totalitarizmat e shekullit XX thithën plotësisht leksionin e Le Bon, u ofruan individëve iluzione të rinj tek të cilët mund të besonin, u angazhuan për krijimin e miteve dhe legjendave të reja, edhe pse shpesh këta ishin në kontradiktë me njëra-tjetrën. Musolini vecanërisht shfrytëzoi disa herë mungesën e programit në fashizmin e hershëm, gjë që solli si transformizmin e tij politik, ashtu edhe ndryshimet në programin e partisë. Me këtë qasje Musolini tregonte se kishte metabolizuar mësimet e Le Bon në lidhje me karakterin e pangatërrueshëm të iluzioneve, si dhe mbante mend mjaft mirë sugjerimin e tij për të nxitur dëshirën për besim të turmave, kjo edhe në kurriz të koherencës së arsyetimeve të tij. Në fakt ishte vetë Musolini që pohonte se “vetëm besimi lëviz malet, dhe jo arsyeja. Kjo është një instrument, por nuk mund të jetë forca lëvizëse e masave. Sot madje, edhe më pak se dikur. Njerëzit sot kanë më pak kohë për të menduar. Eshtë i pabesueshëm dispozicioni i njeriut modern për të besuar”.

Por përvecse kishte përthithur mirë mësimin e domosdoshmërisë së iluzioneve, Musolini tregonte se kish përvetësuar mirë një sugjerim tjetër edhe më të rëndësishëm të Le Bon: krijimin e besimit të pakushtëzuar tek udhëheqësi.

Ndërkohë që cdo iluzion mund të zëvendësohet nga një tjetër, cdo besim i zë vendin paraardhësit edhe kur janë në kontrast të hapur, besimi tek udhëheqësi duhet të mbetet gjithmonë i pandryshuar nëse do të ruash kontrollin mbi turmat. Udhëheqësi duhet të transformohet në një hyjni të vërtetë tokësore, i zhveshur qoftë edhe nga dyshimi i gabimit, duke vënë në shfrytëzim të gjithë strategjitë e propagandës. Në këtë kuptim, shembulli i fashizmit italian, por edhe më tepër ai gjerman dhe sovjetik janë demonstrime të pagabueshëm të kësaj nevoje të paralajmëruar shumë kohë më parë nga Le Bon. Në Bashkimin Sovjetik, kulti i personalitetit i Stalinit ishte një prej parimeve mbi të cilin u ngrit i gjithë aparati totalitar dhe në Gjermani askush nuk kish dyshime në pagabueshmërinë e Hitlerit, edhe atëherë kur sinjalet e humbjes në Luftën e Dytë Botërore nisën të bëhen të dukshëm.

Për një sistem totalitar, udhëheqësi është në fakt boshti i të gjithë sistemit, sepse ndryshe nga sa ndodh në diktaturat e thjeshta, gjithcka që ndodh në vend është nën përgjegjësinë e tij. Në Bashkimin Sovjetik dhe në Gjermani, si Stalini ashtu edhe Hitleri merrnin përgjegjësinë e cdo veprimi që kryhej nga një funksionar i tyre, një demonstrim i faktit që vetëm ata ishin emanimi i pushtetit dhe që burokratët dhe vartësit ishin thjeshtë zbatues të vullnetit të tyre. Në po të njëjtën mënyrë, kthesa autoritare e fashizmit italian – e në disa drejtime edhe totalitare – erdhi në janar të vitit 1925, kur Musolini vendosi të marrë përsipër përgjegjësi të plotë për vrasjen e Matteottit, që ish kryer nga dy vrasës, për llogari të një porositësi të paidentifikuar. Një marrje e tillë e përgjegjësisë nga udhëheqësi unik është pjesë e procesit dialektik që në regjimet totalitarë vendoset mes atyre që komandojnë dhe atyre që binden dhe që nëse nuk ekziston, vë në krizë të gjithë strukturën: kjo shpjegon përse sapo hipnin në pushtet, këta diktatorë arrinin ta ruanin pa iu dashur të luftonin kundër fraksioneve të brendshëm, sepse bindja e të gjithëve ishte që, nëse rrëzohej udhëheqësi, do të shembej i gjithë sistemi. Në një sistem totalitar, ndryshe nga sa mund të mendohet zakonisht, pushteti nuk mbahet vetëm me dhunë, por është frut i një “kontraktimi” reciprok mes udhëheqësit dhe masave të dominuara.

Plotfuqishmëria e udhëheqësit shërben si sfond për dëshirën e masës që të heqë dorë nga përgjegjësia për lirinë e vet, dhe dorëzimi i lirisë dhe vullnetit të saj të lirë në duart e udhëheqësit është cmimi që masa është e gatshme të paguajë me qëllim që t’ia “hedhë” mbi shpinë dikujt tjetër fajet dhe gabimet e saj.

Sekreti i pushtetit

Me një mendjemprehtësi të madhe, Le Bon pikasi në marrëdhënien e vecantë mes udhëheqësit dhe turmës sekretin për marrjen e pushtetit në shoqëritë moderne industriale. Psikologu francez nuhati nevojën e identitetit, e pranishme në formë të fshehur në të gjithë turmat njerëzore: braktisja e vecantisë dhe individualitetit që realizohet tek turma duhet të korrespondojë me krijimin e një identiteti të qartë kolektiv. Individi është i gatshëm të heqë dorë nga një “Unë” në favor të një “Ne”, me kushtin që ky subjekt i ri të ketë një personalitet specifik. Ky personalitet mund të formohet vetëm përmes ndërhyrjes së “pushtuesit” të masave. Masa është një frymë kolektive e paformë, që zotëruesi duhet ta manipulojë si argjil në duart e tij. Ai duhet t’i japë formë përmes shfrytëzimit me zotësi të emocioneve më primitivë, që janë edhe më arkaikë, e si pasojë edhe më të fortë. Në një tjetër vepër të tijën, “Aforizma të kohëve të sotme”, Le Bon e sqaroi këtë ide të tijën: “Turma është një qenie amorfe, e paaftë të dëshirojë apo të veprojë pa udhëheqësin e saj. Shpirti i saj duket i lidhur me atë të këtij udhëheqësi”.

Si një magjistar, si një hyj, udhëheqësi politik thirret për t’i dhënë jetë turmës, dhe ta shtyjë të veprojë. Në këtë detyrë të tijën, ai gjen aleatin më të cmuar, pikërisht tek nevoja për të besuar dhe tek nevoja për identitet e individëve që janë bërë pjesë e masës. Individi në turmë është në fakt një subjekt i dobët, që ka humbur aftësinë e tij për vetëqeverisje dhe që është në kërkim të një “Uni” të fortë, tek i cili mund të mbështetet.

Udhëheqësi modern politik, shpjegon Le Bon, është një dirigjent i shpirtërave, që zëvendëson personalitetin e tij dhe atë të individit, duke iu propozuar turmës si një model me të cilin të identifikohet dhe si një guidë për t’u ndjekur. Marrëdhënia mes udhëheqësit dhe turmës, mes këtij “Uni” hegjemon dhe identiteteve të brishtë dhe të shpërndarë që formojnë turmën është tejet delikate dhe komplekse, dhe nga menaxhimi i saktë i saj varet suksesi apo dështimi në luftën për pushtet. Ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën me tiranitë e lashta, aspiranti modern për diktator nuk mund ta marrë dhe ruajë pushtetin vetëm përmes parimit të autoritetit apo vetëm përmes forcës. Ai nuk mund të imponojë modelje sjelljeje që i korrespondojnë ekskluzivisht dëshirave të tij, pa rrezikuar që të humbasë mbështetjen e turmës që propozohet të komandojë. Diktatori modern, thotë Le Bon, duhet të dijë të rrokë dëshirat dhe aspiratat e fshehta të turmës dhe të propozohet si mishërim i këtyre dëshirave dhe si personi që është në gjendje të realizojë këto aspirata. Edhe në këtë rast, iluzioni rezulton më i rëndësishëm se sa realiteti, pasi ajo që ka rëndësi nuk është përmbushja e këtyre ëndrrave por thjeshtë të bësh turmat të besojnë se je në gjendje t’i realizosh: “Në histori, shkruante Le Bon tek “Psikologjia e turmave”, pamja ka patur gjithmonë një rol më të rëndësishëm se sa realiteti”.

Miti

Tirani modern duhet që megjithatë t’i kushtojë vëmendje maksimale shmangies së përballjes me realitetin, sepse në këndvështrimin e Le Bon, masa, që të kontrollohet, duhet të mbahet në këtë skenë ëndrrash, pa konture të qartë. Kështu që, për të vazhduar në këtë drejtim, nuk mjafton të paraqitesh si realizuesi i dëshirave të caktuara, por duhet edhe t’i kushtosh vëmendje maksimale formës në të cilën paraqiten këto aspirata dhe projekte. Sipas autorit të “Psikologjisë së turmave”, udhëheqësi duhet të shfrytëzojë mbi të gjitha mitin, që për shkak të natyrës së vet të vecantë është në gjendje të mbërthejë emocionet e turmave dhe t’i zhveshë nga racionaliteti.

Miti është vecanërisht i përshtatshëm për të rrëmbyer vëmendjen e turmës sepse është gjuhë arkaike, u përket fazave fillestare të njerëzimit, pikërisht ashtu sikurse turma përfaqëson një regres drejt stadeve më primitivë të organizimit njerëzor dhe ka një forcë bindëse shumë të fortë, sepse bazohet pikësëpari tek e pandërgjegjshmja. Ndryshe nga cfarëdolloj projekti racional, miti nuk parashikon asnjë kontroll pas vlefshmërisë së tij, për arsye se përmbajtja e tij është gjithmonë e papërcaktuar e si pasojë nuk mund të verifikohet. Në këtë kuptim, ai ofron një seri të pandërprerë alibish për dirigjentët e turmave, të cilët mund t’i transformojnë vazhdimisht përmbajtjen dhe ta modifikojnë duke arritur të shmangin përballjen me realitetin. Miti, shpjegon Le Bon, nuk ka nevojë për asnjë koherencë logjike, sepse ai bazohet ekskluzivisht në fantazitë dhe nevojat e njerëzve dhe funksionon më mirë atëherë kur arrin të përfaqësojë nevojat për shpagim dhe aspiratat e turmave.

Sërish, diskutimi i Le Bon gjeti zbatim sa të saktë aq edhe të pamëshirshëm në totalitarizmat e nëntëqindës, që pikërisht tek mitet – për shembull raca ariane – ngritën një pjesë të mirë të themeleve të tyre. Të gjithë diktatorët totalitarë shfaqën një përcmim ekstrem për faktet, duke ndërtuar një propagandë të privuar nga cfarëdolloj fakti të demonstrueshëm. Kjo e shtyu Hrushovin ta përshkruante Stalinin si një njeri që manifestonte një “hezitim ekstrem për të marrë në konsideratë gjërat e jetës… indiferent ndaj gjendjes reale të gjërave”.

Realiteti vihej praktikisht në provë të fortë prej regjimeve totalitarë, që përpiqeshin të impononin gjithëpushtetshmërinë e vullnetit dhe dëshirës mbi faktet dhe objektivitetin e botës. Në një regjim totalitar tërësisht të realizuar si ai sovjetik në vitet tridhjetë, rezultonte shpesh herë e vështirë të dalloje të vërtetën nga falsja dhe fantazinë nga iluzioni, sepse tashmë asgjë nuk matej më me këtë kut gjykimi. Duke qenë se i vetmi element i rëndësishëm ishte funksionimi i tij për partinë dhe revolucionin, nuk kish më rëndësi që një fakt i caktuar ishte i vërtetë apo nëse dicka ishte thënë: e vetmja pyetje për të cilën botës i kërkohej përgjigje ishte besnikëria apo mosbesnikëria ndaj direktivave të regjimit. Sado e marrë mund të duket – dhe praktikisht bëhej fjalë për episode të një marrëzie kolektive – në Bashkimin Sovjetik kryheshin gjyqe ndaj mijëra njerëzve mbi bazën e komploteve që ishin thjeshtë të supozuar apo të imagjinuar nga Stalini, që gjithmonë përmbylleshin me dënimin me vdekje ose internimin e të akuzuarve. Në një regjim të tillë totalitar, që kishte eleminuar dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës edhe falë bashkëpunimit aktiv të masës e cila hidhej vetë në krahët e fantazisë dhe vullnetit të të gjithëpushtetshmit, qarkullonin hipoteza nga më të pamundurat mbi komplote të vazhdueshëm kundër revolucionit dhe këto shndërroheshin shpesh herë në akt-akuza ndaj personave totalisht të pafajshëm. Policia e fshehtë sovjetike arrinte madje të bindte shumë të akuzuar të pafajshëm për fajësinë e tyre, shpesh herë madje pa patur nevojë për të përdorur torturën fizike, sepse i formulonte akuzat pa iu referuar asnjëherë asnjë fakti konkret. Qëllimi arrihej shpesh duke izoluar individin nga realiteti rrethues dhe duke bindur ata që ishin përreth tij të konfirmonin akuzat, duke bërë që në fund i akuzuari të dorëzohej para koherencës së historisë që propozonte policia, duke mbërritur më në fund në rrëfimin e krimeve që nuk i kish kryer asnjëherë.

Por nëse udhëheqësi duhet të rrokë dëshirat e turmave dhe të shfaqet si figura mesianike në gjendje t’i realizojë ato, ka edhe një tjetër aspekt qendror në marrëdhënien me masat që Le Bon diti ta përshkruajë shumë mirë në librin e tij “Psikologjia e turmave”. Përvecse një realizues i dëshirave të masave, Uni i udhëheqësit duhet të shndërrohet, sipas Le Bon, në një objekt identifikimi për turmat. Në diktaturat moderne nuk është aspak e këshillueshme të kënaqesh me bindjen pasive – e cila mund të zhduket nga një moment në tjetrin – por duhet të nxitësh pjesëmarrjen entuziaste dhe të vullnetshme në pushtet. Kështu masa ftohet vazhdimisht jo vetëm që të bindet por edhe të imitojë udhëheqësin, të sillet sikur ajo vetë është udhëheqësi, një sjellje që do të gjejë shprehjen e vet tek interpretimi nacional-socialist i moralit kantian: “Vepro në mënyrë të tillë që, sikur Fyhreri të të shihte, ai do të miratonte sjelljen tënde”.

Regjimet

Regjimet totalitarë vunë në praktikë këta mësime të Le Bon, duke organizuar vazhdimisht ceremoni që kishin për qëllim të lehtësonin këtë identifikim mes udhëheqësit dhe turmës, si përshembull tubimet e mëdhenj të Nyrenbergut, paradat në Sheshin e Kuq në Moskë dhe fjalimet e Musolinit nga Sheshi “Venecia”. Qëllimi i festimeve të tillë ishte që të bënte masat të ndiheshin pjesëmarrëse në pushtet dhe në projektet e udhëheqësit, t’u krijohej atyre përshtypja se mund të përthithnin në mënyrë magjike forcën, që të shihnin t’u njihej atyre një rol në ndërtimin e shtetit totalitar. Në festimet e mëdhenj individi i futur në masë, i privuar tashmë nga identiteti i tij, përfshihej në një ritual bashkimi të shenjtë dhe mistik me udhëheqësin e vet dhe përjetonte dehjen e ngjitjes pothuajse në nivelin e udhëheqësit. Por, në të njëjtën kohë, ky ekzaltim që buronte nga bashkimi mistik me udhëheqësin kontribuonte në nënshtrimin gjithnjë e më të madh të masës ndaj udhëheqësit, për arsye se cdo eksponent i turmës eksperimentonte parëndësinë e ekzistencës së tij në raport me atë të dirigjentit. Sa më shumë që udhëheqësi quhej një person i jashtëzakonshëm, aq më shumë “Ne”-ja, e përbërë nga shumë persona me një Un të dobët, mund të sakrifikohej për kauzën e tij. Jeta e një anonimi që i përkiste masës jo vetëm ishte e sakrifikueshme për të realizuar projektin e udhëheqësit, por edhe vdekja e vullnetshme për kauzën konsiderohej virtuti më i lartë: jo më kot fashizmi imponoi një model virtutesh ku lëvdoheshin mbi të gjitha disiplina, bindja, ndjenja e detyrës dhe nevojës për të arritur një qëllim, heroizmi, vetëflijimi.

Le Bon ka meritën që demonstroi se si për të qeverisur në mënyrë diktatoriale një shoqëri të masës, një udhëheqës duhet që pikësëpari të shfaqet si një “Un” i fortë përballë shumësisë së “Un”-eve të dobët të prodhuar nga një shoqëri e masës. Psikologu francez demonstroi gjithashtu tek “Psikologjia e turmave” se sa e rëndësishme është për një udhëheqës që t’u propozojë një mision të jetës atyre që udhëheq, një qëllim edhe të parealizueshëm, por që ka aftësinë të riaktivizojë energjitë e fjetura dhe nevojën e tyre për të besuar. Gjithmonë Le Bon ka njohur i pari nevojën e masave për t’u futur në një botë simbolesh dhe shpresash, në një komunitet – edhe të marrë si ai nacionalsocialist – por ku janë të forta lidhjet me njerëzit e tjerë, të cilat ruhen prej një ideologjie të përbashkët dhe shumë të fortë. Në fund – dhe ky është zbulimi më i rëndësishëm dhe më i abuzuar prej regjimeve totalitarë – Le Bon kishte paralajmëruar nevojën e turmave për të gjetur një përfaqësues të tyre që di t’u japë jetë shpresave të tyre dhe të realizojë nevojën e tyre për mizori dhe hakmarrje. Le Bon i shkon merita për gjithë këta zbulime, ndërsa diktatorëve totalitarë u shkon faji që i kanë përdorur me brutalitet dhe mizori këta sugjerime teorikë. Dhe i vetmi krahasim që mund të bëhet me histori të tjera është ai i shpikësve të bombës atomike, studiues që nuk e kanë lëshuar atë, por që e kanë krijuar. Le Bon hodhi themelet teorike për të realizuar totalitarizmin, por ua la të tjerëve detyrën për t’i zbatuar./bota.al

 

Please follow and like us: