Zaho Golemi: JETA AKADEMIKE E SHKENCËTARIT USHTARAK XHEMIL ÇELA
(Nga diskutimi në promovimin e librit Xhemil Çelaj “Jeta Akademike” të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, Dega Tiranë, Shoqata e Historianëve Ushtarak të Shqipërisë, Shoqatatat e Ushtarakëve dhe Familja Çela më 21.5.2021 në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Për herë të parë ish ushtarakë të niveleve madhorë dhe jo vetëm mblidhen në një aktivitet promovues për veprën e autorit Xhemil Çela, pa prezencën fizike të tij. Një takim promovues homazh e nderues për autorin, takim promovues për vlerat si ushtarak, krijues, njeri fisnik, që i dha jetës kuptim e dimension mençurie, që hodhi dritë e ndriçoi një ndër periudhat me solide të formimit akademik e shkencor të institucionit të Akademisë së Mbrojtjes si Institucion i Arsimit të Lartë unik në Shqipëri.
Vepra e deritanishme, e Xhemil Çelës është e njohur me librat: “Familja dhe fisi Çela në shekuj” (1660-2000), “Jetuam paqen e kërcënuar”, “Historiku i shoqatës “Labëria”; “Fenomeni fajde dhe revoltat popullore në Shqipëri 1997”, “Shkurt ’91 –ngjarjet në shkollat ushtarake dhe monumenti i Enver Hoxhës”; “Rregullore e nënreparteve të zbulimit ushtarak në luftim”; Album me skema për Ushtritë e Huaja në llojet e ndryshme të luftimit/operacionit”, “Veprimet e nënreparteve të UH në luftim”, “Veprimet luftarake të nënreparteve të desantit detar e ajror në luftim”, bashkëautor i “Enciklopedi e Kurveleshit” etj. Edhe pse është larguar nga jeta, sot shpalosim një dimension tjetër të tij në një vijimësi punimesh ose kolanën katër vëllimshe, që autori e ka lënë në dorë të sigurt për publikim, nën kujdesin e Profesor Bernard Zotaj, i veçantë në rrethet ushtarake, që di t’i çojë amanetet në fund, në dorën e një ustai për librat.
Le të ndalemi tek “Jeta Akademike” (Në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm 1980-1992) dhe më konkretisht tek kapitulli: “Për punën shkencore në Akademi”.
Duke i bërë një vlerësim të përgjithshëm librit “Jeta akademike”, si tërësi unitare, që vjen nën këtë titull, por që ka për objekt periudhën më të pjekur dhe më të arrirë të Profesorit dhe shkencëtarit ushtarak Xhemil Çela, për arsye se për një periudhë 12-vjeçare, ku duhet thënë se ka qenë njëherësh edhe periudha përbyllëse e karrierës së tij ushtarake. Jeta akademike është një libër i karakterit shkencor, pedagogjik e historik dhe nëse të gjithë aktorët kryesorë të Akademisë do të shkruanin kujtimet e këtij modeli do të ishte vetë historia e Akademisë së Mbrojtjes dhe pasuri për brezat ushtarakë dhe jo vetëm, një pjesëz e jetës akademike shqiptare.
Libri “Jeta Akademike” është një dritare e re dhe një këndshikim i ri prej nga ne e shohim botën akademike ushtarake. Autori Xhemil Çela ishte mik dhe besnik i librave dhe për to punoi gjithë jetën. Ai e pa librin si ndryshim, zhvillim dhe përparim, si paqe e shpirtit magjik, me të cilin largonte mërzinë në valët e turbullta të jetës, veçanërisht të jetës ushtarake të cilën e shkoi në kompleksitet kur shprehet që në titullin e një libri të tij: “Jetuam paqen e kërcënuar”. Xhemil Çela e ka parë librin si shokun dhe mikun më të mirë, si shpikjen e mrekullueshme të njerëzimit, si pasurinë shpirtërore që e lëvroi fuqishëm dhe përcolli idetë e kohës që jetoi në mënyrë krejt origjinale, prandaj edhe veprat e tij mbajnë vulën e origjinalitetit dhe lexohen me dashuri dhe vëmëndje. Kushdo mund ta shikojë jetën, që rrjedh si një lumë, por në këtë rrjedhë lumi ka parë produktivitetin dhe vlerat e qëndrueshme. Kur autori mbush moshën biologjike ose për shkaqe të tjera shuhet fizikisht, jeton fjala e artë, vepra me peshë, me mend e shpresë, që brezat që vijnë të gjejnë në libra idetë, mendimet, kujtimet, veprimet, frymëzimet, trashëgiminë, vlerat e kohës së shkruar. Ata nuk mund të gjejnë thesarin e botës, recetat e gatshme, por do të mund të gjejnë jetën e një epoke ashtu siç ka qenë. Mjafton të dinë ta lexojnë e të hulumtojnë në të shkuarën e kulturës së shkruar ushtarake, sepse me vete do të kenë një pasuri që do t’ju flasë e do t’ju tregojë udhën.
Në lidhje me kapitullin e tretë “Puna Shkencore në Akademi”, po ndalem më gjerësisht në këtë pjesë. Vetë fjala “Akademi” shumëkush nga hulumtuesit e gjuhësisë e lidhin këtë fjalë me prejardhje pellazgo-ilire, që do të thotë “A ka dijë më?/A ka dije më tej”, mjaft domethënëse nëse vërtetohet tërësisht, megjithëse etimologjia ta ushqen këtë mendim.
Autori në këtë libër të ri, punën shkencore në Akademi e ka klasifikuar si më poshtë “III. Puna Shkencore në Akademi”, duke e ndarë në katër çështje të rëndësishme: 1. Planëzimi i punës shkencore; 2. Hapat e para në punën shkencore; a. Materiali mbi helikopterët dhe përdorimin luftarak të tyre sipas Ushtrive të Huaja (UH); b. Materiali mbi PRDKT të UH dhe probleme të kundërvënies; c. Albumi me skemat e reparteve e njësive të UH në llojet e luftimit/operacionit; d. Odisea e librit mbi Historinë e Artit Ushtarak Botëror; 3. Plani 5 vjeçar i punës shkencore dhe përpjekjet për zbatimin e tij; 4. Realizimi i detyrave të planit 5 vjeçar të punës shkencore; a. Për temën e zbulimit; b. Për materialet mbi UH”. Kjo është ndarja, specifikimi dhe analizimi i autorit Çela për këtë pjesë, që e ka lënë për brezat pasardhës ushtarakë dhe jo vetëm të gjykojnë gjerësisht si dhe të marrin çfarë është e mirë, e domosdoshme dhe që i reziston kohës, por edhe që meriton vëmëndje.
Kjo pjesë sikurse gjithë libri është një pjesë e një kolane të gjerë që i shërben fuqisë kombëtare të Shqipërisë, potencialit intelektual ushtarak që krijoi vlera në një institucion të arsimit të lartë sikurse është Shkolla e Naltë Ushtarake (në atë periudhë Akademia e Mbrojtjes) e ndërsa aktualisht Akademia e Forcave të Armatosura. Edhe pse e ka ndërruar emrin nëntë herë në 63 vjet, përsëri ngelet institucioni më i lartë akademik i vendit. (Shkolla e Naltë Ushtarake, RU. 2002, nga 10.5.1958 deri më 28 tetor 1961. Akademia Ushtarake e RPSH, RU. 2002, nga 28.10.1961, deri më 5.1.1963. Akademia Ushtarake “Mehmet Shehu”, RU. 2002, nga 5.1.1963 deri 18.12.1981. Akademia Ushtarake e RPSSH, RU. 2002, nga 18.12.1981, deri më 24.12.1991. Akademia Ushtarake, RU. 2002, nga 24.12.1991 deri më 24.12.1992. Akademia e Shtabit të Përgjithshëm, RU. 2002, nga 24.12.1992 deri më 7.2.1994. Akademia e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, RU.2002 nga 7.2.1994 deri 10.4.2004. Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, RU. 5561, nga 10.04.2004 deri më 1.10.2012. Akademia e Forcave të Armatosura, RU. 5008, nga data 1.10.2012, (e në vazhdim) mori emrin Akademia e Forcave të Armatosura dhe përbëhet nga 2 Fakultete Fakulteti i Arsimimit të Përgjithshëm, (ish-Akademia Ushtarake “Skënderbej”) dhe Fakulteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes, (ish-Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”).
Autori punën akademike shkencore e preku për herë të parë, që kur ka qenë kursant në vitet 1968-1970 në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”. Xhemil Çelaj vjen në këtë kapitull të librit me mendim të pavarur dhe të çveshur nga ujërat e tepërta e klishetë, ndërkohë që përshkruan me realizëm punën shkencore në Akademinë e Mbrojtjes, punë që mund ta përcaktojmë qartësisht se u karakterizua nga serioziteti maksimal në detyrë, përkushtimi dhe detyrimi për të nxjerrë produkt cilësor për kohën duke vjelë edhe mendimet më të përparuara të shkencës ushtarake të kohës. Ai ka qenë dhe mbetet njeriu i vlerave dhe ndër kuadrot e spikatur dinjitoz që i shtoi vlera punës kudo ku punoi.
Njohja e gjuhëve të huaja i futi në brazdën e punës plot përkushtim për t’u matur me prurjet e akademike të ushtrive më të përparuara të kohës. Ja si e cilëson IAL ushtarak autori në libër: “Akademia (e Mbrojtjes) vlerësohej si institucioni më i lartë shkencor në Ushtri. Për këtë, në fillim të viteve ’80, aty u krijua Sektori Shkencor. Kishte për objekt Artin Ushtarak Popullor dhe Historinë e Artit Ushtarak të popullit shqiptar nga lashtësia e deri në LANÇ.
Ndërkohë, katedrat në akademi objekt kryesor kishin sigurimin e zhvillimin normal të procesit mësimor-akademik, njëkohësisht edhe përgatitjen e materialeve të ndryshme teoriko-shkencore për ushtrinë. Pas riorganizimit të Akademisë në vitin 1985, sipas vendimit të Sekretariatit të KQPPSH datë 31 janar 1984, u shkri sektori shkencor. Ndaj e gjithë pesha e punës shkencore tashmë kaloi nëpër katedra si organe kompetente shkencore. Për të patur kohën e nevojshme për t’u marrë më gjerësisht me punë shkencore, u pakësua ngarkesa vjetore e pedagogëve në mësimdhënie duke u barazuar me kohën e planëzuar për punë shkencore. Edhe emërtimi nga pedagog u bë punonjës shkencor e pedagog”. E megjithatë emërtimet “punonjës shkencor e pedagog”, autori i vlerësonte shumë, sepse këtu ishte shpresa e së ardhmes së institucionit. Shkenca si tërësi e veprimtarive njohëse dhe përgjithësuese dhe sistem dijesh e njohurish për ligjet e ligjësitë e zhvillimeve ushtarake, të dukurive dhe objekteve të formuar historikisht, gjeti tek brezi i Xhemil Çelës një brez të sakrificës dhe përkushtimit, gjeti njerëzit e duhur të mençur dhe të përpushtuar, por edhe atdhetarë deri në palcë për të dhënë maksimumin nga vetja dhe që të arrijnë në formimin e një institucioni të tillë solid që të kishte një produkt të plotë për kohën në përgjigje të misionit dhe detyrave madhore.
“Puna shkencore në Akademi” i “Jetës Akademike” është përfshirë gjithësej në 14 faqe, nga faqja 76 deri në faqen 90 në “A-4” sipas formatit të autorit. Akademia e Mbrojtjes, në periudhën që Xhemili u emërua në të ishte me moshë rinore vetëm 22 vjeç, (sepse SHNU, ishte krijuar më 10 maj 1958), një vit pas krijimit të Universitetit të Tiranës (1957). Strukturat shtetërore të kohës ndërkohë që Akademia kërkohej të “futej në shina” të kërkimit shkencor dhe ngritjes së cilësisë kishte mungesë të personelit me tituj dhe me grada shkencore që në fakt u gjet një zgjidhje e tillë duke shkelur në “rrugë të pashkelura”. Me urdhër të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu u dhanë me urdhër dhe me VKM gradat shkencore dhe titujt e parë akademik duke i hapur kështu rrugën një procesi të munguar në Akademi, në vitin 1979. Kështu bazuar në VKM-së nr.200 datë 30.07.1979, “Për dhënien e titujve shkencorë kuadrove ushtarakë”, ku përfshinte gjashtë grada shkencore dhe tituj akademikë për kuadro të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu” dhe personalitete të Ushtrisë Popullore. Ky vendim u mbështet në VKM nr.31 datë 12.03.1979 “Për marrjen e gradave dhe titujve shkencore” dhe më konkretisht Spiro Themistokli Adhami, komandant i Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu” dhe Mendu Habili Backa, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Xhenios ju dha titulli akademik “profesor” ndërsa Abedin Muharrem Galanxhi, drejtor i Institutit të Studimeve e Projektimeve të Veprave Mbrojtëse; Alfred Spiro Moisiu, drejtor i Drejtorisë së Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore; Gaqo Ilo Pojani, drejtor i Drejtorisë së Armatim Municionit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe Arian Llambi Qiriako, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore ju dha titulli “bashkëpunëtor i vjetër shkencor”. Ju hap kështu rruga e kualifikimeve shkencore në Akademinë e Mbrojtjes, që mblidhte rreth vetes gjithë spektrin e intelektualizmit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri. Edhe pse Xhemil Çela u bë promotor i drejtimit të orientuar drejt punimeve shkencore për të gjithë pjesëtarët e katedrës që drejtonte u bë kështu udhërrëfyes drejt një skeme që i bëri të gjithë kolegët e tij të sukseshëm në jetë, falë edhe pozicionit të favorshëm si pedagog, punonjës shkencor dhe shef i katedrës së Zbulimit e Ushtrive të Huaja në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, por edhe si anëtar i Këshillit shkencor të Akademisë për rreth një dekade (1981-1991). Më tej Xhemil Çela në vitin 1991 deri më 1992 ka qenë kryeredaktori i “Revista Ushtarake” organ teoriko shkencor i Akademisë, duke nxjerrë numrat e parë të saj. Edhe në këtë periudhë kërkimi shkencor ngeli i gjallë falë edhe literaturës së huaj që ja mundësonin përdorimi i gjerë i literaturës në gjuhën italiane, ruse, greke, serbe, kroate e franceze.
Disa nga disertacionet ku Xhemil Çela ka qenë promotor në rregjistrimin e tyre, por edhe ka kontribuar në shumë elementë të ndërtimit të tëmave, çështjeve, nënçështjeve e deri të analizën e fakteve dhe ofrimin e mendimeve tejet profesionale, përfshi edhe debatet në Këshillin shkencor të Akademisë së Mbrojtjes. Le të pasqyrojmë disa prej tyre. Kolonel Zihni Ali Goxhaj ka mbrojtur disertacionin me temë: Probleme të agresionit ushtarak dhe të koncepteve mbi mësymjen sipas UH, mundësitë e realizimit të tyre në terrenin tonë dhe disa nga masat kryesore që parashikon AUP për t’iu kundërvënë me sukses”, në vitin 1986; Nënkolonel Myzafer Bonaj, ka mbrojtur disertacionin me temë: “Ndërtimi i Forcave të Armatosura të RPSh” në vitin 1988; Kolonel Bektash Hajredin Kolasi ka mbrojtur disertacionin me temë: “Disa probleme të rritjes së frytshmërisë së radiozbulimit në kushtet e luftës së sotme” në vitin 1990; Kolonel Tigër Enver Godo ka mbrojtur disertacionin me temë: “Probleme të punës së komandave, shtabeve dhe organeve të zbulimit për sigurimin e përpunimin e të dhënave informative dhe disa drejtime të persosjes së metejshme të saj” në vitin 1991; Nënkolonel Xhelal Rrahim Martini ka mbrojtur disertacionin me temë: “Veprimet e reparteve e nënreparteve te Ushtrisë Jugosllave në llojet kryesore të luftimit dhe si i kundërvihet arti yne ushtarak i Luftës Popullore”, në vitin 1991; Kolonel Petrit Dhamo Mamaj ka mbrojtur disertacionin me temë: “Problemet e artit ushtarak në luftrat kryesore lokale pas Luftës së II Boterore” në vitin 1991; Nënkolonel Kapllan Abdulla Subashi ka mbrojtur disertacionin me temë: “Thellim për problemet themelore të përgatitijes së n/reparteve të zbulimit për të vepruar në prapavijë të armikut në kushtet e luftës së sotme”, në vitin 1991; Nënkolonel Sihat Ramo Gjonmemaj, ka mbrojtur disertacionin me temë: “Desanti ajror taktik me helikopter në luftën e sotme dhe disa çështje të kunderveprimit ndaj tij.”, në vitin 1994; Kolonel Mehmet Ali Musaj ka mbrojtur disertacionin me temë: “Mbi politikën e sigurimit të Republikës së Shqipërisë”, në vitin 1994; Nënkolonel Agron Agolli ka mbrojtur disertacionin me temë: “Çështje të vlerësimit real të befasise në luftën e sotme dhe masat tona për përballimin e saj”, në vitin 1994. Në këtë kuadër beteja për formimin shkencor ka vijuar gjatë me zigzaket e veta, mes vështirësive, por e rëndësishme ka qenë se Akademia ku shërbeu denjësisht Xhemil Çela në vijimësi ka pasur arritje dhe stafet i kanë çelur perspektiva institucionit duke i shtuar vlerat dhe duke e çuar edhe më lartë stafetën e vlerave. Kështu shumica e disertacioneve u kthyen në libra dhe bile u thelluan edhe më tej duke shprehur siguri dhe duke thënë të sigurtë fjalën e vet sikurse është edhe libri që analizojmë sot “Jeta Akademike”. Nga studimi i thelluar i librit konkludojmë se, në fund të viteve ’70, u bënë përpjekjet që edhe në Akademi të kryheshin kualifikimet pasuniversitare. Udhëzimi Nr.7 datë 23.10.1973 i Këshillit të Ministrave me subjekt “Mbi mënyrën e dhënies së gradave dhe titujve shkencorë” përcaktonte që Akademia e emërtuar në atë kohë ‘Mehmet Shehu” të përfshihej nga Komisioni i Lartë i Atestimit në radhën e Institucioneve të Larta Arsimore e të Kërkimit Shkencor njëherazi si qendra e vetme e Forcave të Armatosura ku do të realizohej Kualifikimi Pasuniversitar për mbrojtjen e disertacioneve për gradën “Kandidat i Shkencave” (sot “Doktor i Shkencave”).
Jeta Akademike në Akademi, që i vuri emër librit “Jeta Akademike”. Këshilli shkencor i Akademisë, ka qenë institucioni më i lartë shkencor në ushtri, duhet të ishte fundor për sa i përket diskutimit e miratimit edhe të materialeve, që përgatiteshin nga katedrat në Akademi e më pas dërgoheshin në ushtri. Materialet e miratuara prej tij duhet të kalonin edhe në Këshillin Shkencor të SHP, i cili jepte “dritën jeshile” për t’i dërguar në ushtri apo atë të “kuqe” për t’i kthyer në akademi për ripunim. Kështu problemi i dërgimit të materialeve mbi Ushtritë e Huaja në ushtri po futej në një cikël zvarritjesh pa mbarim. Xhemil Çela shprehet: “Në detyrën e shefit të katedrës, unë kam patur fat të punoja me pedagogë si Sali Qazimi, Ibrahim Pajova, Myzafer Bonaj, Petrit Mamaj (për lëndën e Historisë së Artit ushtarak), Tigër Godo e Xhelal Martini (përkatësisht për zbulimin e UH), njohës të mirë të lëndëve që mbulonin, korrekt e kërkues me akademistët në përvetësimin e lëndëve mësimore. Më pas Bektash Kolasi, Sihat Gjomema, ndërkohë që “kërkesa e lartë e llogarisë jo kujdo i shkon për shtat”. Mësimet e katedrës së zbulimit, me përjashtime të pakta në zgjidhje detyrash taktiko-operative komplekse (4 të tilla gjatë dy viteve), ishin kryesisht për materialet teorike”. Jeta në Këshillin shkencor të Akademisë e bëri autorin e librit plotësisht të ingranuar në jetën akademike aq sa edhe edhe titullin libri e mori pikërisht nga anëtarësia në këtë këshill. Fakt është se libri “Jeta Akademike” është një stacion jetësor pune 12 vjeçar si pedagog, punonjës shkencor e shef katedre në AFA, është një copëz historie në historikun 63 vjeçar të Akademisë së Forcave të Armatosura, edhe pse në jo pak raste ushtarakëve madhorë shqiptarë u është dashur të punojnë edhe në “fushë e minuar”, fushë që përngjasonte me atë të vitit 1974 shprehet autori. Në faqet e librit më të ri rrjedhshmëria dhe gjuha e përdorur është mjaft e thjeshtë dhe origjinale në formë kujtimesh: “Punonin intensivisht edhe jashtë orarit të caktuar për studimin katër orë të organizuar çdo mbasdite. Ndokush edhe deri pas mesnate. Gjithsesi ata kishin vështirësi në trajtimin e pavarur të çështjeve dhe shpesh përplaseshin në debate me pedagogët. …trupa akademike mbante lidhje të ngushta me akademsitët e grupet e tyre, ne, trupa pedagogjike, arrinim të njihnim mirë edhe personalitetin e secilit akademist. Me akademistë të kësaj kategorie problemi ishte mjaft më i lexueshëm për t’u kuptuar e zgjidhur në mirëkuptim, por, kishte edhe ndonjë akademist të shkëputur, ardhur në Akademi nga detyra partiake apo detyra të larta komanduese në ushtri, që në ndonjë rast mundohej të shfrytëzonte të shkuarën e tij “për të hedhur lumin” në dëm të përvetësimit të dijeve, ndonjëri dhe duke mbajtur qëndrim kapriçioz”. Duke e njohur mirë eksperiencën akademike duke punuar në mësimdhënie në AFA në dy dekadat e fundit(i jashtëm dhe i brendshëm nga 2013-2019), në strukturat akademike dhe kërkimore shkencore të FSM-së kam mundësuar të depërtoj në një cikël të gjatë të kësaj fushë të studimeve, kërkimeve e mësimdhënies, që lidhet me librin, bibliotekën, kërkimin, punimet shkencore, disertacionet, dokumentin e gjerë të arkivave, revista e gazeta periodike që priteshin me shumë interes nga të gjithë nivelet në Akademi nga akademistët, shefat, drejtuesit e veçanërisht pedagogët dhe kërkuesit shkencore. Nesë perifrazojmë autorin Çelaj: “Në fillim të viteve 80-të kur biblioteka e transferua pranë Akademisë Ushtarake, sipas të dhënave që disponoj nga vetë biblioteka e me zërat përkatës, ky fond përfshinte mbi 43 tituj revistash periodike (1, 2 apo më pak edhe tremujore), si nga ushtritë e Perëndimit ashtu edhe ato të Lindjes, si dhe një fond librash, që porositeshin apo bliheshin me lekë në dorë 70 deri në 90 libra në vit. Pas vitit 1974, me rregullat rigoroze të porositjes e shfrytëzimit të literaturës së huaj ushtarake, në bibliotekën e literaturës ushtarake në akademi, kryesisht me këmbënguljen e pedagog Sali Qazimi, duke u përgjysmuar fondi në valutë, vijohej abonimi në 7 revista të huaja ushtarake. Krahas revistave të reja, që hynin përmuajshëm në këtë bibliotekë, sikurse kam theksuar pak më lart, aty gjendej edhe literaturë e gjerë e përkthyer e sidomos e përpunuar ndër vite, kryesisht nga drejtoria e zbulimit për tema të ndryshme mbi UH si luftimi e opracioni mbrojtë e mësymës sipas tyre apo përdorimin e desantit ajror e detar, luftën kundërpartizane etj”. Stafi i punës kërkimore shkencore i kishte vënë shpatullat punës dhe kishte bërë të mundur çdo lloj studimi që lidhej me fushën e artit ushtarak, UH, Historinë e artit botëror dhe shqiptar të luftrave, teoritë bashkëkohore që sillnin. Studjohej Sun Xu, teoricieni i shquar ushtarak i shek. XIX Karl Fon Klauzeviçi, Henry Zhomini, Bonoparti, Moltke, Hanibali, Alfred Mahani, më vonë edhe Ajzenhauer, Zhukov, Montgomeri, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti e qindra ushtarakë që kanë pasur mendim gjeneralist. Autori e dinte mirë atë që thoshte Klauzeviçi, që “Kanavacën e Luftës” e thurin politikanët, ndërsa ushtarakët tregojnë mjeshtërinë në zbatimin konkret në teatrin e fushës së luftimit, dhe për këtë duhej dije e thellë, ajo dije që në vitet ’80-të vërshimi i literaturës së huaj ushtarake, që krijonte kundërshti të theksuar në njësi e reparte, dhe për këtë autori sjell evidencim për literaturën që dërgohej në ushtri. Nga vitet 1966-1974 (pas Letrës së Hapur të KQ të PPSH) u dërguan në ushtri 124 tituj me informacione mbi UH, prej tyre 62 rregullore, manuale e instruksione të përkthyera, 18 leksione, 20 materiale mbi eksperiencën e luftërave e ndërhyrjeve të ndryshme ushtarake. Por kjo shihej përsëri më dyshim sepse përveç filtrave duhej parë në sy kritik dhe nën çfarë “drite” duhej parë “jeshile” apo të “kuqe”. Të çohej në ushtri apo jo?! Kjo ishte dilema. Sa herë dilnin grupe “armiqësore” në ushtri, duheshin pastruar materialet dhe programet sepse një frymë mbytëse e ngurimi ishte mbi pedagogët në Akademi të Mbrojtjes. Mbi të gjitha në Akademi çështjet studimore kanë qenë të lidhura ngushtësisht me praktikën konkrete sikurse ishte rastet që tërhiqnin vëmëndje, si përdorimin luftarak të helikopterëve dhe Predhave Reaktive të Drejtuara Kundërtanke, që ishin dy risi në fushën e luftimit, pavarësisht se në pikëpamje teorike e përdorim taktik e luftarak në fushën e luftës kishin kufizime dhe kërkonin përgatitje të materialeve të veçanta. Autori sjell detaje edhe në lidhje me punimet e reja që bëheshin në atë periudhë në Akademi si dhe personazhe konkretë që lidheshin me punën në institucionin më të lartë akademik ushtarak të vendit dhe pikërisht me punën e pedagogut Sali Qazimi dhe Xhemil Çela, me veprimtarinë e Këshillit Shkencor të Akademisë e deri në publikimet “Për përdorim të brendshëm në ushtri”, që ishte praktikë për të mbrojtur kuadrot. Autori sjell në librin e tij rastin e hartimit, odisenë e rishikimit të “Historia e Artit Ushtarak Botëror” të hartuar nga Ibrahim Pajova dhe Shahin Leka me një terminologji ushtarake të përsosur çka ngre shumë lartë vlerat e kolegëve si punonjës shkencore. Këtu autori shkruan edhe për detaje që me “erën demokratike”, kërkonin të rrëzonin erën e vërtetë të kërkimit dhe punës shkencore në akademi. E megjithatë vlerat nuk mund të çbëhen.Askush nuk mund të sulmojë vlerat duke u fshehur në “kufizime” ideore. Xhemil Çela flet për punën shkencore në Akademi, si institucioni qendror shkencor i Ushtrisë, që shënoi një hop cilësor në mezin e viteve ’80, njëherazi puna shkencore u bë e matshme, e programuar afatgjatë, u kalua nga plane vjetore në plane 5 vjeçare e ndarë me vite, ngritja e grupeve të përbashkëta të punës me koperrim me katedrat e tjera sikurse ishte puna me grupe me Pedagogur Roland Çepele, filloi hartimi i Dispensave për shtetet kufitare e blloqet ushtarake, Dispensa për llojet e armëve dhe shërbimeve, Doktrina e UH, Dispensa për konceptet e luftimit taktik të njësive e reparteve të UH dhe kundërvënia sipas AULP, Dispensa mbi llojet e operacioneve sipas UH dhe kundërvënia sipas AULP etj. Këto e ngritën mbi baza më të fuqishme të dijes shkencore në Akademi. Por pas misionit të kryer të mësimdhënësit kontributi tek revista ushtarake e Akademisë ishte vendi i përzgjedhur për një ushtarak të kompletuar tashmë me dije teorike dhe praktike të mjaftueshme, detyrë kjo që është edhe përmbyllëse e krejt karrierës ushtarake të Profesor Xhemil Çela. Në Shqipëri kishin ndodhur tashmë ndryshimet e pushteteve dhe një erë e re, me një format të ri dhe me një vizion të ri u shpalos edhe përpara shqiptarëve, ndërkohë që reflesionet e një kohe që shkoi do të vinin të kthjelloheshin dhe do të “vilej” mundi dhe djersa, eksperienca, puna plot pasion dhe me ndërshmëri në shërbim të Atdheut, mbi të gjitha me mision të përmbushur.
Edhe pse autori Çelaj doli në pension pleqërie në 2 prill 1992, në moshën 55 vjeçare, ai nuk ishte një pensionist, por me një jetë aktive si shkrimtar ushtarak, si kërkues e hulumtues shkencor, si veprimtar i Labërisë dhe shoqatave ushtarake. Ai ishte këshillues, mik dhe bashkëpuntor i studiuesve të rinj. Kështu punoi deri në frymën e fundit duke lënë një trashëgimi librash plot vlerë dhe mendim ushtarak të spikatur. Nëse e shprehim fuqinë e mendjes akademike sipas Morgenthau-t do t’i shkonte për shtat ajo që fuqia ushtarake në planin e lidershipit ushtarak është pjesë e “fuqisë kombëtare, është aftësia ose kapacitetet e një kombi për të realizuar qëllimet dhe objektivat e tij kombëtarë..”. Në fakt për periudhën që flet në libër Xhemil Çela, Akademia e Mbrojtjes ka realizuar misionin për përgatitjen e lidershipit ushtarak në të gjitha nivelet duke rritur fuqinë e dijes akademike dhe duke e përcjellë në të gjitha strukturat e tjera.
Kapitulli i kërkimit shkencor dhe jetës akademike është tërësisht e lidhur me punën shkencore akademike, por dhe me një tog problemesh të planëzimit të punës shkencore, hapat e para në punën shkencore dhe individualitetet që e çuan përpara këtë proces dhe më tej në libër gjejmë analiza për materialet mbi helikopterët dhe përdorimin luftarak të tyre sipas UH, mterialet mbi PRDKT të UH që ishin në trendin e kohës dhe racionalizime përmes lidhjes së teorisë me praktikën e përdorimit luftarak. Me rëndësi ishin problemet e kundërvënies, përpunimi, dhe hartimi i albumit me skemat e reparteve e njësive të UH në llojet e luftimit/operacionit, si dhe një vend të specifik është pjesa që lidhet me problematikën e librit voluminoz mbi Historinë e Artit Ushtarak Botëror. Autori di të qëmtojë dhe të flasë edhe për planin pesë vjeçar të punës shkencore dhe përpjekjeve për zbatimin e tij, realizimi i detyrave të planit pesë vjeçar të punës shkencore, për temën e zbulimit dhe për materialet mbi UH. Janë çështje delikate që janë sjellë me realitet dhe vërtetësi, duke shkruar për një epokë që jo të gjithë e kanë guximin që të shkruajnë dhe të analizojnë të djeshmen, pa frikë dhe me guxim e kurajo, duke reflektuar mbi të vërtetat e kohës. Ky është libri që përcjell mesazhe të qarta të një kohe pa kthim.
Shprehja latine se, “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, flet qartë, më shumë se njëmijë fjalë dhe se dijet në fushën e mendimit ushtarak nuk mund të shikohen të shkëputura nga mendimi dhe shkencat e tjera të studimit. Fatet librat i shkruajnë vet, që kur autori derdh në letër mendimet. Por një gjë është e sigurtë se destinacioni i këtij kapitulli dhe i krejt librit është një destinacion qartësisht i dukshëm. Intelektualizmi shqiptar ushtarak dhe jo vetëm gjithmonë do të ketë uri dhe dëshirë që të lexojë të vërtetat akademike shqiptare për të gjitha periudhat e ngritjes dhe zhvillimit. Ai do të zërë vend në kolanën e veprave ndër më të lexuarat të çdo kohe për mendimin ushtarak shqiptar e më gjerë.