Novelë e jetuar/Miho Gjini: VDEKJA E BURRIT (1)
Kushtuar Martirit të Demokracisë, Dino Martiko
Pjesa e parë
1.
Në territorin e rrethuar me tela me gjemba mbrëmja ra e gjithëpushtetshme me errësirën e saj rrëqethëse. Frymëmarrja në “Kampin e Riedukimit” të të burgosurve u fashit dhe të pesë kapanonet e gjata prej pupuliti i zaptoi si zakonisht një heshtje e zymtë. Dëgjoheshin vetëm mërmërimat e kusuremëdhenjëve që ishin armiqësuar me pushtetin e partinë drejtuese të vendit, si edhe zhurma gërvishtëse që vinte nga hinka e altoparlantit. Ai që lexoi po me zë të ngjirur paragrafin e armiqësisë me Kinën Komuniste, nga vepra e nëntë e Udhëheqësit, kishte harruar hapur “grykën e hinkës”. Tani në këtë orë të vonë ngjante si një turjelë që të shponte mishin pa pushim e të dëbonte gjumin.
Po, sikundër u mor vesh dy orë më mbrapa, në të tilla raste pritej ndonjë komunikim shtesë nga Komanda e Burgut. Dhe, me të vërtetë, pa iu mbyllur qepallat e syve të ngujuarve atje brenda, si në stallat e kafshëve, zhurma gërvishtëse erdhi e u bë më e fortë dhe andej nga mesnata, u lexuan 10 emra të burgosurish, të cilëve u jepej njëzet minuta kohe të mblidhnin teshat personale, bashkë me ushqimet që u kishin mbetur në torbë e të prisnin para komandës. Qe edhe emri i tij. Dinua u kollit pa e bërë të gjatë përgatitjen. Doktor Dragua u kishte thënë atyre të komandës se të burgosurit i funksiononte vetëm gjysma e mushkërive, diçka me prejardhje nga vuajtjet në dënimet e mëparshme dhe se tani, e dëmtonte gjithmonë e më shumë tymi i zi mbushur me helme, që villte pa pushim oxhaku i Rafinerisë së Përpunimit të Naftës në Ballsh, fare afër burgut.
Pa pasur kohë të mendonin më shumë, të dhjetë të burgosurit, u gjendën para komandës, mbi tarracën e së cilës dukej karakolli, trekëmbëshi i mitralozit dhe trupi i ushtarit i pështjellë me mushama e kokore ruse në kokë. Edhe ata të dhjetë ishin të veshur me kapota të murrme ushtarësh, të lyera sidokudo me një kafe blanga-blanga, që mbulonte lerën e vjetër. Kapteri tepër energjik Tare Qafoku, që mezi i dukej qafa, i bërë shumë i njohur në jetën e të burgosurve, hyri brenda rrethimit me një listë në dorë dhe lexoi emrat e “deleve të zeza” një për një dhe, po ashtu, i kaloi të dhjetë, në ndarjen e dytë, ku priste autoburgu, me “gojën e shqyer”. Kapteri bëri shenjë me gishtin tregues që të hipnin njeri pas tjetrit dhe pastaj mbylli derën e trashë prej hekuri në ngjyrë të zezë, me një kërcëllitje lemeritëse të llozit që rrëshqiti me forcë nëpër unazat e trasha prej çeliku.
Kështu mesnata i gjeti përsëri të shtrirë në karrocerinë e Autoburgut. Dinua nuk arrinte dot të dallonte mirë fytyrat e të tjerëve, por kjo ishte diçka që në ato çaste nuk i duhej. U kollit edhe një herë me duart para gojës dhe pastaj mbështeti kokën mbi trastën e atyre pak ushqimeve që i kishte sjellë herën e fundit Sofia, e shoqja e moshuar, me shëndet të drobitur, që e vizitonte në Ballsh një herë në dy javë. Ajo e bekuar grua i kishte sjellur edhe kostumin gri, këmishën e bardhë dhe kollaren. Përse? Ai e dinte, pra edhe e kërkonte, pështjellur me njëfarë mushamai të hollë. E palosi me kujdes dhe e vendosi afer kokës. Dinua e kishte thënë fjalën e tij disa herë dhe tani priste me qetësi të plotë, pa u penduaar kurrë, duke mbetur deri në fund i njëjtë, në një botë delikate e qëniesh perverse…
Ndjeu se makina e burgut rrëshqiti më të poshtë, mbi një rrugë çaklli, derisa zhurma e rafinerisë u vagëllua dhe gomat kishin prekur asfaltin e një rruge më të hairit, për t’i drejtuar drejt një vendi të panjohur. Ajo që erdhi më pas, ishte një topitje e trurit që sillte një gjumë të detyruar, ku brinjët e njeriut mpihen. Fytyra e doktorit malazez Dragos dhe e Andon Shetit, ish-gjeneralit të burgosur nga Vunoi, pa u shkëputur nga mëndja e tij, u tretën edhe ato në errësirën e panjohur, deri sa në të gdhirë u duk një rreze drite e vagëlluar pas shumë orësh udhëtim, nga kuadrati i shufrave të hekurta të dritares së vetme që kishte ajo lloj karakatine me hekura të vjetruara, në trajtën e burgut lëvizës…
2.
Vijoi një kohë e ndërmjetme e ngrirë, që të shurdhonte me qetësinë e saj. Në errësirë, të dënuarit në “Burgun Lëvizës” nuk kishin mundësi të shihnin njeri-tjetrin, edhe kur diku rastiste të hynte ndonjë fashë drite e zbehtë gjatë rrugëtimit të papritur në atë troshitje të gjatë përgjumëse. Të ndëshkuarit e “kundërrrymës” nuk kishin idenë se sa mund të vijonin të udhëtonin në atë gjendje, kur autoburgu ndaloi papritur dhe shoi motorin. Llozi i derës së jashtme kërcëlliti ethshëm dhe porsa u hap dera, vrundulli i erës së ftohtë të vendit verior hyri brenda karrocerisë duke shkaktuar rrëqethjen e mishit nga një i ftohtë i hidhur, i ndier deri në kockë.
-Delni jashtë tash, ju “Delet e Zeza”! Njani pas tjatrit. Me vërtik. Me trajcat n’duer ene fill ke i Madhi i Katunit! E nji k’tuna qi i’u shkelën kamët, u rrafshin dhamët! Hahahahhaha…
Të dhjetë të dënuarit zbritën nga karroceria njeri pas tjetrit. Dinua pati aq kohë sa të hidhte një sy në vendin ku i kishin sjellë. Ishin dy ngrehina të ndërtuara rishtazi, pothuajse me ngut, buzë një kallamishteje lumi, baltovina e oborrit, sa gjysma e atij të Ballshit dhe kloni që e ndante me botën e lirë dhe me fushën e pafundme që shtrihej më përtej. Pa asnjë pemë. Kapteri, me atë gjuhë të rëndë, si në kohën e Gjon Buzukut, dha urdhër të vinin pas tij, nga ngrehina e komandës, e cila ndodhej midis të dyja ngrehinave, me ndarje të dyfishta telash me gjemba e karakollë, nga ku dukeshin rojet në këmbë, si njolla të zeza, me kallashnikovët në gjokset e tyre. Dinua vetëm tani mundi të shihte fytyrat e mjeruara të personave me të cilët kishte udhëtuar. Pati përshtypjen se nuk i kishte parë kurrë ndonëse kishin qenë në të njëjtin burg. U kollit me dorën para gojës e pas njëfarë vërshëllime që nuk dihej sesi si u formua e u trazua me erën, ndjeu dhimbje të fortë brenda kafazit të ligështuar të kraharorit. Pastaj drejtoi menjëherë shtatin. Miku i vuajtjeve, doktor Dragua, i cili njihte më mirë nga të gjithë gjendjen e tij shëndetësore, i kishte thënë se kishte vënë në dijeni komandën e Burgut të Ballshit për acarimin e sëmundjes së mushkërive, që ishte shtuar befas pas infraktit të parë që pësoi! Kishte shtuar se i sëmuri kishte nevojë për antibiotikë në kohën më urgjente. Gjatë udhëtimit nëpër natë Dinos fare pak i shkoi ndër mend se mund ta dërgonin në Spitalin e Burgut të Tiranës, diçka që u vërtetua porsa pa veten diku në Veriun e ashpër ku vërshëllenin erëra të ftohta…
Rreth një orë më pas i erdhi radha të gjendej përpara tryezës së një zyrtari me syze të trasha xhami miopie, ku i duhej të regjistronte sendet personale: orën që i kishte dhuruar vjehërri në Korfuz, stilolapsin “Parker” që i kishte blerë Sofia, bashkëshortja e tij, fill me hapjen e Bankës në Sarandë, portofolin me fare pak të holla që e pati me vete ditën e arrestimit të dytë: në të vërtetë ishte i katërti, me ato dy arrestimet e përkohshme të italianëve në Sarandë. Mandejë dorëzoi lidhëset e këpucëve, dy kg. sheqer, si edhe tasin e lugën e aluminit, të cilat kapteri i shtyu me neveri, që i burgosuri t’i mbante në dorën e tij. “Po kostumin ç’a e dashka pas vedi, ky njeri i krekosur, sikur të vinte në ndonjë dasmë e jo nji’ktuna qi ta grrijnë mushkonjat, dy pashë hapa n’afri t’shën kollit”!? E pa me vrejtje! Kapteri kontrolloi menjëherë mbulesën e kostumit, xhepat një e nga një dhe, sapo u bind se nuk kishte kurrfarë sendi tjetër me rezik, i tregoi me gisht derën tjetër prej druri. Dinua drejtoi trupin sikur të mos kishte ndodhur asgjë me rëndësi e pas katër-pesë hapash, u ndodh përpara dy oficerëve në mosha të ndryshme, njeri prej të cilëve, më i moshuari, mbante mustaqe të dendura, syze optike me skelet të zi në një fytyrë si prej eshke, ndërsa tjetri, më i riu, me vështrimin e një kapadaiu riosh, me faqet e skuqura si të një vajze, dukej sikur lëshonte xixa prej syve të tij të ndritshëm. Mbi tryezë qe pirgu i dosjeve të tyre. Ai që duhej të qe komandanti i Burgut, i hodhi një sy, nga këmbët te koka e i bëri përshtypje eleganca e këtij njeriu me pamje fisnike, si ata të filmave perëndimorë, veçse i tretur në trup e në fytyrë, me po ato flokë të rralluara, që prej disa vitesh i kishin mbushur kryet me borën e tyre të fundit. Oficeri kokoroç, që sapo kishte shfletuar edhe fletët e para të dosjes së tij, disa herë me të trashë se të tjerat, diçka i tha Komandantit të Burgut, pas pëllëmbëve të duarve të tij me ca gishtërinj të gjatë e të hollë…
-Kush jeni?
-Unë jam ai i dosjes që keni përpara, – tha Dinua me një pamje që nuk tregonte aspak brendësinë e tij të thellë, që vuante. Jo vetëm në të tilla raste: me persona që e shihnin me urrejtje e mendjelehtësi por, përgjithësisht, edhe duke qenë i rrethuar me beton e hekura të rënda, privues të lirisë, Dinua nuk dukej tu jepte shumë rëndësi gjërave shtrënguese që i gjëndeshin përreth.
-Agjenti grek Dino Martiko, -tha me përbuzje oficeri me gishtërinjtë e hollë, që duhej të qe personi famëkeq i Sigurimit të Burgut. Fjalët i shoqëroi duke ngritur lart me të dyja duart një dosje voluminoze.
-Me duket se nuk kam ardhur përsëri në Hetuesi, që të pohoj për të qindtën herë se i mbushni dosjet tuaja me gënjeshtra, -tha prerazi Dinua me një mllef të brendshëm që i ishte krijuar ndër vite, tek iu formua në ballin e pastër një tik nervozizmi…
-Mjaft i poshtër! -bërtiti oficeri që duhej të ishte Komandanti. Ju anmiqtë, asnjiherë nuk e pranoni shitjen tuej ke i hueji, qi don si e si me na ba vorrin, po u’a qesim prej dhamësh! Por ul kryet e qepe buçen! Pranej t’kan çu knej, me na shitë pordhë?! Nuk pyet për taksiratin tonë qi u majmë, u ushqejmë e u edukojmë në Kampin tonë të Riedukimit, me u ndreq si njerëz? Në se don m’i hudhë poshtë bindjet tuja të zeza, prej reaksionari e me shpla vedin, nji k’tu e kena ene lumin e Matit e t’Fanit bashkë, n’Zadrimë t’Lezhës… Biles n’afri t’Shën Kollit! Institucion veç për ju, qi sapo i ka çil dyert për ju anmiqt e betuem t’partisë e t’Qeverisë! Osht shansi i funit çi t’nepet Zoti Martiko,-përfundoi ai duke bërë me dorë që të largohej e të vinte tjetri që rinte pas dere…
3.
Gjatë një jave të tërë Dinua nuk pranoi te delte në apelin e mëngjesit dhe as në atë të mbrëmjes. E brente mundimi, zhgënjimi, revolta, por edhe sëmundja e mushkërive që ndiente ti përparonte çdo ditë e më shumë. Ata që flinin përbri në dyshekët e ngjitur me njeri-tjetrin, ankoheshin se i sëmuri kollitej gjatë gjithë natës dhe se po i linte pa gjumë. Fjala që sidomos nëpër burgje ecën shumë shpejt, vajti në veshin e gardianit Preng Kaçori. Tha në fillim se “i tash i’a nreq una qefin” e pastaj vajti drejt e te operativit për t’i thënë se i burgosuri “bante vet” e “luente rolin e t’smunit”, sepse kështu i “thonte truni i kresë me ba”, ngaqë, sipas tij, “ftyrën e kishte neutrale e lexonte tan ditën do libra, qi dreqi e dinte se t’kujt ishin, veç jo prej atyne me kapak t’kuç”! Operativi i raportoi Komandantit të Burgut dhe ai dha urdhër verbal dënimi special për dhjetë ditë në qeli me lagështirë, për “të dënuemin kryengritës”! Vendimin e mori edhe pse donte “me i mat pulsin”… E kujt pra, spiunit t’Grekut, qi don me na gëlltitë!…
Dinua shkoi në vendin e dënimit të ri pa bërë zë, pa u ankuar. E dinte qysh më parë se po të ankohej, nuk do të nxirrte gjë. Për më tepër nuk e lejonte karakteri i tij i veçantë, burrëria, sedra, kjo ndjesi e shenjtë e së drejtës njerëzore dhe e qëndresës së paepur, të cilën do t’i duhej ta mbronte deri sa të mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë. Tashmë e dinte se ata, rrënjëdalët, të përdalët, shkelës të verbër idealesh të shenjta, kërkonin zhdukjen e tij fizike. Donin për të një vdekje të ngadalshme pasi nuk kishin mundur dot ta nënshtronin, të thyenin karakterin e tij prej çeliku, mospajtimin me ta, përplasjen në fytyrë ballëhapur. Qysh kur refuzoi kategorikisht të vihej në shërbimin e tyre. I vinte shpesh nëpër mendje, ajo ditë e errët e vitit 1947, kur Sigurimi i Lartë në Kryeqytet, Ministria e Brendshme, i dërgoi ata dy oficerët, si të tharë në tym e të futur nëpër kapelet me strehë e pardesytë e tyre të gjata, si të “Shefit të Madh” atje lartë (!) dhe që i propozuan të bëhej “Agjent Komunist” në Greqi, meqënëse shtëpia e vjehrrit në Korfuz, mund të shërbente fare bukur si bazë e tyre! Ide diabolike. Dinua nuk pranoi! “Nuk e njoh këtë lloj zanati,- u kishtë thënë ai, dy oficerëve që prisnin me gojën hapur! Kam mbaruar për Ekonomist”! Dhe ata nuk e kishin harruar këtë kryneç. Nuk pushonin së shikuari Dino Martikon gjithnjë, si një “armik konsekuent të kësaj partie”, që e kishte zaptuar pushtetin me gënjeshtra tragjike, pabesi e përgjakje, duke e mbajtur dhunën gjithnjë e më të madhe. Jo më kot thoshin, duke fërkuar duart, se vdekja e një të pabinduri më shumë, praktikisht, duhej llogaritur si “një armik më pak” në listat e tyre të zeza!
Qelia ishte plot lagështirë sidomos nga faqja e sipërme që binte nga ana e lumit të Matit, me rrymat e tij të akullta, që penetronin edhe në qelitë nëntokësore, të ndërtuara qëllimisht për të shkurtuar një orë e më parë jetë pa vlerë, të burgosurish. Ishte diçka që shtrëngonte të ndëshkuarit të rrinin 24 orë në këmbë, në pamundësi të shtriheshin për të marrë një sy gjumë apo qoftë edhe të mbështeteshin. Ditën e dytë, gardiani e gjeti të burgosurin të ulur galiç te qoshja e qelisë, pa e prekur fare ushqimin që i kishte sjellë: një lëtyrë burgjesh me erë të keqe. Ndërsa ditën e tretë e gjetën të shtrirë në çimenton me dy-tri gishta ujë. Pas alarmit që gardiani Preng i dha komandant Feçor Dedës, bashkë me infermier Seitin, dhe ky i burgosur, e ngritën me tezgë dhe e çuan në dhomën e infermierisë, ku i bënë një ampulë kafeine. U përmend shumë vonë. Dhe i duhej plotë një javë që trupi i tij i ligështuar të merrte gjallërinë e zakonshme. Ndërkohë kolla iu acarua akoma më shumë. Komandant Feçori e thirri infermjerin në zyrën e tij, e pa shtrembër dhe i tha se: “nji kta tipa anmiqsh, bajnë gjasme, sikundër kanë luejt tan jetën me qeverinë ma t’fortën çi ka tan bota marë”. Dhe pastaj i bëri me shenjë infermier Seitit me gishtin tregues pranë tamthave të tij tri here… Infermjeri i gjorë që ishte edhe vet i burgosur, po ja që duhej të ishte i bindur, edhe me të burgosurin e sëmurë rëndë edhe me komandantin që nuk besonte kurrë se…
Pasuan ditë të dhimbshme. Infermjeri në heshtjen e tij përgjuese dhe i sëmuri Dino Martiko, duke u kollit rëndshëm e duke “bluar veten”… Herë pas here dremiste. Dhe, ndër gjithë pjesëtarët e familjes, duhej t’i fanitej më shumë Sofia, gruaja e tij besnike, me merakun e madh të pikturuar në fytyrë, me pamjen e një shenjtoreje, shpirtërisht e gatshme për të duruar gjithnjë dhe gjithçka pa folur e pa u ankuar, përherë në vetmi, pa prindër e motra pranë, duke u përpjekur që, me ushqimet e saj të kursyera, të mbante me çdo kusht burrin e saj në jetë. Dinua e pranonte fatkeqësinë e jetës, me shijen sado të hidhur e të padurueshme që kjo i paraqitej. Gabimi pothuajse i gjithë të burgosurve kur bien në një fatkeqësi të papritur, është të “vajtojnë” në mërzitje të thellë gjëndjen e tyre të re. Të kujtojnë më kot e pa kurrfarë efekti të kaluarën, të dëshpërohen për një të ardhme krejt të pamundur, të hedhur krejtësisht në erë. Ndërsa atij i duhej të mendonte vetëm kohën e tashme. Dy kohët e tjera nuk ekzistonin më për të. Dhe i erdhën rrishtazi në mendje fjalët që i kishte thene Hetuesit të tij në Vlorë: “Ja, tani, këtu më keni. Jam para jush”. Hetuesi qe shtangur. Para tij po shfaqej një karakter mjaft i pa zakontë që nuk jepte kurrë, as shenjën më të vogël, se mund t’iu frikësohej. Edhe në dy burgjet dhe hetuesitë e gjata të tij ishte po kaq i vendosur e i përbetuar për të mos tradhtuar ndonjë bisedë të rastësishme kundër regjimit që kishte bërë me Sofinë, ëngjëllin e tij, të Bukurën e Dheut, gruan bessnike që po rropatej duke ardhur dy herë në muaj para këtyre larove, për t’i sjellë ca ushqime, që ajo i hiqte nga goja e saj, duke ia kursyer edhe të vogëlit, djalit kërthi që ajo e tërhiqte branë, pas vetes, deri sa t’i sosej frryma ndër këto anë të frikshme!
I burgosuri, jo me nerva fibre sintetike, por prej çeliku të zgjedhur special, ndjeu për një çast se po i lodhej truri nga pleksja e mendimeve që s’kishin të sosur. I ra ndër mend se dobësimi fizik, thinjat e tij, kishin lidhje me këtë gjendje shpirtërore. Nuk pushonte kurrë së vërtituri në mëndje gjërat, sipas një rendi më të lartë, që me farën e duhur të mendimit cilësor, jo atij abrash, marksist, krijon shoqëri e botë për së mbari. Në kushte të tjera njerëzit mund të mësonin shumë nga karakteri dhe idetë e tij. Ndërsa në këto kushte prej bote të nëndheshme, gjithçka hidhej poshtë pa shërim. I fanitej befas, vëllai i vrarë nga gjermanët për shkak të aktivitetit të Dinos, gjatë luftës për çlirim nga pushtuesit. Oh! Duhej tashmë të mos preokuponte asnjë, aq më pak komandantin e burgut, që dukej sikur kishte mbirë aty që nga mesjeta e hershme, apo policët me mendim të përciptë e përherë në gjendje kafshërie të plotë. Dukej fare hapët… Ata përpiqeshin me çdo kusht për t’i shkurtuar jetën. Kjo ishte e gjitha, kjo iu interesonte, asgjë tjetër, në pamundësi për ta nënshtruar shpirtërisht.
Infermier Seiti, që xheç kishte një fizionomi më të pranueshme, nga të burgosurit e tjerë, iu drejtua operativit të burgut dhe i foli për gjendjen shëndetësore të Dinos. Ky i fundit mendoi ta përdorte edhe këtë “mjet komunikimi” të mëtejshëm, për “shkëmbin e pathyer”, sikundër e kishte quajtur shefi i tij në Ministrinë e Brendshme, Nevzat Hasnedari, pasi kishte shfletuar me vëmendje krejt dosjen voluminoze prej 430 faqesh. “Loja e Shahut” ende vazhdon,- kishte thënë Shefi i Madh. Ai duhet të pranojë patjetër humbjen!”…
Operativi, pas disa ditësh e thirri të burgosurin në zyrën e tij. Gardiani e shoqëroi deri në godinat njëkatëshe të Administratës Policore. Për çudi operativi i Sigurimit Myftar Grabova u ngrit në këmbë, i rrëfeu karrigen përballë që të ulej dhe i zgjati paqetën e cigareve.
Dinua bëri një gjest në mënyrë mohuese, ndërkohë që tjetri vijoi:
-Ju thirra zotëri jo thjesht për t’iu dhënë letër e zarf për t’i shkruar familjes, por edhe për t’u kërkuar ndjese: u bë një gabim në ndëshkimin tuaj për mosbindje urdhri, pa e ditur që ju vuani nga mushkëritë. Në dosjen tuaj nuk ka asnjë shënim të tillë”!… Pa pritur përgjigje shtoi: “Na është besuar jeta juaj e çmuar! Dhe jo vetëm e juaja! Por e të gjithëve që vijnë këtu, për t’u rikthyer në jetë…”.
– E di fare mirë, -tha Kostandini duke vënë dorën para gojën për të përmbajtur kollitjen. Mund të largohem?
Operativi u mbështet më mirë në karrigen e tij e pastaj tërhoqi drejt vetes dosjen e të burgosurit që ndodhej mbi tavolinë.
– Nuk qe fare nevoja të shfletoja dosjen tuaj. Është më voluminozja që ka ardhur deri këtu, tek ne. Unë ju njoh. Një shokut tim që ka punuar dikur në Bankën e Vlorës, kur punonit si drejtues i keni bërë një të mirë. Dhe siç dihet e mira nuk harrohet, ashtu si dhe e keqja, që mund ti bjerë njeriut papritur në kokë, në një ditë të bukur me diell shkëlqyes dhe të gjitha përreth duket sikur ndriçojnë. Edhe unë jam nga Vlora. Në këtë lëmsh të vërtetë ku gjendet sot e pleksur jeta tuaj, midis forcave dhe interesave të kundërta, dikur gjenit fije të përbashkëta me ne.
-Fije të përbashkëta!?… Mos u lodhni fare. Mund t’ju siguroj se nuk kemi asnjë fije të përbashkët. Përkundrazi.
-Këtë e kam të qartë edhe nga konsekuenca juaj mbrojtëse. Por në raste të tilla njihet edhe ajo që thotë populli: “Uthulla e fortë prish enën e saj”!
-Pëlqej më mirë uthullën nga helmi i zvarranikëve.
-Ti mund të vendosësh të bësh si të duash, por nuk mund të mos i shpëtosh gabimit. Desha t’u shtrij dorën, vetëm kaq. Ndodheni në një cep të botës ku kthimi në familje vështirësohet për ju. Mendova se, dikur i keni bërë favor një shokut tim, jeta e të cilit kërcënohej, nëse do të vendosnit ta denonconit. Ishte koha kur punonte nën urdhrat tuaj në Bankë, bashkë me vajzën që i pëlqente dhe ju, pasi i kapët në flagrancë: duke u puthur në orarin zyrtar, evituat skandalin që do të kishte shpërthyer në qytet. Nuk e raportuat në Komitetin e Partisë së Rrethit. Le ta themi këtu, midis nesh: unë e kuptoj që nga gjithë llojet e njerëzve, apo drejtuesve të mundshëm në Vlorë vetëm ju mund të merrnit guximin të fshinit një fakt të tillë, të dënueshëm nga partia, por në anën tjetër gaboni kur nuk përpiqeni për të gjetur shtigje të tjera shpëtimi në jetë. Njeriut nuk duhet t’i mungojnë kurrë përpjekjet për të dalë shëndoshë e mirë në anën tjetër të lumit. Megjithatë këtu jemi. Mund të vini përsëri te unë. Kam marrë vesh se e keni lënë duhanin përkohësisht, ndonëse mushkëritë, edhe pse është diçka që i dëmton, e duan aq shumë këtë lloj helmi vdekjeprurës…
I burgosuri u ngrit në këmbë. Në të njëjtën kohë, sikur të bëhej fjalë të ishte shkelur një buton i padukshëm, hyri në zyrë gardiani Preng Kaçorri. Dinua mori letrën e bardhë që i kishte zgjatur operativi. Nga era e ftohtë zarfi i dridhej në duar. Kur vajti të ulej në stolin prej betoni, përbri klonit, me dy palë tela me gjemba, dalloi se deri diku e kishte nervozuar naiviteti i operativit-foshnjë, që i qe drejtuar me fjalët e tij këshilluese: “Njeriut në jetë nuk duhet t’i mungojnë kurrë përpjekjet për të dalë në anën tjetër të lumit”. Nuk mungoi t’i binte ndër mend se kjo thirrje do të ishte me të vërtetë e mrekullueshme, me kushtin kur në bregun tjetër, njeriu, nuk del veç me një vetvete të papërlyer, fytyrë të pastër, për të mundur të vijojë jetën më tej me një ndërgjegje të qetë se nuk ka dëmtuar askënd…
-Mirëmëngjesi Dino! -përshëndeti dikush që po i afrohej…
E pa me vërejtje, pa bërë asnjë reagim, pa i kthyer përshëndetjen, ndërkohë që tjetri vijoi të fliste pa ndërprerje si rodhan. Tha se quhej Rapush Driza, ishte nga një fshat i Vlorës ku, sipas tij, bëhej vera më e mirë në botë. Vazhdoi të thotë se kishin qenë së bashku në autobugun që i kishte sjellë nga Burgu i Ballshit, se donte gjithmonë t’i afrohej, po respekti ndaj figurës që kishin krijuar të burgosurit, nuk e kishte lejuar. Shtoi se i qe dukur si një personazh i famshëm i Maksim Gorkit, sipas tij nga ata më të palëkundurit që përpiqeshin gjithë vullnet e pasion për Revolucionin e Tetorit. I mbante mend dhe emrin, quhej Pavël Vllasov. Dinua nuk deshi të zgjaste bisedën me këtë lloj tipi që lavdëronte të tillë personazhe letrare: dritëshkurtër, tragjikë, për të ardhmen jo vetëm të Rusisë por të gjithë njerëzimit. Në kushte të tjera mund t’i thoshte se për Rusinë kishte më shumë ilustrues, madje në rolin e një pararendësi të jashtëzakonshëm faktesh historike: miliona të vrarë në luftë civile. Në shekull më vonë, do të ishte një shkrimtar i paarritshëm si Dostojevski, i cili përshkoi në veprën e tij gjigante, humnerën në tru të një shoqërie të tërë pa identitet, pa vetvete, që aq shumë i ngjante vetë i burgosuri nga Vlora që fliste e fliste pa pushim.
Dinua edhe pse nuk shkëmbeu asnjë fjalë me personin në fjalë, kuptoi se me kë kishte të bënte. Nga viti 1946 kur bënte pjesë në një celulë partie në Sarandë, kishte krijuar një përvojë të jashtëzakonshme, për të njohur këta lloj spiunësh mjeranë, që si korba të etur për çukitje kufomash, shfaqeshin edhe në ditët më të vështira të jetës së njeriut. Vijoi të bënte ecejakun e përditshëm në atë diell të vakët që sapo shkrepi nga një lindje e largët, përtej fushës së paanë, nën qiellin e murrëtyer. Do të donte shumë të bariste në ato çaste duke biseduar me ish gjeneralin nga Vunoi, Andon Sheti, mjaft dinjitoz si njeri, apo doktor Dragon nga Mali i Zi, që të burgosurit zakonisht e thërrisnin “heqimi jugosllav”. Ndonëse të njohurit e Dinos qenë të shumtë, atij nuk i interesonte intimiteti me këdo. Me dy personat e mësipërm e kishte afruar njëfarë tejdukshmërie mendimesh e një sinqeritet i admirueshëm shpirtëror. Kishte në burg dhe shumë njerëz të tjerë të mirë. Dinua binte në sy për një natyrë mjaft komunikuese. Jo pak herë bëhej epiqendra e bisedës. Shkëmbente me ta një “mirëmëngjesi” dhe një “mirëmbrëma”, shpesh herë mund t’iu jepte këshilla, duke parapëlqyer vetminë e tij më shumë nga gjithçka. Mund të thuhet se largimi vepronte si magnet, kur i bënte t’i afroheshin të gjithë. Kryesorja qe se të burgosurit kishin besim të plotë te ai lloj karakteri i fortë absolut, për të shprehur në prani të tij gjithçka ndienin kundër regjimit. Ishte personi tepër i rrallë që nuk kishte firmosur asgjë në dy hetuesitë e tij të forta, që gjithnjë ia dilnin në krye për t’i shkatërruar keq shëndetin.Dhe, një tjetër i burgosur me origjinë nga Vlora, i mbyllur në burg gjatë vitesh të tëra, qysh në moshë të re, u shpreh se, prej tij i qenë hapur sytë, se kishte mësuar prej tij aq shumë, sa nga askush tjetër në jetën e tij…
U kthye në Infermeri, po aty i doli përpara ai njeriu i tharë nga sëmundja e malarjes, Seiti, që dinte të bënte vetëm gjërpëra e t’u jepte aspirina të burgosurve sa herë u dhimbte koka. Dinua nuk i kishte dëgjuar kurrë zërin këtij njeriu e i dukej se ishte memec. Po ai foli me një zë prej qaramani: “Pasha t’Madhin Zot, s’ka ç’ka met’ba Saiti ma, veç me shkue fill e n’kapanon ke shokët! Nji kshu m’tha ene Zotnia e tij Operativi”. Dinua i hodhi një sy mëshire e i tha vetes, më tepër pa zë fare, vargjet e një kënge nga ana e tij, që ia merrnin ulur tek Rapi i Shën Vasilit, për qëntë e rrugës:”O Balo të hëngërt tënja,/e ke te keqen brënda”!
4.
Nuk qe mbyllur ende muaji kur, një të diel pasdite dëgjoi të thërrisnin emrin e tij për një takim familjar. U shtang për një çast. Letrën e kishte dorëzuar në komandë, por nuk shpresonte se gruaja e tij, Sofia, mund të vinte aq shpejt e ta gjente në një vend të largët, ku as ai vetë nuk e dinte mirë se ku e kishin prurë. I kishte shkruar të mos vinte fare për ta takuar, për të shmangur mundimet e një rruge të gjatë. E porosiste në letër te kujdesej për shëndetin e saj delikat, por edhe për birin e mitur tre vjeçar, të Robertit, që i ishte dhënë mundësia për ta parë nga afër, midis dy radhë hekurash, në burgun e Ballshit, të mbajtur me kujdes në krahët e gjyshes së tij.
Po Sofia sapo kishte arrdhur, O Perëndi, nga e mori vesh?! Ashtu e moshuar, i duhej të ecte rreth një orë në këmbë nga Urra e Matit, me emrin e Mbretit Zog, me djalin përdore, deri në Burgun e Zejmenit. E pastaj kthimi! Nga e mori vesh? Kush i kishte thënë?! Ngaqë krahët e saj të dobësuar nuk i mbanin më peshë, kishte qepur një trastë të posaçme, që e mbante në kurriz. Shoferët e këtyre anëve, i dallonin menjëherë që bëhej fjalë për të deklasuar dhe kurrë nuk ndalonin për t’iu ofruar qoftë edhe një copë udhe të vogël në karrocerinë e makinës. Kaq frikë të madhe hiqnin tre milionë duartrokitës në ato kohë të gurta kur gjithçka, çdo ditë e më shumë, shkonte drejt konsumit e shkatërrimit, kthimit pas gjithnjë e më shumë në kohë…
Po Sofia me të birin kishin arrdhur tashmë. Nuk donte që ata të vinin e ta gjenin në këtë gjëndje të rrënë shëndetësore. Gjithmonë njeriu, në raste të tila, do që ta mbajë mend njeriun e tij të dashur, ashtu sikundër ka qenë, në çastet më të lumtura të tyre e jo kështu, pas këtyre telave me gjëmba, gati të shfytyruar nga ethet sikundër qe ai tani, dhe të dërmuar nga rruga e gjate si ata,- njerëzit e tij më të shtrenjtë, përbri disa policëve mesjetarë, duke i parë jashte kuadratit të hekurave bashkëshorten e sakrificave të mëdha e të birin që kishte hedhur shtat e po e kundronte me përgjërim. Mirëpo hekuri zbutet përmes zjarrit dhe ai do të përkulej i mbërthyer te hekurat e ndarjes tjetër, duke i parë në heshtje. Pa fjalë… Me rënkime shpirti, pa tinguj… Me mbingarkesë të elektrizuar, si midis dy shteteve që i ndanë kloni elektrik, ku fëmija ishte më i godituri, gati të qante për të atin, më përtej hekurava, pa mundur ta prekte e t’i hidhej në qafë… E u struk pas së ëmës më vështrimin nga të dy policët që vetëm ata shikonin, me veshët ngritur… Njeriu mund të thotë edhe mijëra fjalë pa folur fare!… Ai dëgjonte i vrarë shpirtërisht, se si Sofia rrëfente me dhimbjen e saj të përmbajtur, se i kishin vajtur në Bugun e Ballshit, kishin pritur aty me orë të tëra, sa u thanë që “ishte transferuar” në një vend krejt të panjohur, diku afër një fshati që mbante një emër shenjtori,-më duket se të Shën Nikollës,-sikur më tha! Dhe ku mezi e kishin gjetur në atë rropatje, si ato të Jezu Krishtit… Ajo bëri kryqin me dorën që i dridhej. Iu rrëqeth shtati kur e pa ashtu të ligështuar e të pikëlluar dhe foli në gjuhën e nënës së saj që të kujdesej për veten: Prosekse, agapi mou! Mi stenohoriste ja… Donte të shtonte që të mos shqetësohej për ta, po për veten e tij e as për kthimin në Vlorë, ngaqë i kishte sjellë Spiroja, po ai mik familjar që i sillte në Ballsh, me Skodën e Bitumit… por polici ngriti dorën përpjetë i alarmuar, sa dëgjoi frazat e një gjuhe tjetër!
-Takimi mbaroi!- tha kapter Preng Kaçori i trembur!
Qe takimi i tyre i fundit.
(Vijon pjesa e dytë)
Please follow and like us: